PAKISTAN - Forcat talebane në Pakistan kanë qëlluar dhe plagosur rëndë një 14 vjeçare e cila njihej për deklarimet publike kundër militantëve. Malala Yousufzai u qëllua në kokë dhe në qafë në momentin kur një person i armatosur hapi zjarr në autobusin në të cilin ajo po udhëtonte në kryeqytetin Islamabad. Raportohet se dy vajza të tjera janë plagosur nga kjo ngjarje.

"Malala po shkonte me autobus nga shkolla në shtëpi. Gjatë rrugës dy persona të armatosur ndaluan autobusin e shkollës dhe njëri prej tyre që mbante një pistoletë në dorë u fut brenda dhe pyeti kush është Malala. Pasi vajzat i treguan ai qëlloi menjëherë në drejtim të saj", tha zyrtari i policisë. Mjekët kanë nisur përpjekjet për të shpëtuar vajzën ndërsa fillimisht ajo është vendosur në Saidu Sharif Hospital.

Kryeministri i Pakistanit Raja Pervez Ashraf tha se Malala do të zhvendoset drejt një tjetër qendre spitalore më të specializuar. "Kemi dërguar një helikopter që ta dërgojnë në një spital më të specializuar për të kryer ndërhyrjet kirurgjikale", u shpreh ai. Vajza u bë e famshme në vitin 2009 kur shkroi një ditar për jetën nën regjimin e militantëve talebanë që kishin nën kontroll zonën. Një zëdhënës i talebanëve konfirmoi për BBC se ata janë autorët e sulmit.

(dm/Gre.M/Shqiptarja.com)