Takimi me liderët e Prishtinës, komisioneri i BE-së Varhelyi vlerëson qëndrimet e Kosovës kundër Rusisë! Dialogu Kosovë-Serbi drejt hapave të suksesshëm

Takimi me liderët e Prishtinës, komisioneri i BE-së Varhelyi vlerëson qëndrimet e Kosovës kundër Rusisë! Dialogu Kosovë-Serbi drejt hapave të suksesshëm

Oliver Varhelyi

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, gjatë vizitës së tij në Kosovë të enjten tha se porosia e qartë që vjen nga Kosova është se vendi është shumë i përkushtuar sa i përket përafrimit me Bashkimin Evropian.

“Ju keni treguar zotimin tuaj jo vetëm me fjalë por edhe duke na bashkuar me qëndrime të qarta sa i përket qëndrimit tonë rreth agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës”, tha Varhelyi, por shtoi se Kosovës i duhet të përshpejtojë zbatimin e reformave në drejtësi dhe të përmirësojë zbatimin e kornizave ligjore.

Në konferencën e përbashkët për media me presidenten Vjosa Osmani, komisionari evropian bëri gjithashtu thirrje që të shftytëzohet momentum dhe të respektohen të gjitha marrëveshjet e arritura me Serbinë.

“Mendojmë që është bërë progres në vitin e kaluar. Tash është e domosdoshme që të dyja palët t’i ofrojnë dhe t’i zbatojnë të gjitha obligimet pa vonesa, sepse duhet ta shfrytëzojmë momentumin. Të ecim para me zbatimin e marrëveshjes sa më parë dhe të zbatohen pa kushte”, tha ai, duke cituar konkluzat e Këshillit Evropian ku thuhet se të dyja palët nxiten që t’i zbatojnë plotësisht dhe pa kushte të gjitha obligimet për të cilat janë zotuar.

“Ne nga ana jonë jemi të gatshëm për të ofruar programin e investimeve, nga i cili do të përfitojnë të gjithë përmes një dialogu të suksesshëm”, Varhelyi.

Në anan tjetër, Osmani tha se ndonëse ka shumë punë për t’u bërë, përkushtimi i Kosovës për të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për t’u afruar me Bashkimin Evropian mbetet i palëkundur.

“Në këtë frymë, edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian është një rikonfirmim angazhimi i punës tonë të përditshme. Mbi të gjitha është rikonfirmim i orientimit tonë euro-atlantik”, tha presidentja duke shtuar se vendi është në bashkërendim me BE-në sa i përket mbështetjes së popullit ukrainas dhe vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë.

Vizita e Varhelyit në Kosovë shënon fillimin e një programi të përbashkët mes BE-së dhe Kosovë për forcimin e ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Komisioni Evropian ka njoftuar se ky program i BE-së, i financuar me 6.5 milionë euro, do të zbatohet në një periudhë kohore prej tre vjetësh, me mbështetjen e Francës, Italisë dhe Belgjikës dhe ka për qëllim të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe do të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar.

Presidentja Osmani tha se Kosova mirëpret iniciativa të tilla.

“Në këto përpjekje të përbashkëta, BE-ja e ka përkushtimin tonë të plotë, prandaj mirëpresim iniciativa të ngjashme edhe në vazhdim”, tha ajo.

Sikurse për të gjitha shtetet që janë në procesin e zgjerimit të BE-së, ashtu edhe për Kosovën sundimi i ligjit, reformat në drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë identifikuar si fushat kryesore që do të merren parasysh nga BE-ja në vlerësimin e gatishmërisë së këtyre shteteve për përparim drejt integrimit evropian.

Më 15 dhjetor të vitit 2022, Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.REL 

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda