Takimi PS-LSI, Ruçi: Koalicioni
 po funksionon mjaft mirë

Takimi PS-LSI, Ruçi: Koalicioni<br /> po funksionon mjaft mirë
Njësia e përbashkët e koordinimit mes PS-së dhe LSI-së është rikthyer dje pas një mungese të gjatë për shkak të axhendave jashtë vendit të kryeministrit të vendit Edi Rama dhe kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Ata u takuan dje të shoqëruar dhe nga Gramoz Ruçi, Saimir Tahiri e Petrit Vasili. Interesit të medias nëse janë sheshuar mosmarrëveshjet brenda palëve politike, kryetari i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi ju përgjigj se koalicioni funksionon mjaft mirë. “Siç edhe e thashë, tryeza e koalicionit funksionon në mënyrën më të mirë të mundshme.

Nuk patëm asnjë debat të këtij karakteri që folët ju, sigurisht dhe prezenca e të dy kryetarëve, si ajo e z.Vasili dhe e imja, para jush tregon më së miri raportin e koalicionit. Kështu që megjithëse jashtë nesh mund të kërkohet që të ketë divergjenca mes PS dhe LSI por që për fat të mirë nuk ka”, - tha ai. Palët bënë me dije se thelbi i tryezës ishte reforma në drejtësi, ndaj ata i bënë thirrje opozitës që të votojë këtë reformë dhe të mos humbet më kohë. “Takimi i sotëm analizoi punën dhe veprimtarinë e reformave të mazhorancës.

Në thelb të diskutimit ishin dy reformat kryesore që dihen tashmë, reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore. Mazhoranca mbështet veprimtarinë e deritanishme të dy komisioneve respektive, pra të drejtësisë dhe të reformës zgjedhore, i përshëndet për punën e tyre. Mazhoranca është e dakordësuar absolutisht në të gjitha drejtimet, gjithashtu i bëjmë thirrje opozitës që të fitojë kohën e humbur, veçanërisht për reformën në drejtësi, me qëllim që dita e diskutimit dhe miratimit në sallën e Parlamentit të jetë sa më e shpejtë”-tha Ruçi. “Bashkëndamë sigurisht në mënyrë të plotë një vizion të njëjtë edhe për qasjen ndaj reformës në drejtësi, që hyn në një moment do të thosha përfundimtar, pasi nuk kemi luksin të humbasin kohë më tej me momente të shkuara”-tha Vasili.

Sa i takon draftit të fundit të paraqitur nga opozita për këtë reformë, LSI fton që ajo të lexohet pa paragjykime, ndërsa PS shprehet se nuk njihet me përmbajtjen e tij.

“Qëndrimi i mazhorancës është të jemi aty që kjo reformë të mbyllet sa më parë. Së dyti të dëgjojmë pa paragjykime se çfarë thotë opozita dhe sigurisht të reflektojmë ato që ekspertët e OPDAT-it dhe EURALIUS-it do të gjejnë me vend, pasi ata i kemi pranuar të gjithë së bashku si gjykuesit më të mirë. Dhe pas kësaj të mos humbasim më kohë tjetër as me takticizëm politik të opozitës dhe as me veprime të tjera, pasi produkti final që shqiptarët presin, por edhe hapat e mëtejshëm të integrimit na kushtëzojnë, është pikërisht miratimi i kësaj reforme”,-tha Vasili.

“Nuk jemi në dijeni të këtij drafti. Opozita është prezente në tryezën e komisionit, sigurisht çdo propozim i opozitës është pritur me luajalitetin më të madh nga anëtarët e komisionit të mazhorancës. Të gjitha opsionet janë në tryezën e diskutimit të këtij komisioni. Tashmë që kemi verdiktin e dhënë nga Komisioni i Venecias, ashtu sikurse edhe ai i dy partnerëve ndërkombëtarë siç janë SHBA dhe Bashkimi Europian, mendoj që tryeza e Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi duhet ti diskutojë të gjitha opsionet që janë në tavolinë”,- tha Ruçi.
 
Blushit
“Nuk kishte të bënte me ndonjë denoncim pasi ka organe përkatëse ku bëhen denoncimet. Unë nuk dëgjova, nga ato që lexoi z. Blushi, kërcënimin. Dëgjova një komunikim me sms midis dy të zgjedhurve, njëri në pushtetin vendor dhe tjetri në pushtetin qendror për një problem personal të tyrin”-tha Ruçi.

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

SHBA, akuza për ryshfet ndaj ligjvënësit Henry Cuellar

SHBA, akuza për ryshfet ndaj ligjvënësit Henry Cuellar