Festivali Mbarëkombëtar i Humorit uli siparin në Teatrin “Migjeni” me “Natën e Yjeve”, një mbrëmje që bashkoi në skenë emra të njohur të humorit shqiptar dhe këngëtarë shkodranë.
Për tetë nete, festivali solli per publikun shfaqje që i dhanë jetë skenës së “Migjenit”, në edicionin e parë me emrin “Tano Fest”, kushtuar 100-vjetorit të lindjes së Tano Banushit.
Një nga momentet më të duartrokitura të finales ishte interpretimi i Parodistëve të Vlorës, të cilët sollën në skenë motivet e këngës shkodrane.
Finalja u përmbyll me ndarjen e çmimeve. Juria, e përbërë nga Zyliha Miloti, Arian Çuliqi, Julian Deda, Romir Zalla dhe Primo Shllaku, shpalli shfaqjen më të mirë, komedinë “Gomerët e Trojeve”, me regji të Gent Bejkos dhe interpretim të trupës së Teatrit “Migjeni”.
Çmimi i dha mbrëmjes një gëzim të veçantë për publikun shkodran, që pa të vlerësohej puna e trupës së qytetit….
Drejtori i Teatrit “Migjeni”, Gerti Palali e cilësoi festivalin një eksperiencë të veçantë dhe një ngjarje që i ka munguar prej kohësh Shkodrës, duke theksuar pjesëmarrjen e shtatë shfaqjeve konkurruese nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe praninë e emrave të njohur të artit dhe kinematografisë.
"Është një eksperiencë e madhe dhe shumë e fortë emocionalisht, një festival që i ka munguar shumë Shkodrës. Në këtë festë kanë marrë pjesë plot 7 shfaqje konkurruese nga e gjithë Shqipëria dhe Kosova. Është shumë bukur kur teatrot takohen në një qytet. Kemi emra të mëdhenj të artit dhe kinematografisë."- u shpreh Palali.
Ndërkohë aktori Fritz Selmani u shpreh i emocionuar për pjesëmarrjen në festival, duke uruar që kjo ngjarje të kthehet në një traditë të përvitshme dhe të zgjerohet në edicionet e ardhshme.
"Kam pasur shumë emocione që natën e parë. Uroj që ky festival të ketë jetë të gjatë, të zhvillohet çdo vit dhe të vijë gjithmonë e më i madh. Sonte është një natë që nuk do të harrohet, pasi arritëm të fitonim edhe çmimin për shfaqjen më të mirë. Falënderoj nga zemra publikun shkodran, që na ndjek në çdo shfaqje që japim."- tha aktori.
Përmes shfaqjeve dhe takimit të artistëve me publikun, Shkodra e nderoi aktorin Tano Banushi në skenën ku humori i tij la gjurmë, duke i dhënë njëherësh hapësirë krijimtarisë së sotme shqiptare.









Komente
Komento