Sot ishte një ditë e shënuar sepse një mik i shtrenjtë i yni, por edhe një kryeministër që është kthyer në një pikë referimi për ne dhe shumë të tjerë si ne, për arsye të suksesit në ekonomi, kryeministri i Rumanisë erdhi të na vizitojë. Por jo vetëm për atë që përfaqëson Viktor Ponta, por dhe për atë që përfaqëson kryeministri i Rumanisë, ne jemi sot më se të lumtur që ta kemi mes nesh se bashku me delegacionin, si përfaqësinë e një vendi me të cilin na bashkon një histori e gjatë dhe e një vendi që ka një pozicion të posaçëm në spektrin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë.
Rumania është një vend mik me të cilin na lidh historia dhe na lidh kultura. Janë të shumtë emrat e njohur emrat familjarë për shqiptarët që dëshmojnë këtë lidhje të thellë dhe të vjetër historike dhe kulturore me Rumaninë. Nëse ju flet shqiptarëve për Jorgon, për Emineskun, për Cezareskun, flet për emra shumë familjarë. E nga ana tjetër të gjithë e dimë se çfarë influence pati Rumania tek Asdreni, tek Lasgush Poradeci, tek Dora D’istria e me radhë. Nga ana tjetër jo më pak me rëndësi është lidhja që kanë garantuar në vite me Rumaninë, studentët që shkojnë e vijnë mes vendeve qysh në vitet ’30, por dhe shumë studentë shqiptarë që gjatë gjithë këtyre viteve kanë studiuar dhe vazhdojnë të studiojnë në Rumani. Edhe në delegacionin shumë të ngushtë mikpritës ne kishim dy të tillë.
Folëm me kryeministrin për domosdoshmërinë e forcimit të marrëdhënieve në të gjitha planet. Forumi ekonomik mes Shqipërisë dhe Rumanisë i zhvilluar së fundi, është për ne një hap pozitiv, por kërkon me patjetër një shtysë të fortë dhe të dyanshme për të rritur shifrat e bashkëpunimit tonë ekonomik. Rumania është për ne një pikë referimi, po ashtu si një vend anëtar i BE, prej të cilit kemi shumë për të mësuar nga eksperienca në rrugën e integrimit evropian.
Kryeministri Ponta me shumë zemërgjerësi na ka ofruar që të bëhemi pjesë e eksperiencës duke bërë një shkëmbim në nivel ekspertësh në fushën e integrimit evropian. Një nga çelësat e suksesit ekonomik të qeverisë së Viktor Pontës është zhbllokimi pikërisht i shumë fondeve të lidhura me BE. Padyshim, që eksperienca rumune dhe ekspertiza rumune në këtë drejtim, do të jetë dhe për ne një mbështetje e fortë që të përfitojmë në mënyrë sa më të strukturuar dhe sa më efikase nga instrumentet e integrimit evropian. Një tjetër histori suksesi në Rumani është lufta me krimin e organizuar dhe, edhe në këtë drejtim pa asnjë dyshim, ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur që na ofrohet një ndihmë e drejtpërdrejtë për të rritur më tutje cilësinë e kapitalit njerëzor, që është në Policinë e Shtetit dhe që merret drejtpërdrejtë me krimin e organizuar.
Përpara se t’i jap fjalën me shumë kënaqësi mikut tonë dhe mikut tim të shtrenjtë, dëshiroj që të them diçka shumë të rëndësishme në fund. E lashë në fund sepse për mua është gjëja më e rëndësishme e këtij takimi.
Duke i shprehur në tërësi mirënjohjen për të gjithë mbështetjen e jashtëzakonshme që na ka dhënë qeveria rumune dhe kryeministri, qoftë në procesin e integrimit, qoftë në gjithë procesin e ndërtimit të konceptit të programit dhe të rrugës sonë qeverisëse, në të njëjtën kohë edhe aleatë të familjes socialiste evropiane, dua t’i shpreh mirënjohjen në emër të të gjithë shqiptarëve për pozicionin e tij në raport me Kosovën. Qëndrimi i kryeministrit është një qëndrim që na jep një shpresë të madhe dhe të plotë, se në një kohë jo të largët edhe Rumania do t’i bashkohet familjes së vendeve që e kanë njohur plotësisht Kosovën. Ndërkohë që, mbështetja që qeveria rumune i ka dhënë çdo procesi që ka të bëjë me përmirësimin e cilësisë së jetës dhe të marrëdhënieve të Kosovës në nivel institucionesh financiare, ndërkombëtare apo institucionesh të tjera, meriton një falenderim të veçantë.
Është kënaqësi e shumëfishtë që kemi pritur sot edhe një nip nga Voskopoja dhe jemi të gatshëm për t’ju përgjigjur pyetjeve.
Redaksia online