Në një kujtesë që ka nisur për subjektet mbrëmë në darkë, Drejtoria Rajonale tatimore njofton se ka ushtruar rreth 409 verifikime në vend për faturat tatimore shoqëruese të mallrave gjendje apo në ruajtje për tatimpaguesit objekt i tatim fitimit të thjeshtuar nga ku janë vendosur 43 penalitete, bazuar në ligjin për procedurat tatimore, konkretisht nenit për “Mallrat e pashoqëruara me dokumente tatimore”.
Tatimet bëjnë të ditur se është marrë masa konfiskim i të gjithë sasisë së mallit për 90 tatimpagues.
Tatimet kanë paralajmëruar bizneset se do të vazhdojnë kontrollet në vend lidhur me verifikimin dhe zbatimit të nenit përkatës dhe u kanë kërkuar subjekteve të marrin masa për të mbajtur të shoqëruar me dokumente tatimorë mallin gjendje si dhe për çdo blerje të kryer të marrin faturë tatimore.
Si rrjedhojë e pezullimit të ndryshimeve të fundit të ligjit për procedurat tatimore, bizneset me shumicë kanë shpëtuar nga gjoba prej 10 milionë lekë që parashikohej nëse mbante apo transportonte mallra pa faturë si dhe nga rivlerësimi tatimor.
Aktualisht dënimet me të cilat ata përballen janë konfiskim të të gjithë sasisë së mallit, që mbahej në ruajtje, përdorej apo transportohej, i pashoqëruar me dokumente tatimore, ose me kërkesë të tatimpaguesit, masa e konfiskimit zëvendësohet me pagesën e menjëhershme të një gjobe, të barabartë me vlerën e tregut për të njëjtin mall.
Aksioni
Që nga shtatori i vitit të kaluar, tatimet kanë nisur aksionin kundër informalitetit në vend. Deri në fund të vitit të kaluar vemëndja u përqenduar te formalizimi i biznesit të vogël (u regjistruan rreth 30 mijë biznese në 2015-n, ndërsa u rrit ndjeshëm përdorimi i kasave).
Në janar të këtij viti nisën kontrollet për inventarët, ku bëhej verifikimi i inventarit të mbylljes së vitit, me atë fizik.
Një javë më parë bizneset u njoftuan se në bazë të analizës së riskut, bizneset do të kontrollohen për verifikimin e pagave të deklaruara, krahasimin me kompanitë e të njëjtit sektor, si dhe verifikimin me deklaratën vjetore individuale të të ardhurave.
Dënimet: Mallrat e pashoqëruara me dokumente tatimore
1. Tatimpaguesi, që mban në ruajtje, përdor ose transporton mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, dënohet me konfiskim të të gjithë sasisë së mallit, që mbahej në ruajtje, përdorej apo transportohej, i pashoqëruar me dokumente tatimore.
2. Me kërkesë të tatimpaguesit, masa e konfiskimit zëvendësohet me pagesën e menjëhershme të një gjobe, të barabartë me vlerën e tregut për të njëjtin mall. 3. Personi i identifikuar i paregjistruar, në kuptim të nenit 41 të këtij ligji, dënohet me konfiskim të të gjithë sasisë së mallit që mban në ruajtje, përdor apo transporton.
Gjithashtu, në përputhje me nenin 116, të këtij ligji, administrata tatimore ushtron të drejtën e parashikuar në nenin 131, të këtij ligji, duke e kallëzuar penalisht tatimpaguesin.
NENI QE U PEZULLUA: “Tatimpaguesi, që shet mallra me shumicë, që mban në ruajtje, përdor apo transporton mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, dënohet me gjobë në masën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, konfiskim të të gjithë sasisë së mallit, që mbahej në ruajtje, përdorej apo transportohej, i pashoqëruar me dokumente tatimore dhe rivlerësim tatimor të të ardhurave për një periudhë 6-mujore. Me kërkesë të tatimpaguesit, masa e konfiskimit zëvendësohet me pagesën e menjë-hershme të një gjobe, të barabartë me vlerën e tregut për të njëjtin mall. Për çdo konstatim (verifikim) tjetër pas verifikimit të parë, ku konstatohet se tatimpaguesi vazhdon të mbajë në ruajtje, të përdorë apo të transportojë mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, konsiderohet evazion tatimor, sipas nenit 116 të ligjit dhe administrata tatimore ushtron të drejtën e parashikuar në nenin 131, të këtij ligji, duke e kallëzuar penalisht tatimpaguesin”. /Monitor/
