Kanë dalë sot përpara Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) anëtarë të grupit kriminal të Igli Kamberit që u godit 2 ditë më parë nga një operacion i përbashkët mes SPAK dhe Antimafias së Barit. Grupi i Igli Kamberit akuzohet për pastrim parash të përfituara kryesisht nga trafiku i lëndëve narkotike.
GJKKO ka lënë në burg Edi Brahaj, Ergys Kastratin dhe Sajmir Pirrën. Masa e sigurisë është ndryshuar për bashkëshorten e Kamberit, Nevila Kamberi, e cila u la në “arrest shtëpie” ndërsa shoferi që tentoi futjen e 680 mijë eurove nga Mali i Zi drejt Shqipërisë më 2025, u la në ‘detyrim paraqitje’.
Masa e sigurisë u është konfirmuar dhe disa prej shqiptarëve në Itali, mes tyre dhe kreu i grupit Igli Kamberi. Ky i fundit ndodhet aktualisht në burg për trafik droge dhe vrasjen e 26-vjeçarit italian Francesco Diviesti më 25 prill 2025. Ishin hetimet e zhvilluara për këtë ngjarje që çuan në zbulimin e rrjetit kriminal të pastrimit të parave.
Po në kuadër të këtij operacioni, me vendim të GJKKO-së u janë sekuestruar 23 pasuri familjarëve e bashkëpunëtorëve të Igli Kamberit. Sekuestrimi është bërë për 4 biznese, 680 mijë eurove të kapura në pikën doganore të Morninës në 2025 të transportuara nga Lefter Nela, 10 llogarive bankare dhe 4 automjeteve.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











