ITALI - Shqipëria ka siguruar medaljet e para në Lojërat Mesdhetare 2026 që po zhvillohen në Taranto të Italisë, me sportin e mundjes që është protagonist kryesor. Ardit Zeneli ka fituar medaljen e bronztë, ndërsa Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudaev kanë siguruar të paktën medaljen e argjendtë, teksa sot do të luftojnë për arin në finalet e kategorive të tyre.

Në stilin greko-romak, Ardit Zeneli u ngjit në podium në kategorinë deri në 67 kilogramë. Mundësi shqiptar mposhti grekun Stavros Ntounias me rezultatin 9-8, pas një dueli të luftuar, në të cilin Zeneli arriti ta përmbysë situatën dhe të sigurojë medaljen e bronztë.

Rezultate të rëndësishme kanë regjistruar edhe Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudaev, të cilët kanë avancuar deri në finale në stilin e lirë.

Abakarov garoi në kategorinë deri në 65 kilogramë. Ai e nisi turneun me një fitore 3-0 ndaj egjiptianit Eman, ndërsa në sfidën e radhës mposhti sirianin Dirki me rezultatin 6-2. Me këtë sukses, Abakarov siguroi një vend në finale, ku do të përballet me turkun Duman për medaljen e artë.

Në kategorinë deri në 74 kilogramë, Islam Dudaev zhvilloi një paraqitje bindëse. Fillimisht, ai mposhti shqiptarin e Kosovës Egzon Xhoni me rezultatin 11-2, ndërsa në çerekfinale kaloi pa vështirësi grekun Georgios Ioakeimidis, duke fituar 10-0.

Në gjysmëfinale, Dudaev u përball me spanjollin Mohammad Mottaghinia dhe siguroi një tjetër fitore, këtë herë 3-1. Në finale ai do të përballet me mundësin shqiptar që përfaqëson Maqedoninë e Veriut, Fati Vejseli, në duelin që do të vendosë medaljen e artë.

Finalet e Abakarov dhe Dudaev do të zhvillohen pasditen e së hënës, me dy mundësit shqiptarë që do të synojnë të ngjiten në shkallën më të lartë të podiumit.

Ndërkohë, të hënën nis garimin edhe Albina Drazhi, e cila do të duelojë në çerekfinale të stilit të lirë në kategorinë deri në 68 kilogramë. Shqipëria shpreson të shtojë më tej numrin e medaljeve në këto Lojëra Mesdhetare.