Afganistan/Talebanët flasin para popullit: Falim ata që luftuan kundra nesh! Respektojmë të drejtat e grave sipas ligjit islam! Zv.presidenti vetëshpallet President kujdestar: Bashkohuni me rezistencën

AFGANISTAN-Talibanët mbajtën sot konferencën e tyre të parë zyrtare për shtyp në Kabul, pas 'pushtimit' tronditëse të qytetit, duke deklaruar se ata duan marrëdhënie paqësore me vendet e tjera dhe se do të respektojnë të drejtat e grave brenda kornizës së ligjit të Sheriatit.

Zëdhënësi Zabihullah Mujahid siguroi angazhimin "për të drejtat e grave", duke thënë: Ato do të punojnë krah për krah me ne. Nuk do të ketë diskriminim!

Talebanët  njoftuan gjithashtu 'amnisti' për zyrtarët shtetërorë, të cilët do të duhet të kthehen në punë si zakonisht si dhe theksuan se do të falin të gjithë ata që luftuan kundër tyre, në një përpjekje për të qetësuar kaosin që mbizotëron në vend, duke shtuar se duan paqe si brenda edhe se nuk duan armiqë të brendshëm apo të jashtëm. Nga ana tjetër zv.presidenti i Afganistanit Amrullah Sale është vetëshpallur Presidenti i Afganistanit sipas Kushtetutës dhe se u bëri thirrje afganëve të bashkohen me rezistencën përballë talebanëve.

Më herët, Presidenti i SHBA, Joe Biden këmbënguli se vendimi për të tërhequr trupat amerikane nga Afganistani ishte i drejtë, teksa premtoi se 500 mln dollarë ndihmë per refugjatët afganë. Ai tha se nëse ai nuk do t'i përmbahej një marrëveshjeje largimi të negociuar nga administrata e mëparshme e Donald Trump, SHBA rrezikonte rikthimin e konfliktit shumëvjeçar me forcat talebanë. Dje nga aeroporti i Kabulit u ofruan pamje të frikshme, gati-gati si pjesë të filmave Hollywood-it, të njerëzve që po vraponin në përpjekje për t'u largua nga Afganistani. Pati edhe nga ata që pësuan një fund tragjik, pasi ranë nga avioni ku ishin fshehur nga frika e talebanëve si edhe 7 persona të tjerë humbën jetën në rrethana të paqarta, megjithatë sipas mediave ndërkombëtare, situata sot paraqitet më e qetë.

Fluturimet ushtarake që evakuojnë diplomatët dhe civilët kanë rifilluar në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit,  vetëm një ditë pas skenave kaotike në aeroport. Sidoqoftë, Reuters citon dëshmitarë që thonë se të shtëna të herëpashershme dëgjohen ende në drejtim të aeroportit, e cila aktualisht është pika e vetme e daljes e hapur për forcat perëndimore.

India është bërë vendi i fundit që ka evakuuar ambasadën e saj në Kabul, me një fluturim special që ka sjellë ambasadorin e vendit dhe anëtarët e tjerë të stafit në Indi. Aktualisht aty operojnë vetëm tre ambasada, ajo ruse, kineze dhe pakistaneze. Indonezia ka thënë se do të mbajë një "mision të vogël diplomatik" në vend.  Rusia më herët tha se do të evakuonte vetëm pjesërisht stafin e saj teksa Ambasadori Dmitry Zhirnov pritet të takohet me talebanët. Nga ana tjetër, Ambasada kineze në Afganistan nuk ka komentuar se çfarë planifikon të bëjë, por paralajmëroi shtetasit vendas që "t'i kushtojnë vëmendje të madhe situatës së sigurisë".

Ndërsa mijëra afganë po largohen nga vendi, Turqia ka njoftuar se po ndërton një mur përgjatë kufirit të saj me Iranin përballë një fluksi të mundshëm të ri të refugjatëve nga Afganistani. Muri do të jetë 295 km i gjatë, i fortifikuar me tela me gjemba, sipas një raporti të AFP.

