Tashmë duket se është vendosur që, nga 1 janari i vitit të ardhshëm, banorët e kryeqytetit do të duhet të paguajnë fatura 44 për qind më të shtrenjta se më parë për konsumin e ujit të pijshëm dhe largimin e ujërave nëpërmjet kanalizimeve, shërbime këto, që ua ofron ndërmarrja vendore e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë.

Ndryshe herët e tjera, kur për vendime të kësaj rëndësie – ashtu si dhe në rastin e energjisë elektrike – që kanë impakt të madh publik, janë ndjekur procedura të gjata dëgjimore me palët e interesuara, diskutime politike e publike, deri në vendimmarrjen që i takon Entit të Posaçëm Rregullator, etapat janë “djegur” nga pronari – Bashkia e Tiranës. Kjo e fundit ka ndërmarrë një procedurë për të rritur ndjeshëm tarifimin e klientëve, familjarë e biznese duke shkelur afatet ligjore, çka ra si rrufe në qiell të hapët mbi tiranasit.

Por duket se kjo nxitje ka çuar në shkelje të rënda proceduriale të drejtuesve dhe personelit të UKT dhe te Bashkisë. Aplikimi per rritjen e cmimit prane Entit rregullator te ujit (ERRU) duhet të bëhej vetëm pas vendimit të Këshillit Bashkiak dhe pas organizimit të Dëgjesës Publike, gjë që nuk është bërë në këtë rast. Sipas ERRU, UKT e ka dorëzuar kërkesën për rritjen e çmimit të ujit në datën 30 qershor 2017, duke respektuar kështu afatin e fundit të përcaktuar nga ligji. Por në fakt, sipas një dokumenti që disponon Shqiptarja.com, rezulton se mbledhja e aksionerëve të UKT pikërisht për të vendosur mbi rritjen e çmimit është zhvilluar më datë 7 korrik 2017.

Pra, me cilat kompetenca UKT, një javë para vendimit te aksionerëve, ka aplikuar pranë ERRU?
 
Mbledhja e Aksionerëve

Shqiptarja.com zotëron një kopje të procesverbalit të mbledhjes së aksionerëve të Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë. Ky është organi madhor i ndërmarrjes, për më tepër një ndërmarrjeje të tillë me rëndësi strategjike, që mund të marrë vendim për të ndryshuar tarifat për shërbimet e kryera.

Po çfarë vihet re?
Mbledhja është zhvilluar më datë 7 korrik 2017, me praninë e vetëm dy prej tre aksionerëve. Konkretisht, Bashkia e Tiranës është aksioneri kryesor, por 14.6 për qind të aksioneve në ndërmarrje i ka Bashkia e Kamzës dhe 2.9% ajo e Vorës. Ndërkohë, që përfaqësuesi i kësaj të fundit ishte prezent, përfaqësuesi i Kamzës nuk ka marrë pjesë.

Duke folur me autorizimin e kryetarit të Bashkisë – dhe aksionerit kryesor – Erjon Veliaj, nënkryetari Arbër Mazniku ka deklaruar shprehimisht që në pikën 2 të rendit të ditës do të diskutohet “ndryshimi i tarifave, që është pjesë e Biznes Planit 5-vjeçar”. Kjo ishte lënë më parë për në pikën 7 të rendit të ditës “Të tjera”.

Pra, diskutimi dhe miratimi që të kërkohej më tej rritja e tarifimit të qytetarëve dhe bizneseve të Tiranës është zhvilluar nga aksionerët më datë 7 korrik. Megjithatë, dje u mësua se propozimi ka shkuar në institucionin që miraton një gjë të tillë 7 ditë para kësaj mbledhjeje.

Pra, kërkesa e ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë për rritjen e çmimit të ujit për banorët e kryeqytetit mbart shkelje të procedurave dhe afateve kohore të përcaktuara në rregulloret e Entit Rregullator të Ujit. Si e tillë nuk mund të miratohet, të paktën në respekt të ligjit. Megjithatë, kryetari i Entit Ndriçim Shani tha dje për median se ai vetë është i vendosur të shqyrtonte kërkesën pavarësisht shkeljeve, duke i konsideruar afatet dhe procedurat e shkelura si probleme jo të rëndësishme, diçka të dorës së dytë. “Rëndësi ka që të jenë të gjitha dokumentet dhe letrat kur të shqyrtohet dosja,” tha Shani, kur u pyet se pse ka pranuar aplikimin e UKT në mungesë të dokumenteve, të cilat një rregullore e vetë ERRU i konsideron si të domosdoshme dhe që e bëjnë aplikimin të pavlefshëm. “Këto nuk kanë rëndësi nga ana esenciale,” tha Shani. “Ne toleranca të tilla i kemi bërë gjithmonë,” shtoi ai.
 
Procedurat
Lidhur me diskutimin dhe miratimin apo rrëzimin e një propozimi për ndryshime tarifore, ekziston një procedurë shumë e detajuar. Sipas saj, aplikimi duhet të bëhet pas vendimit të Këshillit Bashkiak dhe pas organizimit të Dëgjesës Publike, gjë që nuk është bërë në këtë rast, në momentin kur u dorëzua kërkesa në ERRU. Dhe dorëzimi i kërkesës më 30 qershor duket se bie ndesh edhe me rregulloren tjetër të ERRU, konkretisht vendimin nr. 40, datë 9.12.2015, “Për Miratimin e Dokumentacionit Mbështetës për Miratimin e tarifave të Shërbimit…”, në të cilin sanksionohet se kërkesa e operatorit për ndryshimin e çmimeve, përveçse duhet të dorëzohet “brenda gjashtëmujorit të parë”, duhet të mbartë para dorëzimit një listë me dokumente, të cilat, aplikimit aktual duket se i mungojnë.

Në pikën 2 të këtij vendimi, sanksionohet që aplikimi për tarifat duhet të ketë si dokumente shoqëruese mes të tjerash edhe “mendimin e pronarit për nivelin e ri të tarifave të kërkuara” si dhe “Procesverbalin e Seancave Dëgjimore me Publikun”.

Të dyja këto dokumente nuk mund të kenë qenë në datën 30 qershor, për shkak se pronari-Bashki vendimin e vet e ka marrë më 7 korrik dhe jo më 30 qershor. Dhe aq më pak, nuk kishte në atë datë as një vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës, që u u mor vetëm më 26 korrik, kurse seanca dëgjimore me publikun u zhvillua dje, më 27 korrik.

Por Vendimi 40, në pikën 3 të tij nuk lë hapësira për manovra pasi sanksionon: “Mungesa e një prej dokumenteve të sipërpërmendura bën që propozimi për ndryshim tarife të mos shqyrtohet nga ERRU”.

dokument ere

ere dokumenta

ere dokumenta

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com