Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë në PD, Jorida Tabaku, në një konferencë për mediat ka thënë se mbi qytetarët shqiptarë rëndojnë gjithnjë e më shumë taksa.

Tabaku ka thënë se taksat janë rritur që nga 2013. Deputetja e PD-së, ka thënë se qeveria ka rritur çmimin e energjisë elektrike por edhe taksën e pronës.

Pjesë nga deklarata:

Që nga shtatori 2013 ka vetëm një lajm të sigurtë, taksat rriten çdo vit, por  rritje pagash e pensionesh nuk ka. Për pesë vite me radhë Rama ka rritur çdo taksë të mundshme për qytetarët, bizneset, studentët e deri tek pensionistët.

Sa herë që Rama përbetohet se 97% e shqiptarëve paguajnë më pak, aq herë ai gënjen dhe, po aq herë, ai u vjedh shqiptarëve para nga xhepat e tyre duke shpikur taksa dhe tarifa.

Barrës së rëndë të taksave të rritura iu shtua këtë vit TVSH-ja për biznesin e vogël, por edhe taksa e rritur për pronën. Sot, një biznes paguan mesatarisht 230 mijë lekë më shumë taksa për pronën sesa katër vite të marra së bashku.

Një biznes në qytetin e Tiranës për vitin 2018 paguan taksë prone të rritur nga qeveria socialiste, 510 mijë lekë ndërkohë që nga viti 2015 e deri në vitin 2017 taksa e pronës në total kishte vlerën e 282 mijë lekëve.

Siç edhe duket qartë, një biznes për një hapësirë prej 20 metra katrorë pagesa i është dyfishuar. Në vitin 2015 paguante prej 56 mijë lekë, ndërsa sot, për të njëjtën godinë, paguan 128 mijë lekë.

Mbi 100 mijë biznese vuajnë sot dyfishimin e kësaj takse, ndërkohë që nga viti 2015 pushteti i bashkisë Tiranë ka përdorur të gjitha format për të rritur jo vetëm taksat e tarifat, por edhe çmimin e ujit.

Në 4 muaj, 5834 biznese kanë ulur qepenat. Për vitin e shkuar ky bilanc ishte me 3 mijë biznese të mbyllura më shumë se sa ato që u hapën.

Qeveria e një grushti oligarkësh që, siç nuk ka ndodhur kurrë më parë, prodhon ligje me emrat e tyre, me rritjen e taksave, merr nga xhepat bizneseve dhe qytetarëve 2 miliardë Euro më shumë.

Jorida Tabaku, nënkryetare e Komisionit  të Ekonomisë, deputete e PD-së