“Po e ndjekim me shumë vëmendje atë që po ndodh me kryetarin e Bashkisë së Tiranës”. Kështu u shpreh Antonio Mazzeo, bashkëkryetar i Komitetit të Përbashkët Konsultativ CoR-Shqipëri, gjatë takimit të mbajtur në Elbasan, ku ngriti çështjen e paraburgimit të Erion Veliajt dhe theksoi se duhet të respektohen plotësisht procesi i rregullt ligjor dhe pavarësia e gjyqësorit.
Zyrtari europian solli në vëmendje edhe raportin e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, që ngre shqetësimin për praktikën e paraburgimit të zgjatur ndaj kryetarëve të bashkive.
“Më falni se po hyj në një dinamikë me karakter lokal, por është raporti i paraqitur pranë Këshillit të Evropës lidhur me praktikën e paraburgimit të zgjatur ndaj kryetarëve të bashkive, duke sjellë në vëmendje edhe vëzhgimet nga Komisioni i Vjenës. Më duhet të them se ne, si përfaqësues të autonomive vendore, po e ndjekim me shumë vëmendje atë që po ndodh sot lidhur me kryetarin e bashkisë së Tiranës, duke ritheksuar rëndësinë e respektimit të plotë të procesit të rregullt ligjor dhe të pavarësisë së gjyqësorit”, tha Mazzeo.
Deklarata vjen dy ditë pas transferimit të Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit, më 28 tetor.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e argumentoi transferimin me arsye sigurie, ndërsa shkaqet konkrete të vendimit u klasifikuan si “sekret shtetëror”.
Veliaj e ka kundërshtuar transferimin, duke e cilësuar arbitrar dhe “rrëmbim policor”.
Kryebashkiaku u arrestua më 10 shkurt 2025 dhe ndodhet në paraburgim prej shkurtit të vitit 2025








Komente
Komento