Forcimi i luftës kundër kontrabandës dhe trafikut të paligjshëm ishte në qendër të një takimi mes Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Besmir Beja, dhe të Ngarkuarës me Punë të Ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri, Nancy VanHorn.

Në bisedën mes tyre u prek bashkëpunimi mes dy vendeve në administrimin doganor, sigurinë kufitare dhe lehtësimin e tregtisë. Beja foli për prioritetet e Doganës Shqiptare, duke vënë theksin te modernizimi i shërbimeve doganore, rritja e transparencës dhe integritetit institucional, si dhe përmirësimi i klimës së biznesit përmes procedurave të thjeshtuara dhe të standardizuara. Ai theksoi edhe angazhimin për të luftuar trafikun e paligjshëm, kontrabandën dhe korrupsionin, si dhe për të garantuar kontroll më të fortë të lëvizjes së mallrave sipas standardeve ndërkombëtare të sigurisë.

Nga ana tjetër, VanHorn vlerësoi rolin e Doganës në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve, si edhe në rritjen e të ardhurave për buxhetin e shtetit dhe krijimin e një klime më të mirë për investime.

Ajo theksoi se Shtetet e Bashkuara do të vijojnë të mbështesin përpjekjet për rritjen e kapaciteteve profesionale, forcimin e sigurisë kufitare dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Në takim u diskutua edhe për rritjen e asistencës teknike, shkëmbimin e praktikave më të mira dhe projekte që synojnë ta bëjnë administratën doganore më efikase dhe tregtinë e ligjshme më të lehtë.

Respektimi i standardeve ndërkombëtare, garantimi i sigurisë në zinxhirin e furnizimit dhe shërbimi cilësor ndaj qytetarëve dhe komunitetit të biznesit mbeten prioritete thelbësore të Doganës Shqiptare, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe integrimit të mëtejshëm të vendit në tregjet ndërkombëtare.