Lufta/ Tani në shënjestrën e Kievit janë depot dhe logjistika ruse, por edhe trupat e Penjanit

Lufta/ Tani në shënjestrën e Kievit janë depot dhe logjistika ruse, por edhe trupat e Penjanit

Raketat ATACAMS

Shtabi qendror i Moskës po përjeton orë të ethshme. Vendimi i Joe Biden e detyron të rishikojë të gjitha vendosjet e forcave në prapavijën e rajonit të Kurskut dhe ndoshta do të imponojë një pauzë të gjatë në operacionin e nisur një javë më parë për të dëbuar ukrainasit nga territori rus i pushtuar në tetorin e kaluar.

Bindja se amerikanët nuk do të lejonin përdorimin e raketave ATACMS, në këtë zonë ka bërë që kazermat, depot e municioneve dhe bazat ajrore të jenë brenda rrezes së veprimit të këtyre armëve, rreth treqind kilometra. Tani, vendimi i presidentit në largim i shndërron ato në objektiva, mbi të cilët në orët e ardhshme ka rrezik të bien raketa amerikane. Këto janë armë shkatërruese, pasi lëshojnë 950 bomba thërrmuese mbi një zonë prej 33 mijë metrash katrorë.

Nuk do të jenë kërcënimi i vetëm: pritet dhe Parisi dhe Britania e Madhe të japin të njëjtën autorizim për përdorimin e raketave Storm Shadoë-Scalp, të prodhuara nga konsorciumi evropian Mbda. Këto raketa kanë një rreze veprimi edhe më të madhe — mendohet se mund të arrijnë mbi katërqind kilometra —dhe janë të projektuar për të shkatërruar bunkerë nëntokësorë. Elementi më i rëndësishëm është sistemi i drejtimit që njeh hartat e terrenit pa u varur nga satelitët GPS: një pajisje që teknikët rusë nuk kanë arritur kurrë ta pengojnë me masat e tyre kundërvepruese elektronike.

Dy javë më parë, qendra kërkimore ukrainase Tatarigami publikoi një analizë të infrastrukturave ruse që mund të shënjestrohen nga ATACAMS. Dhjetëra depo municionesh dhe karburanti nuk janë më të mbrojtura nga sulmet. Gjithashtu, edhe aeroporti i Kurskut, nga ku operojnë avionët bombardues Sukhoi 25, që kryejnë sulme në lartësi të ulët kundër pozicioneve të Kievit: pistat shërbejnë kryesisht për transferimin e ushtarëve nga pjesa tjetër e Rusisë me avionë transportues Ilyushin 76. Fronti është vetëm njëqind kilometra larg dhe një pjesë e kontingjentit koreanoverior ka ateruar aty pas stërvitjes në Siberi. Gjithashtu, dhjetëra godina të shndërruara në konvikte për 50 mijë ushtarë të Moskës dhe Phenianit, të grumbulluar për sulmin kundër ukrainasve, rrezikojnë të shkatërrohen njëra pas tjetrës.

Nuk është e qartë se çfarë autonomie do t'u jepet komandave ukrainase, por për ta do të ishte strategjike të mund të sulmonin bazën ajrore të Lipetskut: nga aty nisen dhjetëra avionë Sukhoi që lëshojnë bomba Kab mbi qendrat e rezistencës ukrainase në rajonin e Kurskut dhe atë të Luganskut. Satelitët kanë fotografuar avionë të fuqishëm Sukhoi të të gjitha modeleve — nga Su-24 te Su-34 dhe Su-35 — të rreshtuar në bazë: por ajo ndodhet 290 kilometra larg kufirit dhe për të arritur ta sulmojnë, raketat Atacms do të duhet të afrohen në mënyrë të rrezikshme pranë vijës së parë të frontit.

Për më tepër, rusët kanë organizuar në rajonin e Kurskut kampe të vogla që shërbejnë si baza të përparuara për helikopterët luftarakë: janë pika mbështetëse ku ata furnizohen me karburant dhe municione, duke u mundësuar të kthehen shpejt në betejë. Ka të ngjarë që ato të çmontohen pasi të gjitha ndodhen brenda rrezes së raketave taktike amerikane.

Së fundmi, ekziston një pyetje thelbësore që Kievi do të duhet t'i përgjigjet: të bombardojë apo jo karvanët hekurudhorë që transferojnë tanke, artileri dhe furnizime? Rusët muajt e fundit kanë sulmuar karvanët e ngarkuar me mjete ushtarake në stacionet e Donbasit, por ukrainasit duhet të marrin parasysh rrezikun e një hakmarrjeje kundër trenave të mallrave dhe pasagjerëve që deri tani nuk janë prekur.

Si do të përgjigjet Kremlini ndaj hyrjes së ATACAMS në territorin e Kurskut? Për muaj me radhë ka kërcënuar me hakmarrje të ashpër, duke përmendur edhe armët bërthamore, por duket e vështirë që Putini të nisë një përplasje të drejtpërdrejtë me Uashingtonin kur kanë mbetur vetëm dy muaj nga inaugurimi i Donald Trump. Më e mundshme duket një hakmarrje e tërthortë: furnizimi me raketa dhe informacione grupit rebel Houthi në Jemen për të mbajtur nën presion flotën amerikane në Detin e Kuq. Ose mund të lejojë sisteme kundërajrore dhe teknologji bërthamore Koresë së Veriut. Dy lëvizje që gjithsesi do të përfaqësonin një përshkallëzim të mëtejshëm të krizave të hapura në planet. /La Repubblica/ 

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    18 Nëntor, 08:54

    Besoni se buxheti 2025 do ndikojë pozitivisht në të ardhurat e qytetarëve?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Salvador Kaçaj paraqitet në SPAK, vitin e kaluar denoncoi se iu bë atentat (VIDEO)

Tiranë/ Salvador Kaçaj paraqitet në SPAK, vitin e kaluar denoncoi se iu bë atentat (VIDEO)