Tregtia, farmaceutika, si dhe këngëtarët, muzikantët, e artet vizuale në përgjithësi janë ndër sektorët që sot paraqesin nivelet më të larta të evazionit.

Në një takim me bizneset e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve Vasilika Vjero tha se aksioni i institucion të saj tashmë është drejtuar nga këta sektorë.

"Ne kemi filluar dy projekte pilot që lidhen me modulin e rriskut, të cilët janë projekte sektoriale për dy sektorë të ekonomisë që është ai i tregtisë dhe sektori i shërbimeve farmaceutike, ku që prej muajit janar kemi filluar një strategji me takime paraprake, me informime, debate. Industria krijuese në vend është një industri që do i takojë të jetë e treta në këtë sektor. Sigurisht që të ardhurat nga kjo industri krijuese, artistët, ka pasur edhe një debat lidhur me disa kontrolle që ne kemi zhvilluar pranë vendit ku ne ushtrojmë aktivitetin, kjo kategori vijon të mbetet jashtë sistemit tatimor, ndërkohë që gjeneron të ardhura dhe punësim", u shpreh Vjero.  
  
Vjero theksoi se prioriteti i aktivitetit të tatimeve do të jetë nxitja e biznesit drejt shlyerjes së detyrimeve, por njëherësh edhe zbatimi rigoroz i ligjit.

Ajo tha se aktualisht nga tatimet bëhen mesatarisht çdo ditë 900 telefonata ne drejtim te bizneseve për rënien e xhiros apo mosrespektimin e afateve. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com