ROME - Senati italian ka vendosur të shtyjë ratifikimin e marrëveshjes tripalëshe Itali-Greqi-Shqipëri në lidhje me kalimin e gazsjellësit Trans Adriatik TAP, i cili do të sjellë në Europë gazin nga Azerbajxhani.

Kjo shtyrje ndodh në një kohë kur TAP ka filluar aktivitetin e vlerësimit dhe blerjes së tokave për të gjithë gjurmën prej 870 km ku parashikohet të kalojë gazsjellësi “Trans Adriatic Pipeline” (TAP) në Shqipëri, Greqi dhe Itali

Agjencia e lajmeve Reuters për Italinë informonte mbrëmë se vendimi për shtyrjen e ratifikimit të marrëveshjes ka të bëjë me një relacion teknik sa i takon dy fakteve të reja për të cilat senatorët fillimisht kërkuan  të vihen në dijeni.

Në fund të korrikut pati ndryshime të disa aksionerëve të konsorciumit, ndërsa në shtator u bënë dhe nënshkrimet e para të kontratave afatgjata të shitjes së gazit natyror nga projekti i Shah Deniz. 

Deri tani shoqëritë që kanë firmosur me shoqërinë shtetërore Azere, SOCAR janë Enel, Hera , Shell, Bulgargas, Gasnatural Fenosa, Depa, E.On, Gdf Suez e Axpo.
Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje të furnizimit të gazit natyror nga projekti Shah Deniz, me  AXPO” dhe “E-ON Ruhr gaz”, të cilat janë dy ndër kompanitë aksionere të projektit TAP.

Projekti TAP është me interes të tre shteteve, dhe pritet të mos ketë pengesa ratifikimi nga senati italian, ndërkohë që qeveria italiane e ka firmosur marrëveshjen.

Shqipëria, Greqia dhe Italia firmosën më 16 shkurt në Athinë marrëveshjen ndërqeveritare për ndërtimin e gazsjellësit "Trans Adriatic Pipeline" (TAP). Kuvendi i Shqipërisë miratoi më 26 mars marrëveshjen tre paleshe.

Javën e kaluar Ministri i Energjisë dhe Industrisë shqiptare Damian Gjiknuri mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave afatgjata të shitjes së gazit natyror nga projekti i Shah Deniz. 

Redaksia online
(sg/shqiptajra.com)