TIRANE - Unë jam autori, bashkë me disa aktivistë të tjerë. Është kjo dëshmia ekskluzive që jep aktivisti i Partisë Civile Taulant Capa për televizionin A1 Report lidhur me incidentin me makinën e kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski, e cila u qëllua me vezë në shenjë proteste ndaj politikave të tij përkundrejt shqiptarëve në Maqedoni.

Në një prononcim ekskluziv për televizionin A1Report Taulant Capa rrëfen arsyet e këtij veprimi. Ai thotë se qëlluan me vezë makinën e kryeministrit maqedonas për “hir të diskriminim të shqiptarëve maqedonas në Maqedoni.” Sipas tij, edhe pse është vitit 2012 ende nuk zbatohet “marrëveshja e Ohrit” e vitit 2001.

Capa thotë se për shkak të diskriminimit nga politika e Gruevskit, shqiptarët maqedonas largohen drejt vendeve perëndimore për një jetë më të mirë.

“Pikërisht në prag të 100-vjetorit vjen kryeministri maqedonas me pafytyrësinë më të madhe. Nuk mund të shikojmë në mes të Tiranës flamuj maqedonas në një takim i cili realisht pritej të kishte incidente, pasi ky person i ka diskriminuar shqiptarët në Maqedoni. Shqiptarët janë mashtruar nëpërmjet fjalëve të bukura gjatë fushatës elektorale por pastaj janë zhgënjyer.”, -u shpreh Capa për Tv A1Report.

Ai thotë se pas veprimit u largua menjëherë nga vendi, ndërsa tregon se policië u vunë në ndjekje të tij. Ai rrëfen se aktualisht gjendet i fshehur diku dhe se nuk do të dorëzohet në polici pasi do të festoj 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë i lirë.

“Unë jam larguar nga vendi i ngjarjes duke u fshehur diku dhe jam në dijeni që policia shqiptare po më kërkon, por unë dua të jem i lirë më 28 nëntor. Nuk kam frikë nëqoftëse do ndalohem nga policia por unë thjesht dua të jem i lirë npër 100-vjetor. Kemi goditur me vezë makinën e kryeministrit.”, tha Capa.

Kryeministri maqedonas ndodhej në një vizitë zyrtare në Shqipëri me ftesë të kryeministrit Sali Berisha. Pas një takimi të zhvilluar mes homologëve në forumin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, makina e kryeministrit maqedonas është qëlluar nga aktivistë të Partisë Civile.

Ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites së sotme në kryeqytet teksa makina largohej nga ambientet e Hotel “Sheraton” aty ku u zhvillua takimi i homologëve.


TELEFONATA E TAULANT CAPA NE STUDION E TV A1REPORT!