Për një njeri të rritur si shqiptar, në kufi midis dy perandorive Lindje dhe Perëndim, impakti me sistemin e ri “Demokrato-Modern” fiskal si dhe me sistemin në përgjithësi në vendin tone të bën të ndjehesh si Dante Alighieri. Ndoshta të tunduar nga një system tjetër fiskal më perëndimor, ose më “Marksist” se ky i joni, mendja turbullohet nga ide te cilat sapo të vijnë kërkon t’i mohosh, sepse kjo të bën të ndjehesh më mirë, më krenar. Vallë në Kushtetutën Shqiptare mungojnë parimet më të rëndësishme dhe të nevojshme për një shoqëri demokratike, ato frymëzuese të sistemit fiskal?

Përshembull në Itali sistemi fiskal është i frymëzuar mbi principet kushtetuese të solidaritetit, të barazisë, të aftësisë kontributive si dhe të progresivitetit. Parime të cilat bëjnë të mundur që sistemi fiskal Italian mbi të gjitha të synojë heqjen e të gjitha barrierave që pengojnë barazinë ekonomike të individëve, gjë e cila mundëson dhe barazinë sociale, shëndetësore, arsimore e kulturore të qytetarëve.

Kjo, sa më sipër, në Shqipëri propagandohet si “Marksiste” dhe në fakt është e vërtetë edhe Marx si ekonomist, filozof e sociolog ka qenë një nga mbështetësit e taksimit Progresiv (disa nga të shumtat, Marx-Engels, Ausgeëählte Schriften, Berlin 1951, f 102, programi i Partis Ouvrier 1880 pika 12. etj) Nëse të krijosh një sistem fiskal, si ai sa më sipër italian dhe në përgjithësi ai Evropian është Marksizëm, unë jam Marksiste.

Jam e tillë edhe sepse në hartën botërore, do të doja të kisha ngjyrë të njëjtë me perëndimin. Në Shqipëri sistemi fiskal i propaganduar si shumë i suksesshëm është proporcional, që do të thotë se të gjithë pavarësisht nga niveli i të ardhurave taksohen me të njëjtën përqindje, 10%. Kjo do të thotë se barrën më të lartë fiskale e mban shtresa “e mesme” ose e varfër pasi niveli i të ardhurave minimal që fillon të vilet kjo taksë është minimal gati në rangun e varfërisë. Për të qenë më të qartë, vera e përqindjes është e njëjta, por kjo nuk do të thotë se taksimi ose më mirë efektet e tij rëndojnë në mënyrë të barabartë për të gjithë.

Pra, nëse një individ taksohet 10 përqind për të ardhura mujore 50.000 lekë do ketë në disponibilitetin e tij 45.000 lek për gjithçka që i nevojitet. Për të paguar këtë taksë subjekti duhet të mbajë dietë të kufizuar, duhet të ngrohet më pak, të vishet më lehtë etj, pra të jetojë më keq. E njëjta gjë ndodh me një individ tjetër i cili ka të ardhura mujore 1.000.000 lekë pra do ketë të disponushme 900.000 mijë lek. Ky i fundit nuk do të pësonte asnjë sakrificë edhe nëse do t’i aplikohej si taksë një përqindje më e madhe si 30% apo 40 %. Sigurisht që pozicionet e dy individëve nuk janë të njëjtë. Një sistem progresiv do të bënte që personi me të ardhura 50.000 lekë të paguante 2% dhe ai me të ardhura 1.000.000 të paguante 40% . Kjo do të thotë më pak vuajtje për shtetasit në përgjithësi dhe më shumë të ardhura për shtetin gjithashtu, i cili me një administratë tatimore efikase dhe eficente do të bënte diferencën si përsa i përket rishpërndarjes së të ardhurave ashtu edhe rritjes ekonomike.

Mbi të gjitha duke arritur që të mbrojë qytetarët me më pak mundësi ekonomike ose shumicën, duke iu ofruar atyre shërbime të cilat i mundësojnë një jetesë në standardet e dinjitetit human. Megjithatë në kushtetutën tonë, mbase edhe pse jo të shprehura në mënyrë kaq eksplicite, këto parime reflektohen në përgjithësi. Problemi lind në momentin ku shërbimet, në emër të të cilave kryhet grumbullimi i taksave, nuk ekzistojnë ose janë të pamjaftueshme. Problemi lind kur paratë burojnë nga qytetarët dhe nuk iu kthehen atyre në formë shërbimi. Kjo duhet të na bëjë të gjithëve të reflektojmë, të kemi një ndër¬gjegjësim më të lartë qytetar për ti thënë Jo vjedhjes e grabitjes ekonomike.
(gm/Shqiptarja.com)