"Ne do t'i intensifikojmë punët tona dhe ata duhet ta dinë  se" kufijtë tanë janë të pakalueshëm ", tha Ministri i Mbrojtjes Hulusi Akar, sipas një raporti të Hurriyet Daily.

Çfarë është ligji i Sheriatit?

Ligji i Sheriatit është sistemi juridik i Islamit. Ai rrjedh nga Kurani.

Ligji i Sheriatit vepron si një kod jetese të cilit të gjithë muslimanët duhet t'i përmbahen, përfshirë lutjet, agjërimin dhe dhurimet për të varfëritë.

Ligji gjithashtu mund të ketë disa ndëshkime të ashpra; vjedhja, për shembull, mund të dënohet duke prerë dorën e autorit, ndërsa tradhtia bashkëshortore mund të mbajë dënimin me vdekje me gurë.

Sidoqoftë, zbatimi i tyre ndryshon shumë në të gjithë botën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:44
Afganistani nën kontrollin e talebanëve, Di Maio: Perëndimi duhet të reflektojë për gabimet e bëra

Ministri i Jashtëm italian, Luigi di Maio ka reaguar pasi talebanët kanë marrë nën kontroll të plotë Afganistanin. Gjatë fjalës së tij në Këshillin e Jashtëm të BE-së, Di Maio është shprehur se perëndimi duhet të reflektojë mbi gabimet e bëra, duke shtuar se është e domosdoshme që të përcaktohet një strategji e përbashkët për mbrojtjen e afganëve.

“Ne nuk mund ta përjashtojmë veten. Perëndimi duhet të reflektojë për gabimet e bëra në ndërhyrjen 20-vjeçare në Afganistan. Është e nevojshme që të përcaktohet një strategji e përbashkët, përparësi duhet të jetë mbrojtja e civilëve dhe siguria e afganëve”, tha Di Maio.

Ora 18:42
Zëvendësi i parë i Ashraf Ghanit vetëshpallet President kujdestar i Afganistanit: Bashkohuni me rezistencën

Afganistani ka një Presidenti të ri kujdestar deri në zgjedhjen e të ardhshem. Amrullah Saleh, zëvendësi i parë i Ashraf Ghanit i cili u largua nga vendi, është vetëshpallur Presidenti i Afganistanit duke përdorur si argument Kushtetutën e vendit.

Ai i kërkon qytetarëve të bashkohen me rezistencën përballë talebanëve, ndërsa kritikoi Presidentin Joe Biden se afganët nuk e kanë humbur shpirtin dhe shohin mundësi të mëdha përpara. Dje Biden u shpreh tejet i zhgënjyer nga qeveria afgane që nuk mundi të mbronte dot vendin dhe popullin afgan po zgjodhi të largohej duke i lënë të hapur rrugën talebanëve.

"Qartësim: Sipas kushtetutës së Afganistanit, në mungesë, arratisje, dorëheqje ose vdekje të Presidentit, zëvendësi i parë bëhet Presidenti kujdestar. Aktualisht jam brenda vendit tim dhe jam Presidenti legjitim kujdestar. Po i drejtohem të gjithë udhëheqësve për të siguruar mbështetjen dhe konsensusin e tyre. Është e kotë të debatosh me Presidentin e SHBA  për Afganistan tani. Lëreni të tretet. Ne duhet të dëshmojmë se Afganistani nuk është Vietnami dhe talebanët nuk janë as nga distanca si Vietkongu. Ndryshe nga SHBA/NATO, ne nuk e kemi humbur shpirtin dhe nuk shohim mundësi të mëdha përpara. Paralajmërimet e padobishme kanë përfunduar. Bashkohu me rezistencën", shkruan Saleh.

Ndërkohë që po sot talebanët mbajtën dhe konferencën e parë para popullit afgan ku thanë se nuk duan luftë dhe se do të falin se kush ka luftuar kundër tyre. Talebanët thanë se do të vendoset ligji i sheriatit dhe grave do u respektohen të gjitha të drejtat që garanton ligj islamik.

