Në orët e pasdites të sotme pati një takim mes dy krerëve të grupeve parlamentare, Astrit Patozit të Partisë Demokratike dhe Gramoz Ruçit të Partisë Socialiste.
Sipas njoftimit në faqen zyrtare të Kryeministrisë, Ruçi ka kërkuar mes të tjerash që në axhendën e këtij takimi nuk mund të mos përfshihej edhe diskutimi i çështjes së Fierit.
Menjëherë reagoi kryeministri Berisha i cili rideklaroi se Fieri është pretekst, i cili sipas tij përdoret nga kryesocialisti Rama për të bllokuar statusin. Ndërkaq, disa momente më vonë, në reagimin e tij, Rama thotë se refuzimi për të disatën herë tregon sipas tij se Kryeministri nuk do zgjidhje, por "do të gjej justifikim pse nuk e merr dot statusin."
RAMA: BERISHA DO TE THEMI ATE DO AI AI, "E PADEGJUAR"
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka reaguar menjëherë pas deklaratave të kryeministrit Berisha së nuk do të diskutojë çështjen e Fierit, edhe pas takimit që dy krerët e grupeve parlamentare, Ruçi dhe Patozi zhvilluan pasditen e sotme.
Rama tha se me mungesën e ballafaqimit Berisha nuk e do zgjidhjen. Ai thekson se Fieri në fakt nuk është peng i opozitës, ashtu siç shpesh ka deklaruar kryeministri, por se “Saliu e mban peng dhe pse refuzon të ballafaqojë argumentet për gjetjen e zgjidhjes! Që nesër të thotë: Fajin e ka opozita.” “Përsëri i them:Takohu me opozitën dhe të ballafaqohemi. Edhe në sytë e shqiptarëve po të duash. Ti bishtnosh ballafaqimit domethënë s’do zgjidhje.”, tha Rama.
Nëpërmjet profilit në Tuitter, Rama shkruan ndër të tjera se deklaratat refuzuese të kryeministrit shprehin mungesë të vullnetit për të dalë nga situata me dialog. “Deklarata refuzuese e kryeministrit për takim nesër, shprehje e mungesës totale të vullnetit për të dalë nga situata me dialog e mirëkuptim!”
Sipas kryesocialistit refuzimi i Kryeministrit vjen për faktin që të gjejë justifikim pse s’e merr dot statusin. “Kryeministri refuzon kërkesën e opozitës për ta kërkuar zgjidhjen përmes dialogut, sepse s'do votat e opozitës po justifikimin pse s'merr dot statusin!”, shkruan Rama në Tuitter.
Rama shkruan se deklarata e kryeministrit për tu takuar e për të diskutuar vetëm për ligjet dhe jo për Fierin “është e padëgjuar”. “Kryeministri: “Takohem në çdo orë po jo vetëm unë do them atë që dua unë, po edhe opozita duhet të thotë atë që dua unë të thotë!”. E padëgjuar!”, -shkruan kryesocialisti.
BERISHA: S'I DISKUTOJ VENDIMET E GJYKATAVE, FIERI PRETEKST I RAMES
Kryeministri Berisha, në një reagim lidhur me takimin mes krerëve të grupeve parlamentare, këmbënguli se do të takojë Partinë Socialiste për të diskutuar vetëm për tre ligjet që presin votimin në Parlament, propozimet dhe amendimet e tjera duke mos iu referuar në asnjë moment ccështjes së Fierit.
Ai akuzon sërish kryesocialistin Rama se e përdor Fierin si pretekst për të bllokuar integrimin. “Zoti Rama vazhdon të përdorë Fierin për të bllokuar votimin e tre ligjeve dhe statusin e vendit kandidat. Këto ligje dhe votimi i tyre nuk kanë asnjë lidhje me një çështje lokale, e cila përdoret si pretekst prej tre muajsh, nga kryetari i Partisë Socialiste për bllokimin e votimit të tyre. Mesa duket me qëllimin e vetëm për të mos lejuar grupin e tij parlamentar për të votuar këto ligje, sipas kërkesës së Komisionit Evropian në mënyrë që Shqipëria të marrë mbështetje për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.”, thuhet në faqen zyrtare të Kryeministrisë.
Duke iu referuar sërish çështjes së Fierit, Berisha theksoi më tej se nuk do diskutojë vendimet e gjykatave në tryeza politike. “Kryeministri ka qenë dhe mbetet i gatshëm për zbatimin e propozimit të tij të mocionit në Këshillat e Komunave e Bashkive për këshilltarët e Qarkut të Fierit, si zgjidhja e vetme politike dhe ligjore e mundshme, pa ndërhyrje në vendimet e gjykatave.”, thuhet në njoftim.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)