Një 24-vjeçar shqiptar është arrestuar në Padova të Italisë, pasi dyshohet se tentoi të mashtronte një gazetare, e cila arriti ta kuptonte skemën dhe të njoftonte policinë.

Gjithçka nisi me një telefonatë nga një person që u prezantua si efektiv, duke i thënë gazetares se ishte kryer një grabitje në rrugën “Del Santo” dhe se autorët kishin përdorur makinën e saj për t’u larguar.

Ai kërkoi gruas të përgatiste bizhuteritë dhe orët e saj, pasi një person do të shkonte në banesë për t’i marrë dhe për t’i dërguar në komisariat, me pretendimin se do t’i kontrollonin për të parë nëse përputheshin me sendet e grabitura. Gazetarja e kuptoi menjëherë mashtrimin, por vendosi të shtirej si një e moshuar që ta besonte.

Ndërkohë që vazhdonte bisedën me telefon, ajo njoftoi policinë e cila dërgoi në adresën e saj një patrullë. Pak më vonë, 24-vjeçari mbërriti në banesë dhe u prezantua si personi i dërguar për të marrë sendet me vlerë ku u u përball me policët dhe u arrestua menjëherë.

Sipas mediave italiane, 24-vjeçari rezulton i evidentuar më parë nga policia, në korrik të këtij viti pasi i gjetën lëndë narkotike me qëllim shitjen e tyre. Ai u arrestua për tentativë mashtrimi dhe u mbajt në dhomat e sigurisë në pritje të gjykimit të drejtpërdrejtë.

Ndërkohë, drejtuesi i policisë në Padova, ka kërkuar që të shqyrtohet mundësia e mbajtjes së 24-vjeçarit në një qendër të posaçme, nga ku mund të kryhen procedurat për kthimin e tij në Shqipëri./ Corriere Della Sera