Burime nga TAP njoftojnë se takimet me banorët në këtë rreth do të nisin në datën 23 shtator në komunën Progër, në datën 25 shtator në fshatin Shtyllë, ndërsa deri në datat 30 tetor dhe 14 nëntor, pritet të përfundojë inventarizimin e aseteve që nevojiten për këtë projekt.
TAP do të kalojë në territorin shqiptar në 209 km gjatësi, duke hyrë nga Greqia në Miras (Devoll), deri në bregdet në veri-perëndim të Fierit dhe në det të hapur 60 km gjatësi në Adriatik për të hyrë në Italinë e jugut, në San Foka.
Në Shqipëri gazsjellësi TAP parashikon një rrjedhje fizike të kundërt deri në 80% dhe zhvillim të depozitave të gazit natyror, pasi vendi ka depo të mëdha natyrore për depozitimin e gazit, të cilat pritet të ofrohen në projekt pas miratimit të rregullave nga ekspertët.
Investimi total i parashikuar projektin TAP llogaritet rreth 41 miliardë dollarë, nga të cilat 25 miliardë në fushën Shah Denize 2 për të nxjerrë rezervat e gazit.
Në Shqipëri investimi llogaritet rreth 2 miliardë dollarë dhe krijon direkt dhe indirekt mbi 20 mijë vende të reja pune gjatë zbatimit dhe më pas, ku pritet edhe gazifikimi i vendit.
TAP ka filluar aktivitetin e vlerësimit dhe blerjes së tokave në të gjithë gjurmën e tubacionit të gazit, 870 km, që do të kalojë gazsjellësi Trans Adriatic Pipeline në Shqipëri, Greqi dhe Itali.
Për këtë proces TAP ka autorizuar kontraktorët që të fillojnë vëzhgimet për të mbledhur informacion të detajuar lidhur me pronarët e tokave, që jetojnë përgjatë këtij korridori prej 870 km të gjatë për të plotësuar të dhënat ekzistuese kadastrale.
Ky proçes që emërtohet LEA, synon të identifikojë drejtë pronarët e tokave, të caktojë kufijtë e pronësisë dhe të vlerësohen pasuritë e prekura, duke u bazuar në marrjen e të drejtës për tokën, duke siguruar akses të plotë për gazsjellësin.
TAP do të kërkojë marrje me qera për përdorim të përkohshëm të tokës ku do të vendoset gazsjellësi dhe blerje të tokave, si akses të përhershëm për instalimet si stacione kompresorësh, stacionet e valvolave, etj. Në këtë proçes TAP po zbaton standardet ndërkombëtare të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD).
Në vitin 2014 TAP-i planifikon nisjen e marrëveshjeve me pronarët e tokave, duke rregulluar mënyrën se si do të merret aksesi për tokën. Për këtë çështje, TAP ka kontraktuar kompaninë hollandeze "Royal HaskoningDHV", që ka moibilizuar 200 ekspertë topografë, si pjesë e aktivitetit të LEA-s në Greqi, Shqipëri dhe Itali.
Gazsjellësi Trans Adriatic Pipeline (TAP) do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Deniz II në Azerbajxhan drejt Europës. Ai do të ketë gjatësi prej rreth 870 km, që do të lidhet me Trans Anatolian Pipeline (TANAP) afër kufirit turk-grek në Kipoi. Prej aty tubacionet do të kalojnë Greqinë, Shqipërinë dhe detin Adriatik, përpara se të kalojë në tokë në Italinë e Jugut.
Aksionerët e TAP janë BP (20%), SOCAR (20%), Statoil (20%), Fluxys (16%), Total (10%), E.ON (9%) dhe Axpo (5%).
Redaksia online
(ata/sg/shqiptarja.com)