Taksat, ndryshojnë rregullat për
TVSH-në në shitjen e ndërtesave

Taksat, ndryshojnë rregullat për<br />TVSH-në në shitjen e ndërtesave
Drejtoria e përgjithshme e Tatimeve njoftoi se kanë ndryshuar rregullat lidhur me pagesën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në rastin e shitjes së ndërtesave. Ndryshimet janë vendosur nga Këshilli i Ministrave më datë 11 janar 2017 dhe kanë hyrë në fuqi më datë 16 janar.

Ja disa nga ndryshimet kryesore që sjell ky vendim.
 
Zgjedhja
Personat e tatueshëm mund të ushtrojnë të drejtën të zgjedhin, duke e trajtuar furnizimin e ndërtesave si furnizim të tatueshëm me shkallën e TVSH-së prej 20%. E drejta e zgjedhjes ushtrohet për ndërtesat ose pjesë të ndërtesës, të cilat shiten për qëllim përdorimi për veprimtarinë ekonomike të blerësit, subjekt i regjistruar, ose për qëllime rishitjeje prej tij, por jo për banim.

Në rastin kur blerësi, person juridik i patatueshëm ose i përjashtuar, nuk e pranon zgjedhjen, atëherë e drejta e zgjedhjes për të aplikuar TVSH-në nuk ushtrohet.
 
Përjashtimi
E drejta e zgjedhjes nuk mund të ushtrohet prej personave të tatueshëm që furnizojnë ndërtesa apo ambiente për banim, ose kur blerësi është një individ. Për të ushtruar të drejtën e zgjedhjes, personi i tatueshëm duhet të aplikojë zgjedhjen për çdo rast, përveçse kur blerësi është një person juridik i patatueshëm ose një person i tatueshëm që kryen veprimtari të përjashtuar nga TVSH-ja. Kusht është që, në kontratën e shitjes së ndërtesës, të shkruhet e shprehur qartë zgjedhja e dëshiruar nga furnizuesi dhe pranimi i saj nga blerësi.
 
Procedura

Personi i tatueshëm që kërkon të zgjedhë pagesën e TVSH-së duhet të paraqesë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore një deklaratë me shkrim, ku deklaron se furnizimi i ndërtesës do të trajtohet si furnizim i tatueshëm me TVSH 20%; një kontratë noteriale midis furnizuesit dhe blerësit, në të cilën duhet të jetë shprehur qartë se palët bien dakord se furnizimin e ndërtesës do ta trajtojnë si furnizim të tatueshëm me TVSH. Shitësi duhet të disponojë kontratën e shitjes, të cilën e vë në dispozicion të autoriteteve tatimore, kur i kërkohet. Mungesa e kontratës së furnizimit nuk i jep të drejtën e trajtimit të shitjes së ndërtesës si furnizim i tatueshëm. 

Në rastin kur ndërtesa përdoret për qëllime të veprimtarisë ekonomike nga vetë personi i tatueshëm ndërtues ose nga investitori, kontratën e ndërtimit midis ndërtuesit dhe investitorit dhe lejes përkatëse të ndërtimit, si dhe një deklaratë noteriale për qëllimin e përdorimit të ndërtesës.

Në rast se personi i tatueshëm ia shet ndërtesën personave të tatueshëm, të cilët ushtrojnë veprimtari të përjashtuar nga TVSH-ja, furnizimi i ndërtesës trajtohet me TVSH, vetëm në rast se, në kontratën e furnizimit, personi i tatueshëm blerës është njohur me këtë fakt dhe ka pranuar të paguajë TVSH-në. Në këtë rast, furnizuesi paraqet kontratën përkatëse, mungesa e së cilës nuk i jep të drejtën e trajtimit të furnizimit si të tatueshëm.

Zbritja
E drejta e zbritjes ushtrohet në përputhje me dispozitat dhe përcaktimet në ligjin “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”. Shitësi duhet të evidentojë veçmas zbritjet e TVSH-së për secilën nga ndërtesat ose grup-ndërtesat. Kur shitësi i ndërtesave ushtron edhe veprimtari të tjera të tatueshme me TVSH ose jo, në lidhje me të drejtën e zbritjes së TVSH-së duhet të evidentojë veçmas blerjet për secilën kategori të veprimtarisë. Nëse shitësi i ndërtesës ndodhet në një situate, sipas së cilës e drejta e zgjedhjes, nuk mund të ushtrohet, atëherë personi i tatueshëm duhet të procedojë me rregullimin e TVSH-së së zbritur më parë, nëse ndërprerja e transaksioneve të tatueshme ndodh para fillimit të vitit të nëntë pas vitit kur fillon e drejta e zbritjes.
 
Afati
E drejta e zgjedhjes ushtrohet për ndërtesa ose pjesë të ndërtesës, që shiten pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Pra, duke filluar nga data 16 janar 2017.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Veliaj vizitë në Tokio, do përfaqësoj presidencën e B-40, si dhe takime me kryetaren e bashkisë dhe një grup deputetësh

Veliaj vizitë në Tokio, do përfaqësoj presidencën e B-40, si dhe takime me kryetaren e bashkisë dhe një grup deputetësh