Këshilli Bashkiak i Vlorës ka miratuar vendosjen e një tarife prej 700 lekësh për përdorimin e plazheve publike, një vendim që ka shkaktuar debat mes këshilltarëve.
Projektvendimi u votua nga shumica e këshilltarëve të majtë, ndërsa opozita doli kundër. Në votim u vu re edhe një devijim nga radhët e mazhorancës, pasi një këshilltare socialiste votoi kundër, duke mos mbështetur qëndrimin e grupit.
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Vlorë, Atird Hoxha, e kritikoi vendimin, duke e cilësuar atë të paqartë dhe jo transparent për qytetarët.
Nga ana tjetër, përfaqësues të shumicës argumentuan se vendosja e tarifës lidhet me menaxhimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike bregdetare, megjithëse detaje të plota mbi zbatimin e saj nuk u bënë publike gjatë mbledhjes.
Debati mbetet i hapur, ndërsa çështja e aksesit falas në plazhet publike vijon të jetë një nga temat më të ndjeshme për qytetarët dhe pushuesit. Pyetja që shtrohet pas këtij vendimi është e thjeshtë: ‘a do të përmirësohen shërbimet për qytetarët, apo do të rritet vetëm barra financiare?’
Ndërkohë në mbledhjen e bërë para dy javëve në Këshillin Bashkiak, propozimi i opozitës ishte për çmimin 500 lekë, gjë që u aprovua edhe nga maxhornaca, por nëpërmjet një kërkesë-projektvendimi Bashkia ka kërkuar sërisht ndryshim të çmimit, me pretendimin se nuk dilnin kostot. Kjo kërkesë u miratua ditën e sotme me shumicë votash të mazhorancës.
Komente