Ora 17:51
Talebanët flasin para popullit afgan: I kemi falur ata që luftuan kundra nesh! Do të mbrojmë të drejtat e grave sipas ligjit të Sheriatit

Talebanët mbajtën pasditen e sotme konferencën e tyre të parë zyrtare për shtyp në Kabul pasi morën në 'dorë'  qytetin, duke deklaruar të martën se dëshirojnë marrëdhënie paqësore me vendet e tjera.

"Ne nuk duam armiq të brendshëm apo të jashtëm," tha zëdhënësi kryesor i lëvizjes, Zabihullah Mujahid.

Grupi shpalli një "amnisti" për të gjithë ata që luftuan kundra tyre.

"Ne i kemi falur të gjithë në dobi të stabilitetit dhe paqes në Afganistan. Luftëtarët tanë, njerëzit tanë, të gjithë i kemi falur. Pas formimit të një qeverie, gjithçka do të jetë më e qartë. Askush nuk do të trajtohet me hakmarrje. Të rinjtë që janë rritur këtu, ne nuk duam që ata të largohen. Ata janë pasuria jonë. Askush nuk do të trokasë në derën e tyre dhe nuk do t'i pyesë se për kë kanë punuar.Ata do të jenë të sigurt. Askush nuk do të merret në pyetje apo ndiqet", tha Mujahid

 Ai u bëri thirrje grave që të bashkohen me qeverinë e re, duke theksuar se do të mbrojnë të drejtat e tyre sipas ligjit të Sheriatit (ligjit Islam, për të cilin talebanët kanë një interpretim tepër ekstrem).

"Gratë do të jenë shumë aktive në shoqëri, por brenda kornizës së Islamit. Ato do të punojnë krah për krah me ne. Ne do të donim të siguronim bashkësinë ndërkombëtare se nuk do të ketë diskriminim", tha zëdhënësi i Talebanëve.

"Toka e Afganistanit nuk do të përdoret kundër askujt", tha zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid i pyetur në lidhje me rrezikun e strehimit të luftëtarëve të al-Kaedës në vend.

"Ne mund ta sigurojmë komunitetin ndërkombëtar për këtë", shtoi ai.

Për lirinë e mediave, ai u shpreh se ata nuk duhet të punojnë kundër talebanëve.

"Ne jemi të përkushtuar ndaj mediave brenda kornizës sonë kulturore. Asgjë nuk duhet të jetë kundër vlerave islame kur bëhet fjalë për aktivitetet e mediave. Ju në media duhet t'i kushtoni vëmendje mangësive tona në mënyrë që t'i shërbejmë kombit. Por media nuk duhet të punojë kundër nesh," tha ai.

Ora 16:13
E dhimbshme! Momenti kur afgani lufton të mbahet te krahu i avionit për t’u larguar

 

Trupi i një afgani të dëshpëruar për të ikur nga vendi i tij disa orë pasi Kabuli ra në duart e talebanëve u gjet në një avioni amerikan transporti C-17.

Trupi i pajetë u gjet disa orë pasi avioni u ngrit me nxitim nga Aeroporti Ndërkombëtar, pak orë pasi u bënë publike imazhet e dy të rinjve që binin nga avioni në shtëpitë afër aeroportit të Kabulit.

Avioni u detyrua të bënte ulje emergjente, pasi stafi konstatoi trupin.

Aeroporti i Kabulit u përfshi dje në kaos, pasi me mijëra qytetarë përpiqeshin të largoheshin nga vendi, pas marrjes së pushtetit nga talebanët.

Në pamjet e publikuara në media shiheshin njerëz që vraponin dhe kapeshin pas një avioni ushtarak.  Disa video treguan afganë që binin nga lartësia, ndërsa avioni ngjitej.

Pentagoni deri më tani ka vendosur rreth 5,000 trupa shtesë në Kabul për të ndihmuar në sigurimin e aeroportit, në mënyrë që mijëra qytetarë amerikanë, punonjës të ambasadës dhe afganë të cenueshëm të mund të largohen nga vendi.

