PARIS - Sekretari amerikan i shtetit John Kerry njoftoi se nuk ka asnjë përparim në lidhje me krizën në Ukrainë, pas katër orë bisedime me homologun rus Sergei Lavrov, njofton BBC.
 
Megjithatë sekretari amerikan i shtetit John Kerry tha se Rusia kishte ripohuar angazhimin e saj për të gjetur një zgjidhje diplomatike në lidhje me krizën në Ukrainë, por se nuk kanë rënë dakord për të lëvizur trupat ruse nga kufiri ukrainas.
 
"Të dy bëmë sugjerime se si mund të gjendet një zgjidhje diplomatike. Unë do të kthehem në Uashington për t'u konsultuar me Presidentin Obama. Çdo përparim i vërtetë në Ukrainë duhet të përfshijë një tërheqje të trupave ruse përgjatë kufirit. Ne besojmë se këto forca janë duke krijuar një klimë frike dhe tensioni në Ukrainë. Kjo sigurisht nuk krijon klimën që ne kemi nevojë." tha Kerry në konferencën për shtyp në Paris.
 
Në fjalën e tij Kerry tha se i ka bërë me dije Lavrov se SHBA e konsideron aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë si të “paligjshëm”. Ai tha se kishte theksuar se asnjë vendim mbi të ardhmen e Ukrainës nuk mund të bëhet pa përfshirjen e Kievit.
 
Ndërkaq nga ana e tij ministri i jashtëm rus Lavrov nuk e ka komentuar kërkesën amerikane përsa i përket largimit të trupave ushtarake, duke insistuar në krijimin e një Ukraine Federale. 

"Me sekretarin e shtetit amerikan John Kerry, ramë dakort që nevojiten pika marrëveshje për të arritur në një zgjidhje diplomatike të krizës në Ukrainë. Moska është gati të bashkëpunojë bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me qeverinë e Kievit." është shprehur ministri i jashtëm rus Lavrov.
 
Lavrov tha se nuk lëvizin nga kërkesat e tyre për një shtet neutral dhe federal ukrainas, ndërsa ka përjashtuar kategorikisht ndonjë plan për invazion të mëtejshëm në Ukrainë. 

Siç njoftojnë mediat e huaja propozimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, parashikon tërheqjen e trupave ushtarake, dërgimin e vëzhguesve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave të minorancave dhe një dialog të ngushtë mes Moskës dhe Kievit, por gjithashtu edhe reformat konsistucionale për Ukrainën. 
 
Ky takim u organizua me propozim të John Kerry-t dhe u zhvillua në prag të mbledhjes së ministrave të jashtëm të NATO-s, ku në qendër të saj do të jetë kriza në Ukrainë.


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)