“Ju jap fjalën e burrit kryeministër, do të përmbush detyrën me integritet”, kjo ishte zotimi që Kryeinspektori i Përgjithshëm apo ish-deputeti i PD-së Dashnor Sula i bëri kryeministrit Edi Rama në takimin me të gjithë inspektorët e vendit. Pas largimit nga Partia Demokratike në zgjedhjet e 11 majit, ose siç thotë Sula, “pasi të vetët e hodhën në rrugë”, ai u emërua Kryeinspektor i Përgjithshëm.

Kryeministri Edi Rama ndau problemet që has sot institucioni i Inspektorit të Përgjithshëm, duke kërkuar ngritjen e një sistemi efikast dhe të digjitalizuar deri tek hartimi i një plani pune dhe tek drejtimi i duhur.

“Unë gjithmonë kam besuar se sistemi dhe përmirësimi është përgjigjja. Mund të ndërrojmë të gjithë njerëzit, po qe se sistemi nuk është i strukturuar si duhet dhe po qe se drejtimi nuk është i duhuri, përsëri biem në të njëjtat situata”, tha Rama.

Rama foli dhe për rekrutimin e inspektorëve duke vënë theksin tek merita dhe formimi profesional. Tjetër problematikë ishte dhe evidentimi i numrit të lartë të inspektimeve, një pjesë për të cilave Rama i konsideroi të panevojshëm dhe që krijojnë stres dhe presion.

“Një sistemi ri rekrutimi dhe karriere është i domosdoshëm. Kjo kërkon standard jetik të kualifikuar, sistemi i rekrutimit dhe karrierës të jetë i besueshëm. Duhet ta meritojë atë gjë që i jepet. Tjetra, është numri katastrofik i inspektimeve që bëjmë, është numër shumë i lartë. Jo inspektime në pafundësi, krijojnë stres, tension, rrëmujë. Përzgjidhen subjektet kot”, tha Rama.

Të gjitha porosive të kryeministrit, Dashnor Sula iu përgjigj me devotshmëri duke dalë garant për përmbushje të detyrës me integritet dhe përkushtim. Sula e nisi fjalën e tij me vlerësimin maksimal për kryeministrin Edi Rama, për vizionin dhe vlerësimin që ai i dha në një kohë kur “të vetët” referuar Partisë Demokratike, e hodhën në rrugë, siç tha ai.

“Kam pranuar këtë sfidë sepse ju vlerësoj maksimalisht për vizionin. Ndoshta është e pamundur që një demokrat për 20 vite në politikë, në një llogore tjetër, që ju e thatë me të drejtë, kritikuar, gjuajtur me gurë, por diferenca qëndron në një moment thelbësor dhe nuk kam turp; aty ku unë kam kontribuar, kam dhënë për 20 vite, dhe garën e fundit të më hedhin në rrugë qeveria jote, mora kurajon, konkurrova, dola i pari dhe u vlerësova. Kjo është diferencë”, tha Dash Sula.

Në takimin e sotëm i ulur krah Ramës, Sula nuk i shpëtoi as batutave të kryeministrit, për të shkuarën në parlament.

“Kjo është edhe një sfidë personale, se edhe mua nuk më ka kursyer në parlament, tani të shohim si do ti bëjë detyrat për të cilat nuk na ka lënë gjë pa thënë ne”, i tha Rama.

Rama gjithashtu i tha se tashmë detyrë e Dashnor Sulës është të adresojë të gjitha problematikat që me të madhe i ka bërtitur në parlament.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:54
‘Dua një sfidë’, Rama zbulon bisedën me Dash Sulën: Kush beson te vetja duhet ta vërë në provë çdo dyshim dhe paragjykim

 

 

Kryeministri Edi Rama tha se pati një takim me Dashnor Sulën, i cili tanimë është Kryeinspektori i Përgjithshëm.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Sulën dhe ministren e Financave, Delina Ibrahimaj, Rama deklaroi se Sula i kishte kërkuar një sfidë dhe iu përgjigj duke i thënë që të konkurronte për konkursin për kryeinspektor.

“Besoj që do jetë shumë e rëndësishme për të nesërmen, që nga pozita e kryenispektorit, të bëhen marrëveshje me univseristetet, që profesionalizimi të garantohet sipas çdo fushe, jo një që ka mbaruar agronomi, të bëjë inspektime për një fushë që nuk është e tij dhe anasjelltas. Vendosja në një kalendar e trajnimeve, e shoqëruar me një sistem bonusesh financiare, për t’i vlerësuar më të mirët, do jetë shtysë e mirë dhe një garanci, për të testuar përmbajtjen e burimeve njerëzore të inspektoriateve dhe si garanci. Ne patëm një takim edhe ajo që u shtrua nga zoti Sula ishte, dua një sfidë dhe dua të më sfidosh dhe të të sfidoj. Unë i thashë filloje nga konkursi për kryeinspektor të përgithshëm. Kush beson te vetja dhe mundësia e një karriere, çdo dyshim dhe paragjykim duhet ta vërë në provë. Rekrutimi i inspektorëve të jetë i garantuar për këdo, pavarësisht se nga vjen. Kjo është shumë e rëndësishme, nuk mund të jetë ndryshe nëse duam të kapim ato standarde për t’u futuar në BE. E dimë shumë mirë nga historia e vendeve, kanë hequr të zezat e ullirit me sigurinë ushqimore. Kroacia ka bërë punë titanike. Nuk është vetëm inspektimi, por inspektimi është kyç.", tha Rama.

Ora 11:51
Dash Sula i jep fjalën e burrit Ramës: Zoti kryeministër ju vlerësoj për vizionin! Atë që më dhe ti, s’ma dha partia ime! Ata më hodhën në rrugë

 

Kryeinspektori i Përgjithshëm dhe ish-deputeti i PD, Dashnor Sula shprehu vlerësimin maksimal për kryeministrin Edi Rama për vlerësimin që ai i bëri dhe që partia, të cilët i shërbeu për 20 vite, nuk ia dha në zgjedhjet e 11 majit, siç tha vetë Sula. Sula i garantoi kryeministrit se do të përmbushë për përkushtim dhe integritet detyrën që i është ngarkuar.

“Kam pranuar këtë sfidë sepse ju vlerësoj maksimalisht për vizionin. Ndoshta është e pamundur që një demokrat për 20 vite në politikë, në një llogore tjetër, që ju e thatë me të drejtë, kritikuar, gjuajtur me gurë, por diferenca qëndron në një moment thelbësor dhe nuk kam turp; aty ku unë kam kontribuar, kam dhënë për 20 vite, dhe garën e fundit të më hedhin në rrugë qeveria jote, mora kurajon, konkurrova, dola i pari dhe u vlerësova. Kjo është diferencë.

Kryeministër, unë ju garantoj sot këtu dhe ditën e parë të këtij prezantimi, që unë 3 gjëra i kam të panegociueshme: në radhë të parë do të kenë të gjithë përkushtimin tim. E dyta, ju garantoj për integritetin tim dhe të gjithë trupës që nuk pretendoj që gjithçka do të jetë mrekulli, por do të ketë një përmirësim të dukshëm. Drejtësi do të ketë, kryeministër, dhe do të krijojmë një frymë pozitive. Sfida që na ka vënë përballë është digjitalizimi i sistemit dhe ndërtimi i një sistemi dhe jo në kuturu. Ashtu siç unë, me të gjitha kërkesat e ligjit, u rekrutova në bazë të një konkurrimi, nga i pari tek i fundit do të fillojmë dhe, në një moment të afërt, të verifikojmë çdo inspektor që të jetë në pozicionin e duhur dhe me kualifikimin e duhur. Ajo sfidë që më keni hedhur, do ta përmbushim së bashku me të gjithë. Të jap fjalën e burrit”, tha Dashnor Sula.

Ora 11:36
'Nuk më ka kursyer në Parlament', Rama i drejtohet Dash Sulës: Ta shohim si do e bësh detyrën e Kryeinspektorit të Përgjithshëm

Kryeministri Edi Rama thotë se Dashnor Sula, i cili është Kryeinspektor i Përgjithshëm, nuk e ka kursyer në parlament, kur ishte deputet i PD-së.

Rama i tha Sulës se tani do shihet sesi do e bëjë detyrën.

Ndër të tjera, kryeministri inspektorët nuk duhet të dalin në terren si gjahtarë, por të kenë një plan pune.

Sipas kreut të qeverisë, inspektimet duhet të kryhen mbi bazën e riskut. Rama shtoi se një sistem i ri i ri rekrutimi dhe karriere është i domosdoshëm.

"Kjo është edhe një sfidë personale, se edhe mua nuk më ka kursyer në parlament, tani të shohim si do t'i bëjë detyrat për të cilat nuk na ka lënë gjë pa thënë ne. Këtë e them me sinqeritet. Të kalosh nga teoria tek praktika e punës është si të kalosh nga poezia tek romani. Gjithsesi, disa gjëra duhet t’ia vëmë vetes detyrë, nuk bën sens që inspektorët mos të kenë përpara planin e punës dhe të mos përgjigjen për planin e punës, por të dalin si gjahtarë në drejtime të ndryshme për të kapur ndonjë gjë. Kjo nuk është mënyrë si funksionon. Ka ardhur koha që ne të mos veprojmë në nivelin e inspektimit, me befasira. Sipërmarrja lajmërohet, i parashtrohet programi tematik i inspektimit. Qëllimi ynë është të vetëkorrigjohen edhe kur janë gabim. Tjetra që është barrë e inspektoriatit është të racionalizojmë vizitat në dyert e biznesit. Nuk mundet sipërmarrja të harxhojë kohë për lloj loj inspektimesh. Të gjithë janë të kontrollueshëm, por nuk mund të sulmohen me çfarë inspektimesh. Ikën njëri, vjen tjetri.