 

Footage of an Afghan caught in the landing gear of the C17 that transported civilians out of Kabul airport via @Mrgunsngear

Washington Post reported on the human remains in the wheel of a US military aircraft that forced them for an emergency landing

pic.twitter.com/NNScZRWpQa

— Ragıp Soylu (@ragipsoylu) August 17, 2021
Ora 16:03
Stoltenberg i zhgënjyer pas triumfit të talebanëve: Nuk kishim zgjedhje tjetër përveç largimit

NATO kishte vetëm një opsion për të lënë Afganistanin plotësisht ose për të rritur numrin e trupave dhe për të rifilluar operacionet luftarake atje,  deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO -s, Jens Stoltenberg.

"Sot patëm një takim për të diskutuar situatën serioze dhe të paparashikueshme në Afganistan. Kabuli ra dhe talebanët morën kontrollin e pjesës më të madhe të vendit. Me të vërtetë më vjen keq”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO -s, Jens Stoltenberg.

Nga ana tjetër, numri një i Aleancës Atlantike ia atribuon dështimin dhe kolapsin e vendit udhëheqjes së Kabulit.

"Aleatët e morën parasysh rrezik e tërheqjes sepse e dinin që vazhdimi nuk ishte më alternativë, nuk duhej të vazhdohej me prani të kufizuar ushtarake, mund të vazhdohej vetëm me një prani të shtuar të trupave të NATO-s dhe angazhim të tyre edhe një herë në luftime ", u tha ai gazetarëve në Bruksel.

Në fjalën e Stoltenberg dallohej lehtësisht zhgënjimi dhe paaftësi për të ndryshuar rezultatet e një lufte disa vjeçare të pa rezultat.

 

Ora 14:34
Si po sillet Evropa me afganët?! Greqia e Turqia pjesë e NATO-s u thonë jo! Shqipëria, Kosova dhe RMV u hapin dyert!

Rënia e Afganistanit nën duart e talebanëve, ka ngjallur frikë në Evropë për një krizë emigrantësh të ngjashme me atë të viteve 2015-2016.

E ndërkohë që Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë hapur dyert për të mirëpritur emigrantët afganë, duke treguar empati dhe solidaritet,  Evropa është e ndarë.

Austria ka deklaruar se pavarësisht situatës ajo do t’i kthejë mbrapsht azilkërkuesit në Kabul, ndërkohë që presidenti francez Emmanuel Macron këmbëngul për një iniciative europiane e cila do t’i mbrojë, prej flukseve të parregullta migratore.

Edhe Greqia nuk dëshiron të bëhet portë hyrëse e afganëve për në Bashkimin Evropian deklaroi ministri i Migracionit Notis Mitarachi. Dhe bëri thirrje për një përgjigje të përbashkët të Bashkimit Evropian (BE) ndaj krizës, duke insistuar në faktin se vendi i tij nuk do të lejojë një përsëritje të skenarit të 2015.

E në anën tjetër edhe Turqia, aleate në NATO,  njoftoi se është duke ndërtuar një mur në kufirin me Iranin për të ndaluar një fluks të mundshëm refugjatësh nga Afganistani. Kur të përfundojë, barriera do të jetë 295 km e gjatë, e fortifikuar me tela me gjemba e llogore për të dëshmuar kështu, siç tha ministri turk i mbrojtjes Hulusi Akar, se kufijtë e vendit “janë të pakalueshëm”, nj masë e tillë u mor pasi vendi strehon aktualisht mbi 3 milion sirianë.

Të hënën janë parë skena kaotike në aeroportin “Hamid Karzai” në Kabul pasi mijëra afganë përpiqeshin të largoheshin nga vendi, madje duke hipur mbi aeroplanë që po përgatiteshin të fluturojnë. Trupat amerikane që po e kontrollojnë aeroportin u detyruan të qëllojnë për të shpërndarë turmën dhe për të mundësuar fluturimet.

Ora 14:12
FOTO/ Pas skenave kaotike, rikthehet 'qetësia' në rrugët e Kabulit

'Qetësia' është kthyer në Kabul pas skenave kaotike në aeroportin ndërkombëtar të qytetit dje, ndërsa qindra njerëz u përpoqën të largoheshin nga Afganistani.

