Shkak për këtë sekuestro është bërë një detyrim tatimor prej 8.6 milionë lekë që AM-L Group i detyrohet shtetit në zëra të papaguara si tatim-fitimi, tatim i vlerës së shtuar dhe sigurime shoqërore.
A1Report ka siguruar faksimilen e shkresës me numër protokolli 33043/2 sipas të cilës Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve - Drejtoria rajonale Tiranë ka vendosur të mos lejohen që të kryhen tjetërsime mbi titujt e pronësisë për tatimpaguesin AM-L Group.
Në pikën tre të shkresë së Drejtorisë së Tatimeve sqarohet se: Tatimpaguesi i sipërcituar i është dërguar dokumenti “Njoftim për pagim detyrimi” por ai nuk është paguar ende.
Shkresa përcjellëse për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve sqaron se kjo masë sekuestroje vihet për të mos lejuar shmangien e detyrimit tatimor, pasi subjekti mund të kërkojë tjetërsim të titujve të pronësisë.
Vendimi i sekuestros mban datën 12 maj të këtij viti shoqëruar me firmën e drejtorit rajonal të Tatimeve Androkli Kokthi dhe Qendra Kombëtare e Bizneseve ka bërë aktiv këtë sekuestro më datë 22 qershor 2015.
Arben Frroku aksioneri i kësaj shoqërie me 50 % të aksioneve është në kërkim nga Policia e Shtetit pas vendimit të Apelit të Krimeve të Rënda i cili rikthen ndaj tij dënimin me burg për jetë për vrasjen e kryepolicit Dritan Lamaj shkurtin e vitit 2013.
Ndërkohë vëllai i tij deputeti kristian demokrat Mark Frroku i cili po ashtu disponon 50 % të aksioneve pranë AM-L Group qëndron në burg pas hetimeve të nisura dhe akuzës që rëndon ndaj tij për vrasjen e shqiptarit Aleksandër Kurti në vitin 1999 në Belgjikë.
( Faksimile e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve )
( Faksimile e ekstraktit të QKR )
Paralajmërimi për detyrimin
Gjithçka ka nisur në 20 maj 2014 kur Androkli Kokthi shefi rajonal i Tatim-Taksave në Tiranë njoftuar për herë të parë administratorin e kompanisë “AM-L Grup” Grand Frroku se kompania duhet të paguante një shifër prej 38 milion lekë të vjetra. Këto para nuk ishin paguar dhe për pasojë, Tatimet kanë vendosur barrë sigurie në kapitalin e firmës. Mirëpo pa kaluar shumë kohë një tjetër barrë sigurie vendoset në llogaritë e kompanisë “AM-L Grup” të Mark dhe Arben Frrokut. Këtë herë data shënon 11 shkurt 2015, ku sërisht Androkli Kokthi, vendos barrë sigurie mbi kapitalin e firmës shumën prej 84 milion e 600 mijë lek të vjetra.
Sërisht drejtuesit e kompanisë nuk kanë marrë asnjë hap për të zgjidhur këtë çështje. Tre muaj pas kësaj, sërisht ka qënë shefi rajonal i tatimeve, ku vendoste barrën e sigurisë, ku këtë herë shuma kishte shkuar në 86 milion e 400 mijë lekë të vjetra. Këtë herë janë praktikuar dhe gjoba ndaj subjektit “AM-L Grup”. Momentalisht barra e sigurisë është vendosur në QKR,duke mos lejuar njëherësh shitjen apo tjetërsimin e aksioneve të kësaj kompanie.
Shkresa e tatimeve
Në shkresën e tatimeve thuhet se: Tatimpaguesi i sipërcituar i është dërguar dokumenti njoftim për pagimin e detyrimit, por ai nuk është paguar ende. Këto detyrime tashmë janë subjekt i masave shtrënguese në përputhje me legjislacionin përkatës tatimor. Ky dokument përfaqëson barrën siguruese të titujve të pronësisë ndaj tatimpaguesve debitorë në favor të Shtetit Shqiptar, përfaqësuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë, nëpërmjet kësaj barre sigurie synon të mos lejohet tjetërsimi i titujve të pronësisë përfshi edhe shitblerje aksinesh, deri në shlyerjen e detyrimeve tatimore nga ana e tatimpaguesit debitor, të cilët për t’ju shmangur detyrimeve ndaj organit tatimor kërkojnë në institucionin tuaj tjetërsimin e titujve të pronësisë.
Historia kriminale Dy vëllezërit Frroku në burg për akuza vrasjesh
Dy vëllezërit Arben dhe Mark Frroku tashmë ndiqen penalisht për akuza të rënda si vrasje. Deputeti Mark Frroku aktualisht është izoluar në qelitë e paraburgimit 302 në Tiranë, pasi akuzohet për një vrasje të kryer në Belgjikë. Ndërkohë vëllai tjetër i tij, Arben Frroku është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi është dënuar me burg përjetë për vrasjen e ish-kryekomisarit Dritan Lamaj. Të dy vëllezërit rezulton me precedentë penale kryesisht në fushën e prostitucionit, tregtimit dhe shpërndarjes së drogës në Hollandë, Itali dhe Belgjikë.
Largimi i Arben Frrokut jashtë shtetit është bërë 8 ditë pasi gjykata e Apelit për Krime të Rënda ishte në pritje të dhënies së vendimit për dënimin ose jo të tij me burgim të përjetshëm. Frroku u shpall fajtor, pas marrjes së pafajësisë në shkallën e parë, ndërkohë që aktualisht nuk duhet se ku ndodhet. Frroku pas vrasjes së Lamaj është larguar në Greqi ku dhe është arrestuar dhe më pas u ekstradua në Shqipëri duke ju nënshtruar procesit gjyqësor.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)