Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ka zhvilluar një seancë pyetje-përgjigje edhe me deputetin e PD, Arjan Ndoja. Ky i fundit i referohej në senacë një takimi që kryeministri Edi Rama zhvilloi në Këshillin Bashkiak të Durrësit me banorët që preken nga projekti TID dhe tha se Garda nuk e kishte lejuar të futej në takim, bashkë me deputetin Igli Cara. Deputeti Ndoja e pyeti ministrin se ku e mbështet Garda e qëndrimin e saj që nuk i lejoi të futen në ambientet e Bashkisë Durrës dhe të marrim pjesë nëmbledhje, duke thënë se gardistët kanë shkelur ligjin.

“Unë, si Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, dhe Z. Igli Cara, njëkohësisht Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, nuk jemi lejuar që të hyjmë në ambientet e Bashkisë Durrës për të marrë pjesë në një takim që ka zhvilluar Kryeministri dhe Kryetarja e Bashkisë Durrës, me banorët e qytetit të Durrësit, projekti TID.

Ne jemi përfaqësues të zgjedhur të Qarkut Durrës dhe, në bazë të ligjit për Statusin e Deputetit, kemi të drejtën që të marrim informacion dhe të mbikëqyrim procesin administrativ që ka të bëjë me të drejtat e qytetarëve; kemi të drejtë që të informohemi në lidhje me mbledhjet e Këshillit Bashkiak, si dhe çdo aktivitet nga Bashkia Durrës, gjë që deri më sot nuk ka ndodhur.

Procedura normale ishte kallëzim, unë nuk e ndjeva të arsyeshme, mendoj se nuk ka instruktazhin e duhur nga autoritetet përgjegjëse. Pyetja i është drejtuar ministrit të brendshëm, duhet të merren masa të mos ndodhë më. Keni rastin e Mziut, Nallbatit, hedhjen me spraj të kryetari të opozitës, ai ka një status të veçantë dhe duhet mbrojtur, është e papranueshme kjo lloj sjellje. Statusi që i përket me ligj deputetit, duhet të mbrohet”, tha Ndoja.

Ministri i hoshi poshtë akuzat se gardistët nuk kanë zbatuar ligjin. Ai i tha deputetit Ndoja se ligji për Gardën parashikon se “kur një personalitet i mbrojtur, si Kryeministri i vendit, zhvillon një aktivitet, çdo ambient ku ai ndodhet trajtohet si objekt në ruajtje.” Ministri shtoi se çdo hyrje në atë takim i nënshtrohej verifikimit dhe autorizimit siç e parashikon ligji, jo sipas dëshirës apo bindjes politike.

“Pavarësisht se zoti Ndoja është jurist me përvojë të gjatë dhe njeri i ligjit, e njeh shumë mirë atë, ligji nr. 33/2021 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë” është i qartë: “Kur një personalitet i mbrojtur, si Kryeministri i vendit, zhvillon një aktivitet, çdo ambient ku ai ndodhet trajtohet si objekt në ruajtje”. Ligji është i qartë dhe nuk ka interpretime. Në takimin e Durrësit, të cilit ju i referoheni në kërkesën tuaj, nuk ka përjashtime. Nuk ka privilegje. Nuk ka status mbi sigurinë. Ka vetëm një standard, zbatimin rigoroz të ligjit dhe masave të sigurisë sic e parashikon preraz ligji. Në këtë kuptim, çdo hyrje, çdo akses, çdo prani në atë ambient i nënshtrohet verifikimit dhe autorizimit sipas protokolleve përkatëse. Jo sipas dëshirës. Jo sipas bindjes politike, por sipas ligjit dhe vetëm ligjit.

Është shumë e rëndësishme të bëjmë një dallim thelbësor, që në këtë debat po tentohet të mjegullohet me qëllim e drejta për informacion nuk është e njëjtë me të drejtën për të qenë fizikisht i pranishëm kudo. Deputeti ka të drejtë të tij të plotë të kërkojë informacion, të ushtrojë kontroll parlamentar, të ngrejë çështje dhe të kërkojë përgjigje. Si në rastin konkret, kjo seancë dëshmon pikërisht të drejtën tuaj mbi bazë të statusit tuaj si deputet, në bazë të ligjit në fuqi. Por askund në ligjin për statusin e deputetit nuk thuhet se kjo e drejtë shndërrohet në një leje të pakufizuar për të hyrë në çdo aktivitet, në çdo ambient, në çdo moment. Sepse në një shtet serioz, të drejtat bashkëjetojnë me rregullat. Rregullat nuk përkulen përballë askujt.

Rasti konkret në Durrës nuk ka qenë një mbledhje e Këshillit Bashkiak, nuk ka qenë një proces vendimmarrës institucional, ku pjesëmarrja e deputetëve është e detyrueshme. Ka qenë një takim i organizuar në kushte të caktuara sigurie, në prani të një personaliteti të mbrojtur. Pikërisht për këtë arsye, Garda ka zbatuar protokollet e saj. Moslejimi i hyrjes nuk ka qenë një akt politik. Nuk ka qenë një qëndrim selektiv. Nuk ka qenë një vendim arbitrar. Ka qenë një masë sigurie. Një masë ligjore. Një masë e domosdoshme pikërisht për të gjitha arsyet që unë rendita. Kjo vetëm bazuar në ligj dhe në protokollet e Gardës së Republikës”, iu përgjigj Lamallari.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ PD: Krimi i infiltruar në polici! Lamallari: Baltosja politike e policisë cenon sigurinë kombëtare, vrasjet u ulën me 50%