Ministria e Mjedisit ka hedhur për konsultim publik  projektvendimin “Për miratimin e programit kombëtar të parandalimit të krijimit të mbetjeve”.

Ky projektvendim synon edhe zbatimin e parimit “Paguaj sipas hedhjes”, i cili ofron nxitje ekonomike në reduktimin e mbetjeve, duke inkurajuar qytetarët të riciklojnë më shumë dhe të reduktojnë krijimin e mbetjeve.

Sistemi PAYT, konsiderohet një nga instrumentet ekonomikë më efektivë për reduktimin e mbetjeve dhe promovimin e konsumit të përgjegjshëm.

Zbatimi i tij mundëson vendosjen e tarifave të balancuara të mbetjeve bashkiake, sipas të cilit çdo familje ose biznes, paguan sipas sasisë aktuale të mbetjeve të gjeneruara, në vend të një tarife fikse. Në këtë mënyrë, familjet dhe bizneset do të nxiten të ndajnë sa më shumë mbetje të riciklueshme të jetë e mundur (për të cilat nuk do të paguajnë) dhe do të paguajnë një tarifë mbetjesh vetëm për mbetjet e mbetura të përziera.

Zbatimi i PAYT kërkon ndryshime thelbësore si në mënyrën e ndarjes së tarifave të mbetjeve bashkiake midis  familjeve dhe bizneseve ashtu dhe në sistemin e grumbullimit të mbetjeve bashkiake.

Modeli i grumbullimit në pika të përbashkëta duhet të zëvendësohet gradualisht  me përdorimin e koshave/kontejnerëve individualë duke mundësuar matjen e sasisë së mbetjeve për familje dhe subjekte biznesi.

Paralelisht me zhvillimin e modeleve për grumbullimin e mbetjeve, Ministria e Mjedisit do të iniciojë ndryshimet e nevojshme ligjore për adoptimin e sistemit PAYT duke mundësuar zbatimin e tarifave të bazuara në peshë dhe/ose vëllim për shërbimet bashkiake të menaxhimit të mbetjeve. Bashkitë do të fillojnë të aplikojnë tarifimin PAYT për familjet dhe subjektet e biznesit, jo më vonë se viti 2029.

Ky projektvendim synon gjithashtu promovimin e parandalimit të mbetjeve si një mjet për të shkëputur rritjen ekonomike nga gjenerimi i mbetjeve dhe për të përshpejtuar tranzicionin e Shqipërisë drejt një ekonomie qarkulluese më efikase në përdorimin e burimeve.

Gjithashtu ky projektvendim ka për qëllim të ulë sasinë e mbetjeve të gjeneruara dhe atyre që hyjnë në sistem, si dhe të reduktojë ndikimet e mundshme në shëndetin publik dhe në mjedis, të shkaktuara nga krijimi dhe menaxhimi i pakontrolluar i mbetjeve.

Masat e parashikuara në PKPM mbështesin tranzicionin nga ekonomia lineare drejt një ekonomie qarkulluese, më të qëndrueshme dhe më efikase në përdorimin e burimeve.

Përmes një kuadri të qartë veprimesh dhe një qasjeje të strukturuar e të koordinuar në drejtim të parandalimit, programi siguron kushtet e nevojshme për zbatimin efektiv të objektivave të përcaktuara në legjislacionin e BE-së, të cilat kërkojnë gjithashtu raportim periodik dhe rezultate të matshme.

Në këtë kuadër, miratimi i programit përbën një hap thelbësor për përmbushjen e angazhimeve të vendit tonë  në procesin e integrimit europian dhe për forcimin e standardeve kombëtare në fushën e menaxhimit të mbetjeve.

Përfitimet e këtij projektvendimi lidhen drejtpërdrejt me ngritjen e një ekonomie më të qëndrueshme, ulje të konsumit të burimeve, rritje të qarkullueshmërisë dhe përmirësim të zinxhirit të menaxhimit të integruar të mbetjeve.

Pavarësisht nismave të ndërmarra nga shoqëria civile dhe institucione të ndryshme, niveli i ndërgjegjësimit dhe përfshirja e publikut në parandalimin, ndarjen dhe riciklimin e mbetjeve mbetet ende i ulët.

Mungesa e një angazhimi të qëndrueshëm qytetar dhe niveli i pamjaftueshëm i edukimit mjedisor vazhdojnë të mbeten ende sfida kryesore. Kjo tregon nevojën për qasje më të strukturuara, programe edukimi afatgjata dhe politika që nxisin pjesëmarrje aktive dhe të informuar të komunitetit.

Zbatimi i PKPM pritet të sjellë përmirësime të dukshme në menaxhimin e mbetjeve, duke adresuar mangësitë e identifikuara në kuadrin aktual. Programi do të kontribuojë në uljen e sasisë së mbetjeve të gjeneruara, në reduktimin e mbetjeve që dërgohen në landfill dhe në rritjen e nivelit të riciklimit dhe ripërdorimit, duke e orientuar ekonominë drejt qarkullueshmërisë.

Efektet pozitive do të shtrihen edhe në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik, pasi parandalimi i mbetjeve dhe menaxhimi më i mirë i rrymave prioritare reduktojnë ndotjen dhe ndikimet e dëmshme në komunitet. Njëkohësisht, programi do të forcojë bashkëpunimin ndërinstitucional, duke e bërë sistemin më koherent dhe efektiv.

Gjithashtu, PKPM pritet të nxisë inovacionin dhe zhvillimin e tregut për produkte të qëndrueshme, sidomos përmes fuqizimit të skemave të përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit dhe orientimit të prokurimit publik drejt kritereve mjedisore.

Këto masa do të kontribuojnë në forcimin e kuadrit kombëtar dhe në përparimin e Shqipërisë drejt përputhshmërisë me standardet e BE-së./ata