Taulant Alibeaj, vëllai i kreut të Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeajt hedh poshtë që të jetë ndaluar nga policia gjermane, për grabitje.

Në një lidhje telefonike për Report Tv, ai mohoi të disponojë dokumente identiteti false, apo identitet të dyfishtë.

Sipas tij, kjo histori e trilluar ka prapavijë politike, për shkak të funksionit të vëllait të tij në Partinë Demokratike, si Shef i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike.
 
Z.Taulant, në media është raportuar se jeni ndaluar nga policia gjermane për grabitje...Si është e vërteta?
Të vërtetën e dinë ata që e kanë dhënë këtë lajm. Por unë jam i lirë dhe momentalisht jam duke pirë kafe me një shok.
 
Ndodheni në gjermani dhe nuk jeni ndaluar?
Në mënyrë absolute jo. Unë s'kam makinë. Dhe jo më të kem kryer vjedhje me armë.
 
Nuk ka ndodhur asgjë nga këto që është thënë?
Është një bumerang nga ata që është publikuar ky lajm. Unë jam i lirë në këto çaste.
 
Është abuzim i Policisë shqiptare apo asaj gjermane?
Nuk e di se çfarë mund të jetë kjo dhe nuk më intereson. Por e vërteta është se ka të bëjë me vëllain tim që ka një funksion të lartë në PD. Pra, ka të bëjë direkt me Enkelejdin. Ka motive politike.
 
Thuhet se keni karta identiteti false, identitet të dyfishtë...Prej sa vitesh jetoni në Gjermani?
Unë nuk jetoj në Gjermani, por në Tiranë. Kam ardhur për të takuar një shokun tim. Momentalisht jam i ftuar te shtëpia e atij shokut. Unë kam identitetin tim. Emri im ilir që rrjedh që nga lashtësia, është Taulant. Unë jam Taulant Alibeaj.
 
Në datën 6-7 prill, kur thuhet se jeni ndaluar...keni qenë në Gjermani ato ditë?
Kam festuar me shokun tim, pasi atë ditë nusja e shokut kishte ditëlindjen. Kjo është lehtësisht e verifikueshme. Kam qenë duke pirë me shoqërinë për atë ditëlindje. Është gjithçka trillim. Unë nuk jam ndaluar.
 
Theksuat se e gjithë kjo ka të bëjë me vëllain tuaj, Enkelejdin, ky është qëndrim që ka të bëjë vetëm me vëllain tuaj, me çështje politike?
Ka të bëjë direkt me çështje politike. Ka të bëjë vetëm me Enkelejd Alibeajn. 

18:30 Lidhja me Skype nga Gjermania, Taulant Alibeaj: S'jam ndaluar nga Policia
Në një komunikim të dytë për Report Tv, këtë herë me Skype, Taulant Alibeaj, vëllai i ish ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, mohoi edhe njëherë tjetër të jetë arrestuar nga policia gjermane.

Ai deklaroi se aktualisht ndodhet në Gjermani, për një vizitë familjare tek një mik i tij.

Ai përgenjështroi gjithashtu të jetë paraqitur në Gjermani me dokumente të falsifikuara. 

Z.Alibeaj, jeni ndaluar nga Policia gjermane në 6 prill?
Jo. S'jam ndaluar nga asnjë lloj policie. kam qenë pjesë e forcave të rendit deri në 2013-ën.
 
Keni qenë në Gjermani në këto data?
Jam momentalisht në Gjermani dhe jam i ftuar tek një miku im për çështje familjare.
 
E mohoni që jeni arrestuar?
Absolutisht po. Nuk di se për çfarë bëhet fjalë. Mund edhe ju të më sqaroni.
 
Nga raportimet flitet se jeni paraqitur me dokumente të falsifikuara...
Unë nuk kam pse të paraqes dokumente të tjera, përsa kohë kam dokumentet e mia. Unë jam Taulant Lutfi Alibeaj, i lindur në Fier. Më vjen keq për çfarë flitet.
 
Redaksia Online
Shqiptarja.com