Rasti i dy të rinjve shqiptarë, 21 dhe 23 vjeç, të cilët pretendojnë se janë dhunuar fizikisht nga pjesëtarë të policisë në Shkup, ka nxitur reagime politike në Maqedoninë e Veriut. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dorëheqjen e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni.
Përmes një reagimi publik BDI kërkon nisjen e një hetimi të menjëhershëm, të paanshëm dhe transparent për të gjitha rrethanat e incidentit si dhe mbajtjen e përgjegjësisë nga çdo zyrtar që mund të ketë shkelur ligjin.
Sipas BDI-së, për ngjarjen ekzistojnë verisone të ndryshme. Në raportin e brendshëm të policisë, sipas partisë, pretendohet se dy të rinjtë i kanë marrë armën e zjarrit një efektivi policie. Nga ana tjetër, të rinjtë deklarojnë se arma ka përfunduar në automjet pasi efektivët u kanë thyer xhamin.
Ata pretendojnë gjithashtu se efektivët kanë qëlluar me armë zjarri, u kanë shpuar gomat e automjetit dhe më pas i kanë dhunuar fizikisht, pasi u kanë lidhur duart dhe i kanë shtrirë përtokë.
Rasti u bë publik pas raportimeve dhe shpërndarjes së fotografive ku dy të rinjtë u shfaqen me lëndime të dukshme në fytyrë. Megjithatë, rrethanat e ngjarjes dhe versionet e palëve mbeten për t’u verifikuar nga organet kompetente.
Në deklaratën e saj, BDI kërkon gjithashtu që institucionet përgjegjëse të hetojnë me paanshmëri ngjarjen dhe të garantojnë transparencë për publikun.
Partia thekson se çdo shkelje e mundshme nga ana e zyrtarëve policorë duhet të marrë përgjigjen përkatëse ligjore, ndërsa respektimi i të drejtave dhe dinjitetit të qytetarëve duhet të jetë detyrim i institucioneve shtetërore.









Komente
Komento