Sipas raportimeve të mediave lokale, rrugët e kryeqytetit kanë mbetur të qeta ditën e dytë të plotë të sundimit talebanëve, megjithëse militantët shihen në pjesën më të madhe të qytetit.

Ora 13:49
Talebanët: Qeveri gjithëpërfshirëse në Afganistan, ftojnë edhe ish-presidentin Hamid Karzai

Një ditë pas marrjes nën kontroll të kryeqytetit të Afganistanit, liderët talebanë nisën përpjekjet për formimin e një qeverie të re, duke ofruar bashkëpunim të gjitha palëve politike.

Ata i bënë ofertë për të qenë pjesë e qeverisë së re edhe ish-presidentit Hamid Karzai. Vendimi i parë pas marrjes së pushtetit ishte amnistia për të gjithë funksionarët shtetërorë, të cilëve u bënë thirrje të mos tremben dhe të rikthehen në punë me besim të plotë.

Është ende e paqartë nëse sistemi politik i vendit do të ndryshojë, por në krye të vendit pritet të jetë Abdul Gani Baradar, lideri politik i talebanëve.

Ora 11:32
Gratë nën sundimin e talebanëve, frikë për të ardhmen! Gazetarja e CNN, ndryshon veshjen në ekran nga shalli rreth qafës në hixhab

 

Imazhet e gazetares së CNN Clarissa Ward, një ditë para dhe pas marrjes së kontrollit të Afganistanit nga talebanët, të japin një pamje të parë sesi mund të jetë jeta e grave nën regjimin e ri.

Më 15 gusht, gjatë një lidhje të drejtpërdrejtë nga Kabuli, ajo paraqitej me flokët e saj topuz dhe me një shall të kuq rreth qafës dhe një xhaketë ngjyrë pastel.

 Më 16 gusht, një ditë pasi talebanët pushtuan Kabulin, gazetarja u shfaq në video, nga rrugët e kryeqytetit, me kokën e mbuluar me hixhab. 

Me kthimin në pushtet të talebanëve, hixhabi ose burka bëhen të detyrueshëm për gratë.

E ndërsa mbulimi i grave nuk është i vetmi shqetësim, pasi kishte frikë nëse ato do të mund të punojnë lirisht, sidomos pas disa incidenteve të mëparshme.

Fillimisht ishte marrë vendimi që gratë të mos lejoheshin të punonin në media, por ditën e sotme një nga mediat kryesore në Afganistan ToloNeës ka vendosur që një grua të jetë imazhi i ekranit.  Kreu i lajmeve Tolo, Miraqa Popal postoi një status në të cilën shihej një prezantuese femër duke intervistuar një anëtar të ekipit të talebanëve live në studio. Ai gjithashtu postoi një foto ku shihej një grua e veshur me hixhab e cila po zhvillonte një takim në mëngjes në redaksi.

Ndërkohë që edhe kryebashkiakja e parë femër e një qyteti afgan thotë se është mbyllur në një apartament dhe po pret tashmë që talebanët të vijnë dhe ta vrasin pasi rimorën kontrollin e vendit.

Zarifa Ghafari, 27 vjeçe, e cila drejton qytetin Maidan Sharh në Afganistanin qendror, tha për mediat se nuk kishte tentuar që të largohej nga vendi sepse nuk kishte ku të shkonte. Ghafari, u bë kryebashkiakja më e re e vendit kur u zgjodh në 2018. Ajo ka mbrojtur të drejtat e grave në Afganistan për vite me radhë, duke drejtuar emisionin e saj në radio dhe duke themeluar një OJQ të fokusuar në fuqizimin ekonomik të grave.

Ndërkohë që vetëm pak javë para se ata të merrnin nën kontroll vendin ata kishin kërkuar listën e femrave beqare nga 12 deri në 45 vjeç për ti martuar.

Në bazë të rregullave të Sheriatit, gratë duhet të mbulon me burka ose Hijjab, nuk duhet të lëvizin pa shoqërinë e një mashkulli që konsiderohet si kujdestar nuk kanë të drejtë të arsimohen, duke bërë që 20 vite përpjekje dhe luftë për të drejta të veniten, duke lënë pasiguri dhe frikë për të ardhmen e tyre….