Një sistem i ri rekrutimi dhe karriere është i domosdoshëm. Kjo kërkon standard jetik të kualifikuar, sistemi i rekrutimit dhe karrierës të jetë i besueshëm. Duhet ta meritojë atë gjë që i jepet. Tjetra, është numri katastrofik i inspektimeve që bëjmë, është numër shumë i lartë. Jo inspektime në pafundësi, krijojnë stres, tension, rrëmujë. Përzgjidhen subjektet kot. Forcat e inspektimit duhet të bazohen tek risku, çfarë po kërkojmë të arrijmë. Jo, hapim derën dhe futemi ne. Mbi bazë risku. Tjetra, që ka shumë rëndësi, është harmonizimi me tatimet. Tatimet kanë proceset e tyre, por nuk duhet t’i mbivendosen të tjerët.

Digjitalizimi, këtu ka shumë potencial për të çuar në një nivel tjetër nivelin e inspektimit dhe për të rritur besueshmërinë dhe për të ndihmuar sipërmarrjen. Sipërmarrja vuan konkurrencën e pandershme, vuan siutata për të cilat ka nevojë për shtetin, ka nevojë për një trupë inspektimi dhe i duhet dhënë kjo mundësi Unë besoj se reforma është e duhura, legjislacioni është i duhuri,", theksoi Rama.

Ora 11:34
Rama – Dash Sulës: Ke për detyrë të adresosh çfarë ke thënë në parlament! Na duhet një sistem i mirë dhe drejtues të aftë

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me drejtuesit e inspektoriateve të vendit me në krye ish-deputetin e PD-së Dashnor Sula. Rama foli për nevojën e një sistemi të ri përsa i përket funskionimit të inspektoriateve dhe një drejtimi të duhur.

Rama iu drejtua Sulës duke i kujtuar dhe të thënat në parlament kur ishte pjesë e PD-së, me qëllimin për t’i adresuar.

“I uroj punë të mbarë kryeinspektorit. Është një moment i rëndësishëm i kësaj reforme sepse pasi kemi kapërcyer fazën e parë që pati shumë nevojë për parapërgatitje për të studiuar modelet dhe për të krijuar një lloj bindjeje tek të gjithë se ishte një domosdoshmëri të kapërcehej skema organizative e të shkuarës, tani do të kalojmë në fazën e zbatimit të thelluar të reformës. Do të shoqërohet me fillimin e punës për të ndërtuar kompleksin e ri të inspektoriateve që do të krijojë kushte optimale për të mbledhur të gjithë inspektoriatet.

Një gjë është e sigurt, deri tani ne nuk mund të themi se me inspektimin kemi bërë progresin e nevojshëm. Mbetet një problem në gjithë mekanizmin e funksionimit të shtetit, në organizim, në mendësi dhe në hendekun midis shërbimit dhe pengimit të atyre që duhet të shërbehen. Në vend që të shërbehen, të abuzohen. Unë gjithmonë kam besuar se sistemi dhe përmirësimi është përgjigjja. Mund të ndërrojmë të gjithë njerëzit, po qe se sistemi nuk është i strukturuar si duhet dhe po qe se drejtimi nuk është i duhuri, përsëri biem në të njëjtat situata.

Vjen nga një karrierë politike, por më parë ka qenë një protagonist në sistemin e drejtësisë. Ka gjithë formimin e nevojshëm për të ndjekur këtë punë, pasi formimi juridik është i rëndësishëm. Ka dhe sfidën që të gjitha ato që ka thënë në parlament t’i adresojë”, tha ndër të tjera Rama.

K.B/A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Rimi: 13/02/2026 13:57

    Po dashi sikur do hikte jashte shtetit pergjithmone po te fitonte prap edi rama !!

    Përgjigju
  • Eee: 13/02/2026 13:26

    Rama po begenis të huajt, kundërshtarët dhe ka braktisur të vetët. Më rrih të të dua, i thonë kësaj pune.

    Përgjigju
    • Arben: 13/02/2026 17:53

      I ka ne xhep te vetet! Nje pjese e mire e ketij populli nuk kupton se cfare eshte pluralizmi dhe demokracia! Jane fanatike dhe do ta pesojne rende ne kete sistem ne qofte se lidhen me fanatizem per nje parti! Sa me vone ta kuptojne aq me thelle do u hyje palla e sistemit!

  • toma: 13/02/2026 13:04

    Bravo Dash, oportunist. Ti e paske kuptuar si funksionon politika ne Shqiperi...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 10 Shkurt, 10:30

    Haga kërkon dënimin me 180 vite burg për ish-krerët UÇK, si e vlerësoni?