Takuina Adami: Sfidat e “Pianistit 
të Ri” që mbushi 19 vjeç

Takuina Adami: Sfidat e “Pianistit <br />të Ri” që mbushi 19 vjeç
TIRANE- Festivali i 19-të Mbarëkombëtar “Pianisti i Ri” i organizuar nga EPTA-Albania këtë vit do të zhvillohet nga datat 29 maj deri më 1 qershor. Presidentja e festivalit Takuina Adami rrëfen për “Shqiptarja.com” veprimtarinë 20-vjeçare të EPTA-Albanias, e cila e ka pasuruar festivalin me veprimtari të pasura, ku bëhen 3 veprimtari kombëtare dhe mbarëkombëtare vjetore: përveç 19  edicioneve të Festivalit “Pianisti i Ri”, 7  edicione të “Takimit të pianistëve për kulturë” e  5 edicione “Duete pianistike”, si dhe shumë koncerte, konkurse, masterklase, takime sipas rastit, qëllimi i të cilave janë kontaktet me shkollat muzikore brenda e jashtë vendit.

EPTA-Albania përbën seksionin shqiptar në Europian Piano Techers Assotiation, me qendër në Londër, krijuar më 1978. EPTA-Albania është legalizuar në Shqipëri në dhjetor 1994. Çdo vit festivali “Pianisti i Ri” ka  vënë në provë aftësitë e talenteve tona, shumë prej të cilëve sot zhvillojnë aktivitete në institucionet tona apo jashtë vendit. Në intervistën me presidenten e kësaj shoqate, zonjën Takuina Adami, e cila drejton prej 20 vitesh mësojmë se ky festival shkon shumë më përtej aspektit pedagogjik, duke zbuluar vlerat artistike dhe talentet e reja.
 
Zonja Takuina, ju jeni presidentja e EPTA Albania prej 20 vjetësh. Çfarë kujtoni nga hapat e para të formimit të saj?
-Krijimi i EPTA-Albania solli “oksigjenin” tek ne. Mundësinë dhe kontaktet për të shkëmbyer përvojat pedagogjike me shkollat europiane  nga njëra anë, çka na kish munguar në sistemin që lamë pas, si dhe nga ana tjetër ajo “mbolli farën“ e dashurisë, respektit dhe bashkëpunimit të mësuesve tanë me mësuesit e gjithë shkollave muzikore të vendit dhe jashtë tij. Ishin kolegët firmëtarë; Nadiezhda Porodini,Fatbardha Besho, Petrika Trako, Valbona Kasaj, Valbona Xoxa, Enika Gjikoreci, Lida Gavani etj, që mundësuan realizimin e kësaj shoqate.

E krijuar këtu në gjirin e kësaj shkolle të parë kombëtare 68-vjeçare,ajo u bë jo vetëm qendra jonë por dhe mbështetja dhe bashkëpunëtorja  e EPTA-Albania-s në të gjitha projektet për promovimin e talenteve të reja. Ky bashkëpunim i nisur që më 1993 me drejtorët Ylli Kollari e më pas Agim Cegrani, Bujar Alliu etj,për të ardhur sot te piktori Klement Zoraqi e zv.drejtoresha, pianistja Klodi Zheji janë bërë garanci për ecurinë tonë të suksesshme, si dhe formimin e shëndetshëm artistik të kuadrove tona muzikore që sot zhvillojnë aktivitet pedagogjik e artistik si brenda apo jashtë vendit.

Zonja Takuina, si jeni ndjerë në hapat e parë të këtij festivali me kontaktet me përvojat botërore, pas një izolimi të gjatë të shkollës sonë?
-Të them të vërtetën, na dukej si ëndërr. Në shkollën tonë, sipas rastit vinin 2 ose 3 muzikante të huaj në vit. Atyre ne u prezantonim talentet tona më të mira në një koncert të vogël, por komunikimi me ta të linte shumë për të dëshiruar në atë periudhë. Kurse në festivalin  II ata ishin të ftuarit tanë, shumë të predispozuar të na ndihmonin në çdo aspekt. Kjo juri përbëhej nga personalitete të EPTA-s, që kryesohej nga figura qendrore e EPTA-s, pianistja e pedagogia e shquar belge Carolo Grindea, presidente e EPTA-s, pianistja Diane Andersen, presidenti i EPTA-Sviceres, pianisti Klaus Wolters, autor  i disa librave bibliografikë, pianistja dhe organizatorja e Interfestival-Bitola, Maqedoni, Milica Ribaski, si dhe mësuesja jonë e paharruar Lali Gebeci.

Ne kishim programuar një Work-shop me mësuesit në klasën e  mësuesit Petrika Trako, që ishte e madhe në atë kohë, por për faktin që ai u kthye në një takim miqësor midis kolegëve, unë ju kërkova miqve tanë të EPTA-s t’i hidhnin ato në letër. Më 9 Qershor 1996, Klaus Ëolters- president I EPTA- Sviceres shkruan ndër të tjera se “Unë jam i sigurt që shumica e talenteve muzikale në Shqipëri,nuk ka arritur akoma të zbulohet!!”, Po kështu la shënime edhe Diane Andersen, prof. në Konservatorin  Mbretëror të Muzikës, Bruksel. Vërejtjet dhe lëvdatat e tyre na ndihmuan shumë.

Çfarë repertori përfshihet në festivalin “Pianisti i ri”?
-Repertori ynë pianistik, fatmirësisht është më se i pasur se i instrumentistëve të tjerë. Veprat e kompozitorëve tanë: T. Harapi, Ç.Zadeja, K.Lara, S.Gjoni, R.Sokoli, F.Ibrahimi, L.Dizdari, etj, bartin në vetvete melosin tonë Kombëtar dhe si të tilla janë veprat më të asimilueshme dhe më të ndjeshme emocionalisht për pianistët e rinj. Fatmirësisht,kompozitorët tanë janë treguar shumë të kujdesshëm ndaj kritereve didaktike, duke na lënë një pasuri të çmuar veprash. Por sot pasurimi i tyre përbën një problem akut.

Kjo krijimtari nuk po inkujarohet nga politikat e botimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, duke e lënë në dorë të iniciativave sporadike private evoluimin e kritereve didaktike të tyre. Ne si EPTA-Albania, kemi bërë disa tentativa për shtimin e këtij repertori. Më 1996 kemi organizuar një “Konkurs për repertorin pianistik”, por botimi i veprave i kalonte mundësitë tona. Ja si është shprehur në një artikull për konkursin e EPTA- Albania në gazetën “Drita” 1996 kompozitori ynë Çesk Zadeja: “Shkolla jonë ka nevojë për riorganizim pedagogjik me kërkesa të qarta, jo të rastësishme.

Ajo nuk mund të jetë kombëtare’ pse vepron në Shqipëri. Ajo mund  të quhet kombëtare kur ka krijuar repertorin e saj origjinal, ku gjen vend interpretimi i lartë cilësor në zbërthimin emocional të veprës”. Në këtë periudhë 20-vjeçare kemi pasur fatin e kënaqësinë të promovojmë disa libra me repertor muzikor, siç ka qenë “Albumi për fidanishten e pianistëve të rinj”  të etnomuzikologut të njohur Ramadan Sokoli, si dhe “Albumi i parë pianistik” i muzikologes Sabrije Nushi. Vëllimin e 2-të të këtij albumi pianistik fal pasionit të vet Z.S.Nushi do ta promovojë në këtë edicion të 19-të Festivalit. Dhe këtë vit mbarësia vjen edhe me promovimin e një cikli veprash për pianistë të rinj të kompozitorit Aleksandër Peçi për moshat 12-18 vjeç.

Çfarë rëndësie marrin masterklaset në këtë aktivitet?
-Masterklaset përbëjnë një formë pune, që u krijon mundësinë talenteve të marrin një mësim direkt nga një pedagog i ftuar për këtë qëllim. Këto masterklase kanë filluar që në 1995 me prof.gjerman Till Engel të Konservatorit të Essenit, për të vazhduar më pas me figura të shquara si prof. francez Gerard Fremy, Marcella Crudeli, Francesco Monopoli e Giovanni Batell (Itali), Roberto Domingo e Tomas Leander (Gjermani), Massimmo Somenzi( Itali), por jo vetëm për pianistët, Vladimir Bunun, Rusi e tej.

Ne kemi ftuar dhe pedagog për harqet,frymën me rastet kur na është krijuar mundësia në projekte të tjera. Falë tyre kanë dalë në skenë dhjetëra talente, por kemi pasur fat edhe që profesorët e huaj na kanë mbështetur. Profesori gjerman Heribert Koch prej vitesh është bërë mbështetës i talenteve tona në Gjermani, siç është rasti i motrave Hitaj, fituese të çmimeve tona kryesore. Të njëjtin rol po luan dhe pianistja e ped. e Universitetit të muzikës “ Guisseppe Tartin”  e  Tiriestes, e cila prej katër vitesh ka ndihmuar në promovimin e talenteve tona më të mira nëpërmjet çmimit “Filippo Trevizon” dhe masterklaseve ndërkombëtare “Primavera Pianistica”.  


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike