Shqipëria është një hap më pranë heqjes së tarifave roaming me Bashkimin Europian. Komisioni Evropian propozoi të mërkurën hapjen e negociatave me Shqipërinë, Bosnje Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë për t’i përfshirë në regjimin “Roam like at home”.
Bëhet fjalë për një skemë që lejon qytetarët të bëjnë telefonata, të dërgojnë SMS dhe të përdorin internet celular jashtë vendit me të njëjtat tarifa si në shtëpi, pa kosto shtesë.
Sipas njoftimit të ekzekutivit të BE-së, hapja e negociatave, kërkon fillimisht miratimin nga 27 vendet anëtare të BE-së.
Në një postim në platformën “X”, Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Marta Kos u shpreh se tarifat e roaming-ut janë një problem në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe tashmë duhet të hiqen ashtu si në vendet e BE -së.
“Tarifat e roaming-ut janë një problem në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Për punëtorët ndërkufitarë dhe familjet që telefonojnë të dashurit jashtë vendit. Faturat surprizë gjatë udhëtimit janë diçka që nuk pranohet më në BE. Sot, propozuam të fillojmë bisedimet për ta zgjeruar këtë qasje në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në postimin e Kos.
Roaming charges are a problem across the Western Balkans. For cross-border workers and families calling loved one abroad.
— Marta Kos (@MartaKosEU) February 25, 2026
Surprise bills when travelling are something we no longer accept in the EU.
Today, we proposed to start talks to extend this to the Western Balkans. pic.twitter.com/jzenTQgEEO
Nëse Këshilli i BE-së jep dritën jeshile, Komisioni do të negociojë marrëveshje dypalëshe me secilin prej vendeve të rajonit. Vetëm pasi këto marrëveshje të finalizohen dhe vendet të jenë plotësisht në përputhje me rregullat europiane të roaming-ut, qytetarët do të përfitojnë nga heqja e tarifave shtesë.
Kjo do të thotë se shqiptarët që udhëtojnë në BE do të mund të përdorin telefonin me tarifë vendase, ndërsa edhe qytetarët e BE-së që vizitojnë Shqipërinë do të kenë të njëjtin përfitim.
Nëse procesi ecën pa pengesa, Ballkani Perëndimor do t’i bashkohet zyrtarisht zonës “Roam like at home” të BE-së, duke e afruar edhe më shumë rajonin me tregun europian të komunikimeve.
Komente










