Takimi për dinarin në Bruksel, Bislimi: Serbia ende refuzon të zbatojë marrëveshjet

Takimi për dinarin në Bruksel, Bislimi: Serbia ende refuzon të zbatojë marrëveshjet

Sot, kur në Bruksel mbahet takimi për çështjen e dinarit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi akuzoi Serbinë se po vazhdon të refuzojë që ta zbatojë Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve, një vit pas arritjes së saj.

Bislimi tha se Serbia “shantazhoi dhe kërcënoi serbët” që të bojkotonin zgjedhjet lokale në veri prillin e vitit të kaluar, e akuzoi për sulm të institucioneve pas marrjes së detyrës së kryetarëve të rinj shqiptarë në veri dhe protestat e dhunshme në maj të vitit të kaluar. Ai po ashtu përmendi sulmin e armatosur të kryer nga një grup serbësh ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, për të cilin Kosova e fajëson Serbinë, por Beogradi mohon se nuk ka gisht në të.

“Ende pa zbatim të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit. Kur do të duhej të ishim në rrugën e drejtë të zbatimit të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes së Brukselit, shënojmë një vit nga dita kur u dakordua ajo, dhe Serbia ende refuzon ta nënshkruajë e rrjedhimisht dhe zbatojë marrëveshjen. Përkundrazi, përgjatë kësaj periudhe një vjeçare jemi përballur me shkeljet e Serbisë, eskalimet e saj në terren, refuzimin verbal dhe zyrtar të marrëveshjes dhe qasjes së vazhdueshme destruktive.

Me 27 shkurt në Bruksel, me 18 mars në Ohër, me 14 shtator në Bruksel, me 26 tetor në Bruksel, me 8 shkurt në New York, plot pesë herë u ofrua dhe publikisht nënshkrimi i marrëveshjes, por u refuzua. Përtej kësaj, Serbia ka shkelur tetë nene të Marrëveshjes Bazike, preambulën e saj dhe nene të Aneksit Implementues.

Pas dakordimit të Brukselit dhe Ohrit, shantazhuan e kërcënuan serbët e Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale të prillit, sulmuan një muaj më pas institucionet tona, KFOR-in dhe gazetarët, rrëmbyen brenda territorit tonë tre zyrtarë policorë, sulmuan veriun e shtetit tonë me 24 shtator në aktin e agresionit të Banjskës, afruan trupat ushtarake përreth kufirit tonë dhe si kërcënim i qartë dhe i hapur deklaruan se nuk do ta njohin sovranitetin e integritetin territorial të Republikës së Kosovës, si dhe zyrtarisht me shkrim konfirmuan refuzimin e Marrëveshjes së Brukselit përmes letrës së kryeministres Brnabiq në dhjetor.

Në vetëm një vit, të gjitha këto akte e sjellje, dëshmuan se Serbia po e pengon fuqishëm avancimin në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve e njohjes reciproke. Kosova nga ana e saj, qëndron konstruktive dhe e angazhuar në këtë rrugëtim, në zbatimin e plotë, të drejtë e pa kushte të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues, përmes një plani të sekuencimit të balancuar mes palëve. Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i saj Implementues, duhet të zbatohen sa më parë. Rajoni ka nevojë për zhvillim e prosperitet, harmoni e marrëdhënie të mira fqinjësore mes të gjitha shteteve të rajonit”, shkroi Bislimi në Facebook.

Më 27 shkurt 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes. Marrëveshja nuk është nënshkruar, por Bashkimi Evropian – që ndërmjetëson procesin e dialogut mes Kosovës – tha se ajo është ligjërisht e obligueshme për palët.

Bislimi, që është kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë, tha se Kosova është e përkushtuar për zbatimin e “plotë, të drejtë e pa kushte” të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të saj.


Lajmi kryesor:

Heqja e dinarit serb, Lajçak takon delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel!


SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Alarm në Greqi, ujërat e zeza të Athinës të ‘mbingopura’ me kokainë! Dyfishohet konsumi i drogës gjatë festave, ulet niveli i COVID-it

Alarm në Greqi, ujërat e zeza të Athinës të ‘mbingopura’ me kokainë! Dyfishohet konsumi i drogës gjatë festave, ulet niveli i COVID-it