DURRËS- Gjykata e Apelit të Durrësit ka ndryshuar masën e sigurisë nga arrest në burg në detyrim paraqitje për Albrent Qetkën dhe Nevjana Isufi, të arrestuar për banesat e shembura nga tërmeti i 26 nëntorit që la pas 51 viktima. Ndërkohë togat e zeza, në seancën gjyqësore të zhvilluar ditën e sotme kanë lënë në burg 5 të arrestuarit e tjerë.
Më 14 dhjetor Albrent Qetka, në cilësinë e specialistit të verifikimit në terren pranë ALUIZNI-it, Durrës dhe Nevjana Isufi, e cila me studion e saj private hartonte projekte fiktive, u arrestuan si persona përgjegjës për shembjen e godinave si shkak i kryerjes së ndërtimeve pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimit, por u lanë më pas të lirë nga Apeli i Durrësit, mbi argumente që ende nuk janë zbardhur.
Nga ana tjetër, në arrest me burg mbeten Klajdi Lame, në cilësinë e inspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Durrës, në objektin pallat 6- katësh, Kujtim Hasa, në cilësinë e shefit të shërbimeve të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, Rruzhdi Xheka në cilësinë e ndërtuesit informal në objektin “Hotel Mira Mare”, Defrim Celami në cilësinë e specialistit që ka përpiluar aktin e ekspertimit teknik në objektin pallat 6- katësh dhe Avdulla Osmani në cilësinë e ndërtuesit informal të legalizuar më vonë në menyrë të paligjshme të objektit “Hotel Tropikal”.
Mbi ta rëndojnë akuzat për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Vrasja me dashje” e kryer në mënyrë indirekte dhe “Vrasja në rrethana cilësuese” të një ose me shumë personave të kryer në mënyrë indirekte. Ndërkohë që tre ditë më parë, ka ndryshuar masën e sigurisë nga arrest me burg në detyrim paraqitje për Ahmet Dodën, drejtor i Konvaleshencës së Durrësit që u arrestua pas tragjedisë së tërmetit të 26 Nëntorit. Ai apeloi vendimin e shkallës së parë për shkak të gjendjes shëndetësore, pasi prej disa ditësh ndodhet në spital për shkak të problemeve kardiake. 9 të tjerë vijojnë të jenë në kërkim.
Në arrest me burg janë lënë
Klajdi Lame
Kujtim Hasa
Ruzhdi Xheka
Defrim Selami
Avdulla osmani
Nga burg u lanë në detyrim paraqitje
Albrent Qetka
Nevjana Isufi
Personat e shpallur në kërkim
1. Arben Qato pronar i Vila Palma
2. Dëshira Qato-shefe e urbanistikës në Kavajë (Gruaja e Arben Qatos)
3. Aldo Dakovelli, shef sektori në Kadastrën e Durrësit
4. Artemis Malko punonjës terreni në Kadastrën e Durrësit
5. Artur Cela, ish-drejtori i INUV
6. Flamur Gjuzi, ish-drejtori i ALUIZNIT Durrës, dhe ish-kandidat i LSI për deputet
7. Artur Terziu, pronari i “Bar Barons”
8-9. Dy ndërtuesit e banesës së familjes Lala në Kënetë