Ora 11:07
Kreu i Komisionit Ushtarak të talebanëve jep urdhër: Askush të mos hyjë në shtëpitë e njerëzve

Kreu i Komisionit Ushtarak të talebanëve, Mullah Yaqoob, ka dhënë urdhër që askush të mos lejohet të hyjë nëpër shtëpi, veçanërisht në qytetin e Kabulit.

Deklarata vjen pas raportimeve se grupi kishte hyrë në shtëpitë e njerëzve në kryeqytet.

Grupi gjithashtu lëshoi ​​një amnisti të përgjithshme dhe u bëri thirrje të gjithë punonjësve të qeverisë të kthehen në punë.

Ora 09:37
Bush: Ndihem i prekur nga situata në Afganistan

Ish -presidenti amerikan George W. Bush I cili udhëhoqi luftën në Afganistan pas sulmeve të 11 shtatorit dhe ish -zonja e parë Laura Bush deklaruan se ndihen thellësisht të prekur nga ngjarjet që po ndodhin në Afganistan.

“Laura dhe unë po ndjekim me vëmendje ngjarjet tragjike që po ndodhin në Afganistan dhe jemi thellësisht të prekur.  Ne jemi pranë njerëzve afganë që kanë vuajtur aq shumë, amerikanëve dhe aleatëve të  NATO -s që kanë sakrifikuar aq shumë,” tha në një deklaratë ish -presidenti amerikan.

Ai tha se SHBA kishin autoritetin dhe përgjegjësinë për të shkurtuar burokracinë për evakuimet gjatë krizave të mëdha humanitare.

Muajin e kaluar, ish -presidenti tha për Deutsche Welle se besonte se pasojat e tërheqjes së SHBA nga Afganistani do të ishin "tepër të këqija" për gratë dhe vajzat atje.

Vërejtjet e tij të fundit vijnë në kontrast të plotë me komentet e tij shpresëdhënëse gjatë një takimi me Presidentin e atëhershëm të Afganistanit Hamid Karzai në 2004, kur Bush përshëndeti "fitoren e parë në luftën kundër terrorizmit" dhe u zotua " për të ndihmuar Afganistanin të ketë sukses dhe begati ".

"Rruga përpara për Afganistanin është ende e gjatë dhe e vështirë," tha ai në atë kohë. "Megjithatë, populli afgan duhet ta dijë se vendi i tyre nuk do të lihet kurrë për terroristët dhe vrasësit."

Ora 09:19
Afganët të frikësuar ikin nga vendi, talebanët argëtohen në lodrat për fëmijë

Imazhet e shpërndara në rrjetet sociale me afganë të frikësuar, gra që i frikësohen të kthyerit në jetën e mëparshme , pa të drejta në anën tjetër disa luftëtarë talebanë janë filmuar duke u argëtuar në një park lodrash për fëmijë.

Një video postuar në Twitter nga reporteri i Reuters Hamid Salizi, shihet një grup talebanësh duke u argëtuar në një park lojrash në qytet, duke luajtur me makinat dhe madje duke u ngjitur mbi kuajt e karuselit.

Në videot e çuditshme, talebanët e moshave të ndryshme shfaqen duke qeshur, disa ende me armë në duar. Edhe më të çuditshme janë skenat që i shfaqin në “karuselin” e parkut, duke hipur mbi kuajt të destinuar për kalamaj të vegjël.

Një video tjetër që qarkullon në internet thuhet se është marrë në palestrën e pallatit presidencial, pasi u pushtua nga talebanët. Në video, luftëtarët e rinj duket se provojnë instrumente dhe pesha, duke qeshur dhe duke bërë fotografi.

Ora 09:16
Imazhet e pabesueshme, burri ngjitet në avion edhe pse ai ishte gati për t'u nisur

Imazhet e një të riu afgan, teksa mundohet të ngjitet në një avion që po largohej nga aeroporti i Kabulit, janë mishërim i vërtetë i dramës që po përjetojnë njerëzit në Afganistan.

Mes mundësisë për të humbur jetën në përpjekjen e tij, siç ndodhi ditën e djeshme me disa bashkëkombës të tij, ky i ri afgan zgjedh të kapet tek shpresa edhe pse ishte aq e vogël.

 U mbështet në duart e atyre në avion për ta tërhequr lart dhe në duart e atyre në tokë për ta shtyrë, si një trofe i përbashkët dhe një shpres3ë akoma më e madhe për ata që ende mbeten në tokë.

Ky i ri ia doli, shpëtoi …. Por se çfarë do të ndodhë me miliona të tjerë mbetet vetëm të shpresojnë….

 

Ora 08:08
Kryebashkiakja e parë femër në Afganistan: Jam e mbyllur në apartament dhe po pres të vijnë të më vrasin

Kryebashkiakja e parë femër e një qyteti afgan thotë se është mbyllur në një apartament dhe po pret tashmë që talebanët të vijnë dhe ta vrasin pasi rimorën kontrollin e vendit.

Zarifa Ghafari, 27 vjeçe, e cila drejton qytetin Maidan Sharh në Afganistanin qendror, tha për mediat se nuk kishte tentuar që të largohej nga vendi sepse nuk kishte ku të shkonte.

“Unë jam ulur këtu duke pritur që ata të vijnë. Nuk kam askënd që të më ndihmojë mua ose familjen time. Unë thjesht jam ulur me burrin tim dhe po rri. Ata do më vrasin! Unë nuk mund ta lë familjen time! Dhe prap se prap ku do të shkoj?!”-ka thënë Zarifa Ghafari.

Ghafari, u bë kryebashkiakja më e re e vendit kur u zgjodh në 2018. Ajo ka mbrojtur të drejtat e grave në Afganistan për vite me radhë, duke drejtuar emisionin e saj në radio dhe duke themeluar një OJQ të fokusuar në fuqizimin ekonomik të grave.

Ish-zonja e parë e SHBA Melani Trump, kryebashkiakia Zarifa Ghafari dhe ish-sekretari amerikan i shtetit Mike Pompei
Ora 07:59
Talebanët marrin kontrollin e Afganistanit, Facebook merr masa

Facebook ka konfirmuar se i konsideron talebanët një organizatë terroriste dhe kështu ndalon grupin dhe të gjithë ata që i mbështesin që të përdorin këtë platformë për të përcjellë mesazhet e tyre. Kompania ka njoftuar se ka një ekip të dedikuar ekspertësh afganë për të monitoruar çdo mesazh dhe për të hequr përmbajtjet që ka lidhje me grupin. Facebook theksoi se politika do të zbatohet për të gjitha platformat e tjera, përfshirë Instagram dhe WhatsApp. Sidoqoftë, ka raporte se talebanët po përdorin Whatsapp për të komunikuar. Facebook-u i tha BBC -së se do të merrte masa nëse zbulonte se llogaritë e WhatsApp ishin të lidhura me grupin.

Ora 07:43
U mbërthyen pas rrotave të avionit për t’u larguar nga Afganistani, gjenden pjesë të trupit të njerëzve në aeroplanin e evakuimit

Pjesë të trupave njerëzore janë gjetur në rrotat e një aeroplani ushtarak të cilët u përdorën një ditë më parë për evakuimin e refugjatëve afganë nga Afganistani, tashmë që vendi ka rënë në duart e talebanëve.

Në një video të publikuar një ditë më parë, nga aeroporti i Kabulit pamjet ishin dramatike, ku afganët vraponin që të hipnin mbi një aeroplan të Forcave Ajrore të SHBA.

Një video tjetër e përhapur gjerësisht tregon dy persona që bien nga një aeroplan në ajër, duke gjetur vdekjen. Duke cituar një zyrtar pa emër, Washington Post, raportoi se rënia kishte ndodhur.

Zyrtari tha se dy personat ishin afganë që ishin kapur në rrotat e avionit. Ekuipazhi gjeti eshtrat njerëzore  kur bënte një inspektim.

B.K./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar