Kreu i Partisë Demokratike premton të rikthejë hartën e vjetër me 61 bashki, por megjithatë shfaqet pa shpresë se rruga ligjore, mund të prodhojë rezultat.

“PD do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, por paralajmëroj të dashur qytetarë, se në narkoshtet rruga ligjore është falsitet. Se gjykatat janë notere të narkoqeverisë. Se referendumet, narkoqeveria nuk mund t’i lejojë kurrë. Megjithatë ne do përdorim çdo mjet ligjor kundër këtij akti.

Ish-drejtoreshën e SHISH Vlora Hyseni në arrest shtëpie nga SPAK për përkrahje të Ergys Agasit në arrati dhe nxjerrje të sekretit shtetërore akuzon se ka përgjuar opozitën dhe njerëz të  pushtetit.

“Edi Rama Ka përdorur Vlora Hysenin në funksion të survejimit të opozitës shqiptare.  Ka përdorur Vlora Hysenin në funksion të survejimit të kundërshtarëve të tij brenda Partisë Socialiste.  Janë bërë me qindra e qindra regjistrime të paligjshme ndaj opozitarëve.

Janë transferuar tek kartelet e Troplinit, Çelës dhe kartele të tjera të drogës, por dhe të armiqve të Shqipërisë, çdo sekret shtetëror, përfshi të dhënat e TIMS-it”, tha Berisha.

Këtë të shtunë, Berisha mori refuzimin e radhës nga ambasadori amerikan në vendin ton Eric Wendt dhe dy senatorë, të cilët u takuan me deputetë opozitarë, dhe zhvilluan një vizitë zyrtare në SPAK. Shmangies nga zyrtarët amerikanë iu përgjigj me një sulm, gjatë bashkëbisedimin online me qytetarët.

“Të gjithë atyre që vizitojnë SPAK-un, unë dua t'i njoftoj se SPAK-u është një armik i egër i pluralizmit politik në Shqipëri”, thotë Berisha.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:44
‘Po i heqin dhëmbët prokurorisë’, Berisha: SPAK dhe KLP heshtin për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, Rama kërkon të mbrojë veten (VIDEO)

 

Sali Berisha akuzoi SPAK dhe KLP se po heshtin përballë ndryshimeve të prezantuara në Kodin e Procedurës Penale, që sipas tij synojnë të bllokojnë hetimet e korrupsionit dhe të mbrojnë kryeministrin Edi Rama. Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, Berisha tha se dispozitat e reja kufizojnë nisjen e hetimeve pa njoftuar personin nën hetim dhe zhvlerësojnë provat e siguruara pa vendim gjykate.

“E vërteta është, organizatës socialiste të partisë që quhet SPAK, partia ia hoqi dhëmbë dhe dhëmballë. Dhe ajo që më bën përshtypje, Muharrem, është se kjo paketë ligjore, e cila bën të pamundur hetimin, kjo paketë ligjore, e cila de facto bllokon hetimin, ka krijuar shqetësim ndërkombëtar dhe nuk ka asnjë fjalë nga organizata e partisë, SPAK-u, për këtë paketë. Nuk ka asnjë fjalë nga KLP-ja e partisë, Këshilli i Prokurorëve.

Prokurorëve u është hequr e drejta të nisin hetime pa njoftuar personin, mbi bazën e informacioneve të mjaftueshme për të nisur hetimin. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë: mos bëj më asnjë hetim. Kjo është tallje, përqeshje. Por tani që është Edi Rama në shigjetë dhe rrethi i tij, tani nuk quhet më i vlefshëm asnjë hetim që mund të kenë filluar kundër tij, meqenëse nuk e kanë njoftuar”, tha Berisha.

Berisha pretendon gjithashtu se ndryshimet synojnë të nxjerrin jashtë përdorimit prova të rëndësishme për hetimet. Ai kundërshton edhe dispozitat që kufizojnë publikimin e materialeve hetimore nga mediat.

“SKAP-istët nuk flasin, por ata duhet ta dinë që kanë një përgjegjësi të madhe para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar. Dhe heshtja e tyre është heshtje turpi. Nuk flasin për faktin se provat u zhvlerësohen me ligj. Çfarë do të thotë kjo? Të gjitha mesazhet e Edi Ramës dërguar Lubi Ballukut, Ergys Agasit, Vlora Hysenit e të tjerë me radhë, meqenëse janë marrë pa vendim gjykate, nuk kanë vlerë.

Tani Edi Rama po i zhvlerëson provat e marra nga celularët dhe në servera, pa vendim gjykate nuk vlejnë për proces. Pra, mbron veten e tij. Po mbron Olsin e tij, po mbron Lindën e tij, po mbron narko-qeverinë e tij.

Tjetër, kjo paketë është paketë absolutisht staliniste. Kjo bllokon totalisht, censurë totale ndaj mediave. Mediat tani nuk mund të japin asnjë informacion, përkundrazi dënohen në qoftë se botojnë. Por anëtarët e organizatës së Partisë Socialiste, SPAK, nuk shqiptojnë një fjalë të vetme. Histori turpi, histori nënshtrimi. KLP-ja, qeveria e prokurorisë së akuzës, nuk shqipton një fjalë të vetme. Këto janë dëshmi të një kontrolli të plotë dhe total të Edi Ramës mbi institucionet e drejtësisë”, vijoi Berisha.

Ora 15:27
Wendt shmangu takimin me të, por Berisha i jep 'këshilla' dhe sulmon SPAK: Shkoni për ta inkurajuar, por është armik i pluralizmit (VIDEO)

 

Ambasadori i ri amerikan, Eric Wendt e ka shmangur Sali Berishën nga çdo takim, por kreu i PD nuk i shpëtoi dot një pyetje nga qytetarët për misionin e diplomatit në vendin tonë. Berisha u pyet për vizitat që Wendt ka zhvilluar në SPAK me drejtuesin Klodian Braho dhe kreun e BKH-së, Joni Keta, por edhe kësaj radhe ai rezervoi sulmet për Prokurorinë e Posaçme.

Berisha tha se për Wendt dhe zyrtarët që shkojnë të vizitojnë SPAK ka vetëm një mesazh, që sipas tij Prokuroria e Posaçme është armike e pluralizmit, pasi ka amnistuar krimin elektoral.

Pyetje: A jeni në dijeni të vizitës së ambasadorit amerikan në SPAK dhe cila mendoni se është arsyeja e vizitës së ambasadorit amerikan dhe dy senatorëve në SPAK, me Klodian Brahon dhe Joni Ketën?

Sali Berisha: Kam parë lajmin. Dhe e vërteta është që SPAK-u është sot institucioni më i vizituar nga dinjitarët ndërkombëtarë. Nuk kanë, në vlerësimin tim, asnjë qëllim përveçse inkurajimit të SPAK-ut në misionin e tij. Por, të gjithë atyre që vizitojnë SPAK-un, unë dua t’i njoftoj se SPAK-u është një armik i egër i pluralizmit politik në Shqipëri. Ky është problemi më themelor i SPAK-ut.

SPAK-u amniston krimin elektoral në emër të interesave të partisë së tij. Se SPAK-u mbi 51 dosje të dorëzuara me dokumente, ja ku është ky libër, 1500 faqe libri, mbi 51 dosje të krimit elektoral, që përfshijnë Edi Ramën, përfshijnë ministrat, të denoncuar dhe në raportin e vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it, nuk ka shfletuar asnjë dhe i ka amnistuar. Për mua, për Shqipërinë, për shtetin ligjor, ky është problemi më madhor, numër një i SPAK-ut.

Gjersa SPAK-u mban këtë qëndrim ndaj krimit monstruoz elektoral, ai është një armik i betuar i pluralizmit politik. Dhe kjo është e faktuar, s’ka asgjë më të faktuar se kjo, cilido që e viziton. Amnistimi i krimit elektoral është atentat ndaj pluralizmit, për aq sa vota e lirë, për aq sa partitë politike kanë peshën në pluralizmin politik.

Gjatë së shtunës dy senatorë amerikanë dhe ambasadori i SHBA zhvilluan një takim me deputetët e opozitës, Jorida Tabaku, Ivi Kaso dhe Oerd  Bylykbshi ndërsa shmangën një takim me kreun e opozitës.

Ora 15:15
Berisha: Rama përdori Vlora Hysenin për të përgjuar opozitën dhe kundërshtarët në PS! SHISH u kthye në strofull kriminelësh (VIDEO)

 

Kreu i PD-së akuzoi Edi Ramën se ka përdorur ish-drejtoreshën e SHISH-it, Vlora Hyseni, për përgjime të paligjshme ndaj opozitës dhe kundërshtarëve brenda Partisë Socialiste. Në një bashkëbisedim me qytetarët, ai e quajti antikushtetues vendimin e PS për të rrëzuar kërkesën e PD për mocion me debat për arrestimin e Hysenit, e akuzuar nga SPAK se ndihmoi me informacione sekrete Ergys Agasin gjatë arratisë. Berisha tha se SHISH u kthye në një strofull kriminelësh dhe shtojcë të organizatave kriminale.

“Rrëzimi i mocionit me debat nga deputetët e krimit dhe parlamenti i krimit ka dy aspekte. Aspekti i parë është një akt antikushtetues. Qytetarët duhet ta dinë se opozitës shqiptare iu mohua e drejta kushtetuese e mocioneve me debat. Aspekti tjetër është se Edi Rama ka përdorur Vlora Hysenin dhe institucionin që ajo ka drejtuar, në funksion të karteleve të drogës, organizatave kriminale dhe kundër interesave të vendit.  Ka përdorur Vlora Hysenin në funksion të survejimit të opozitës shqiptare. Ka përdorur Vlora Hysenin në funksion të survejimit të kundërshtarëve të tij brenda Partisë Socialiste. Janë bërë me qindra e qindra regjistrime të paligjshme ndaj opozitarëve.

Janë transferuar tek kartelet e Troplinit, Çelës dhe kartele të tjera të drogës, por dhe të armiqve të Shqipërisë, çdo sekret shtetëror, përfshi të dhënat e TIMS-it. Vlora Hyseni shndërroi Shërbimin Informativ Kombëtar, një shërbim që, duhet ta themi, ka kryer detyra jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin, por dhe për partnerët tanë, e shndërroi në një strofull kriminelësh, delinkuentësh dhe shtojcë të organizatave kriminale.

Vlora Hyseni rezulton anëtare e grupit të strukturuar kriminal më të rrezikshëm të Evropës, grupit të Ergys Agasit, grup i cili ka përdorur AKSHI-n dhe Vlora Hysenin për të regjistruar në kundërshtim me Kushtetutën opozitarët, për të regjistruar shërbimet diplomatike dhe misionet diplomatike në shkelje flagrante të Konventës së Vjenës, për t’ia transmetuar të dhënat armiqve të Shqipërisë. Vlora Hyseni u emërua në krye të Shërbimit Informativ Kombëtar për ato motive që u shkarkua nga drejtimi i Shërbimit Informativ Kombëtar të Kosovës, për shkarkimin dhe zhdukjen e të dhënave të këtij shërbimi në drejtim të Beogradit me siguri”, tha Berisha.