Rritja e të ardhurave, Vasilika Vjero për Report Tv: Ekonomia po ringrihet! Anulim i fiskalizimit nga PD? Dëmton buxhetin dhe rrit informalitetin

Rritja e të ardhurave 36 milionë euro në tremujorin e parë të këtij viti, në raport me vitin e kaluar, është një sinjal pozitiv që ekonomia po ri-ngrihet sipas zëvendësministres së Financave Vasilika Vjero. Por sipas saj është ende herët për të rishikuar në rritje për parashikimet e rimëkëmbjes së këtij viti.

“Është ende herët për të folur për të ndryshuar parashikimet tona për rritjen ekonomike sepse janë një sërë faktorësh që kalkulohen dhe japin këtë shifër, ne do të duhet të presim ende, pasi duhen edhe shifrat e tremujorit të dytë të vitit që është tejet vendimtar për të parë edhe më tej se si do të vijojë trendi. Pra jemi ende herët dhe do ti përmbahemi atyre shifrave që janë parashikuar edhe në buxhetin e këtij viti por edhe në buxhetin afatmesëm”, tha për Report Tv zëvendësministrja.

Ndikim në rritjen e të ardhurave kanë dhënë disa zëra fiskal.

“Ndikim pozitiv ka pasur importi i automjeteve të përdorura, metalet bazë, veshjet, tekstilet, plastika materialet e ndërtimit që kanë dhënë një kontribut të madh. Ka qenë importi i energjisë elektrike që ka pasur impakt negativ në të ardhurat doganore por duhet të themi që lidhet me  rritjen e prodhimit vendas”, pohon Vjero.

Por sipas Vjerros pozitiv është fakti që janë rritur kontributet.

“Kemi një rritje të ardhurave nga kontributet dhe jemi në masën 1.1 miliardë lekë më shumë se 3-mujori i vitit të kaluar, dhe ndërkohë plani i vitit 2021 është realizuar në masën 107%, çka tregon që edhe kontributet kanë pësuar një trend pozitiv dhe nuk ka pasur rënie dhe gjithçka ka qenë konformë asaj që ne presim nisur edhe nga situata dhe numri i të punësuarve”, u shpreh zëvendësministrja.

Zëvendësministrja shton se pavarësisht situatës pandemike institucionet kanë kryer investimet e parashikuara, pasi në këto tre muaj shpenzimet arritën në 942 milionë euro. Vjero thotë se edhe rindërtimi po ecën me ritme pozitive.

“Procesi i rindërtimit ka ecur sipas parashikimeve nuk ka pasur vonesa qoftë nga kontraktorët që janë duke kryer punime në vendet e caktuara, por nuk ka pasur vonesa as nga lëvrimi i financimeve”, tha Vjero.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave nga janari deri në fund të muajit mars janë përdorur 24 milionë euro (2,955 mld lekë), nga fondi i vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit për projektet e rindërtimit. Ndërkohë në total për këtë vit për rindërtimin janë përcaktuar 227.7 milionë euro (28 mld lekë), dhe në tre muajit e parë të këtij viti është përdorur 9.3% e fondit total.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:46
PD premton anulimin e fiskalizimit, zëvendësministrja: Do dëmtonte buxhetin e rriste informalitetin, deri tani janë lëshuar 563 mijë fatura elektronike

Procesi i fiskalizimit i cili ka nisur në janar të këtij viti fillimisht për subjektet që lëshojnë fatura për entet publike, për tu zgjeruar më pas tek kategoria biznes-biznes dhe biznes konsumator, pritet që të rris deri me 10 % të ardhurat.

Zëvendësministrja e Financave Vasilika Vjero tha për Report TV se rezultatet e dukshme reforma do ti japë brenda 5 vitesh, ku përpos të ardhurave do të ndikojë edhe në uljen e informalitetit.

“Duhet të kuptojmë që fiskalizimi nuk mund ti japi rezultatet në vitin e parë të fiskalizimit pasi bizneset po hyjnë në këtë proces me fasha dhe duhet kohë që të ambientohen dhe të deklarojnë në mënyrë të qartë edhe transaksionet e tyre. Po ashtu edhe administratës tatimore do ti duhet kohë për të marrë sinjale për të marrë sinjale se ku janë problematikat dhe për mënyrën se si mund të zgjidhen këto problematika po për një periudhë 5-vjeçare ne presim që të kemi një rritje të konsiderueshme të ardhurave nga procesi i fiskalizimit, që ne i kemi parashikuar në masën 10%”, sqaron zëvendësministrja.

Vjero thotë se deri më tani janë lëshuar mbi 563 mijë fatura elektronike, jo vetëm për marrëdhëniet biznes-shtet por edhe tatimpagues të tjerë e kanë nisur këtë proces edhe pse ende nuk e kanë detyrim ligjor.

“Fiskalizimi po ecën siç duhet. Deri më sot fatura cash nëpërmjet procesit të fiskalizimit janë lëshuar më shumë se 530 mijë fatura. Që do të thotë se procesi i fiskalizimit ka filluar edhe për tatimpaguesit e vegjël, nuk ka ndonjë kufizim pasi edhe nëse një tatimpagues i vogël kërkon të fillojë procesin ai mund ta nisë edhe pa pritur afatin ligjor që është data 1 shtator. Ndërsa fatura elektronike janë lëshuar 563 mijë, të cilat janë lëshuar midis bizneseve por edhe bizneseve me institucionet publike, çka dëshmon që ne jemi duke vijuar normalisht me këtë proces”, tha Vjero.

Ndërkohë ky proces është paralajmëruar se do anulohet nëse PD fiton zgjedhjet, por për zëvendësministren, ndalimi i kësaj reforme do të shkaktonte dëme të mëdha për buxhetin e shtetit, si dhe do të rriste informalitetin.

“Nga pikëpamja e administrimit të ardhurave dhe asaj çka është investuar dëmet do të ishin të mëdha, janë të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit për një periudhë 5 vjeçare që do të jenë 10% të rritura të ardhurat. Bëhet fjalë për një shifër goxha të konsiderueshme dhe sigurisht procesi i fiskalizimit ka edhe një nga qëllimet kryesore luftën ndaj informalitetit, për të cilin ne flasim të gjithë çdo ditë për të cilin opozita flet gjithmonë se ka informaliteti. Fiskalizimi është një mënyrë shumë e mirë për të luftuar edhe informalitetin. Sigurisht anulimi i një projekti kaq madhor për të cilin ka vite që po punohet padiskutim që do të ndikojë në rritjen e informaliteti dhe në uljen e të ardhurave. Sigurisht nëse kemi disa lehtësi fiskale që kanë nisur që nga ky vit, këto lehtësi kanë efekte buxhetore, dhe këto efekte duhet të rikuperohen nga miradministrimi dhe nga ato hapësira që ka ende mes shumë tatimpaguesve”, theksoi zëvendësministrja.

Premtimin e demokratëve për anulimin e këtij sistemi nuk e mbështesin as ekspertët, të cilët pohojnë se është ende herët për të parë rezultatet e kësaj reforme.

 

 

K.T./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja