Të ardhurat nga fasoneria shënuan rekord të ri në vitin 2022

Të ardhurat nga fasoneria shënuan rekord të ri në vitin 2022

Foto ilustruese

Të ardhurat nga ekonomisë shqiptare nga aktivitetet e fasonerisë arritën një rekord të ri vitin e kaluar. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, të ardhura neto nga shërbimet e punës me porosi për subjektet e huaja vitin e kaluar arritën në 625 milionë euro, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Krahasuar me vitin 2021, të ardhurat nga ky sektor i ekonomisë janë rritur me pothuajse 25%. Në terma neto, fasoneria është kontribuuesi i tretë më i rëndësishëm në bilancin e llogarisë korrente të vendit, pas turizmit dhe remitancave.

Këto burime kanë një rëndësi të madhe për pozicionin e jashtëm të ekonomisë shqiptare, sepse mundësojnë ngushtimin e deficitit të madh në tregtinë e mallrave. Rritja e çmimeve gjatë vitit të kaluar vlerësohet se ka pasur një ndikim të konsiderueshëm edhe në rritjen e eksportit të shërbimeve të fasonerisë. Fasoneria në Shqipëri ka qenë historikisht e përqendruar në sektorin e veshjeve dhe këpucëve, ku prej dekadash prodhuesit e mëdhenj të vendeve të zhvilluara e kanë zhvendosur prodhimin në ekonomi më të varfra, ku kosto e krahut të punës është më e lirë.

Por, në dekadën e fundit prodhimi me porosi është shtrirë edhe në sektorë të tjerë të industrisë ushqimore apo pjesëve të këmbimit për automjetet dhe produkte të tjera industriale. Në veçanti, për aktivitet e industrisë automotive, që kishin një përqendrim të rëndësishëm në Ukrainë dhe Rusi, konflikti në lindje ka shtuar perspektivat e rritjes për vendet si Shqipëria. Krahu i lirë i punës ka qenë baza kryesore e mbështetjes së eksporteve shqiptare pas rënies së komunizmit, por ky avantazh konkurrues në vitet e fundit po përballet me sfida gjithnjë e më të mëdha.

Kërkesa në rritje për forcë pune nga vendet e Europës Perëndimore ka nxitur një valë të re emigracioni nga vendet e Europës Lindore, përfshirë Shqipërinë. Largimi i njerëzve po e bën gjithnjë e më të vështirë sigurimin e forcës së nevojshme të punës dhe po i detyron bizneset të rrisin pagat. Nëse deri para dy dekadash mendohej se rritja e pagave do të vinte si rezultat i zhvillimit ekonomik dhe ngushtimit të hendekut me Bashkimin Europian, në fakt rritja e viteve të fundit është më shumë rezultat i tërthortë i tendencave demografike dhe konkurrencës për forcë pune nga ekonomitë më të zhvilluara të BE-së.

Në kushte të tilla, rritja e pagave mund të bëhet një rrezik për konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe veçanërisht të degëve të fasonerisë, që karakterizohen nga një produktivitet i ulët i punës. Ekspertët mendojnë se ndërmarrjet shqiptare për dekada me radhë janë mbështetur shumë te krahu i lirë i punës dhe nuk kanë investuar shumë në teknologji dhe procese që do të ndihmonin në rritjen e produktivitetit. Edhe për këtë arsye, mungesa e forcës së punës dhe rritja e pagave po bëhen një problem gjithnjë e më shqetësues për këtë sektor./Monitor

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë