Të bësh histori të vërtetë në Shqipëri është si të gjesh Utopinë…

Të bësh histori të vërtetë në Shqipëri është si të gjesh Utopinë…

Shqipëria është laboratori real ku historia duket se ka dhënë jetë ose më shumë se kaq vdes pa lindur. Është e paimagjinueshme ajo që i kemi bërë historisë kombëtare. Sot, e kësaj dite, nuk gjen një përgjigje se ku është apo gjendet akti themeltar i firmosjes së pavarësisë. Si u zhduk? Ende debatohet për foton e parë shqiptare dhe personazhin e parë real të saj. Po ashtu, shumëkush nuk e di se fotografia që ne kemi përcjellë si dokumenti i imazhit të ditës historike së Pavarësisë nuk është gjë tjetër veçse momenti i përkujtimit të një viti më vonë. Apo paradoksi qesharak: Gjermani i fundit iku më 28 apo më 29 prej Shkodrës, paçka se koloneli gjerman Hofman në vitet 2000, që shërbente si këshilltar në Ministrinë tonë të Mbrojtjes, duke parë sherrnajën e madhe shqiptare të datave vuri në dispozicion ditarin e tërheqjes së trupave të Wehrmacht-it, që vërtet thoshte se ishin larguar më 29 Nëntor porse kishin qëndruar ende në hapësirën shqiptare gjatë tërheqjes!!! Edhe kjo u relativizua shpejt. Politika e mbyti historinë…

Po pse e përçmojmë historinë dhe e përçudnojnë në vendin tonë?! Ish-presidentit të vendit Berisha iu desh ta kapërdijë jo lehtë faktin se deri më tani kishte thënë që mund ta kishte rastisur ndonjëherë (!) Enver Hoxhën dhe mund t’i kishte dhënë edhe dorën, ndërkohë që u pa në një foto pritje, ku gjendej plot emocion me diktatorin!! Kjo është më e pakta për atë që sot i atribuojmë vendit. Ndoshta përcaktimi i Hegelit për historinë është më i pranueshmi për vendin tonë: “Historia na mëson neve, se njerëzit mësojnë asgjë nga historia” duket se është më i provuari dhe më i godituri.

Është fakt i pamohueshëm për shembull se Lufta e Dytë Botërore ndërroi faqen e historisë botërore. Fati i Shqipërisë është se megjithë përfoljen e saj dhe rezistencën e madhe që bëri në Konferencën e Paqes në Paris u rreshtua vetë në fund krejtësisht në vendet antifashiste. Një fitore e madhe kundrejt fqinjëve dhe dashakeqëve, që sot duken asgjë para kënaqësisë në vend për ta hedhur poshtë anti-fashizmin. Ndërkohë me indiferencën që përcjell sot Lufta e Dytë Botërore tek ne dhe vendi që zë në kulturën e përgjithshme tonën, të kap trishtimi. E para nga neglizhenca, kur mendon se ky cak mbetet një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e Evropës. Dhe, tjetra dhe më e rëndësishme, se ishte lufta pas të cilës njerëzit panë se mund të bashkëpunonin me njëri-tjetrin dhe t’i tregonin vendin agresorëve të përbashkët, siç ishin asokohe Gjermania, Italia dhe Japonia, tre vendet e fuqishme fashiste që në fillim e vendosën nën thundër Evropën, Azinë e më gjerë akoma. Ende janë gjallë kujtimet se ende ka njerëz të mbijetuar, kurse të djegurat dhe viktimat e fashizmit shumë prej nesh i kanë në shtëpi, bashkë me rrjedhën e jetës që u ndërroi pushtuesi. Veçse historianët e post’90 me shkolla më të mira, mundësi të pafundme nuk na ndijnë më sepse vetë kanë mbetur pas, duke u munduar të qëndrojnë politikisht korrekt me politikanët dhe shpesh duke u bashkuar me ta. Në fakt, publiku kërkonte diçka tjetër prej tyre ose siç do e shprehte një koleg i huaj në një studim: “Një nga detyrat kryesore të historianëve është të mësojnë dhe të marrin njohuri profesionale, pasi njeriu i zakonshëm nuk ka kohë për ta bërë këtë”.

Po pse jemi kapërthyer në këtë gjendje? Pse Shqipëria ka dy data çlirimi? Pse luftës anti-fashiste me të cilën krenohet çdo popull, tek ne i thonë shumë e shumë personazhe luftë mirëfilli civile? Pse antifashistët janë terroristë për të Djathtët? Ndërsa pse po këta nuk ngrenë si duhet luftën anti-fashiste të individëve dhe grupimeve të nacionalistëve? Pse politika po përçan në këtë formë dhe pse historianët i shërbejnë me kaq shumë devotshmëri politikës? Për fat të keq, ngado në Evropë. Fatkeqësia është, referuar publicistit dhe historianit të njohur uellsian-polak Norman Davies, se: “Kur politikanët u drejtohen fakteve historike për të justifikuar pretendimet politike, ne duhet të pyesim veten se: çfarë është në të vërtetë historia. Çfarë dimë në fakt dhe çfarë mund të interpretohet? Historiani britanik E.H. Carr, libri i të cilit Çfarë është Historia? (botuar në 1961), dominoi këtë debat për shumë vite, shkruante se: e vërteta historike qëndron diku midis fakteve pa vlerë dhe gjykimeve të vlerës. Faktet objektive janë aty, por përzgjedhja dhe interpretimi i tyre janë subjektive”. Vërtet pse i transformojmë faktet dhe merremi me interpretime vlerash, që bëhen rëndom sipas interesave. Shumica e historianëve profesionistë duket se pajtohen në faktin se: interpretimet objektive të fakteve historike nuk janë të mundshme. Faktet si të tilla nuk thonë asgjë, por janë historianët të cilët i zgjedhin ato dhe krijojnë kornizën brenda së cilës marrin kuptim. Historianët nuk janë neutralë dhe janë të ndikuar nga shoqëritë e tyre bashkëkohore. Ajo që vlen për historianët vlen edhe për politikanët. Megjithatë, historianët përdorin mjete shkencore për të studiuar të kaluarën dhe përpiqen të jenë sa më të paanshëm, referohet kjo logjikë nga një studiues i njohur i historisë Hassner. Politikanët, referon i njëjti studiues  paralajmërohen mjaft shpesh nga historianët që të jenë shumë të kujdesshëm duke pretenduar objektivitet, por kjo hap një debat tjetër të formuluar nga Richard Evans, ku sipas tij: “Në këtë kuptim, problemi se si historianët i qasen përvetësimit të njohurive për të kaluarën dhe nëse ata mund të kenë ndonjëherë plotësisht sukses te kjo ndërmarrje, simbolizon problemin edhe më të madh se deri ku shoqëria mund të arrijë ndonjëherë atë lloj sigurie objektive për çështjet e mëdha të kohës sonë që mund të shërbejë si një bazë e besueshme për marrjen e vendimeve jetike për të ardhmen tonë në shekullin e njëzet e një. A është historia një proces linear ose ciklik, në të cilin mund të zbulohen modele të caktuara dhe ku ekziston një parim udhëzues gjithëpërfshirës si përparimi? Nëse po, a mund të mësojmë prej saj? Kufijtë e objektivitetit nuk e bëjnë të parëndësishme ndjekjen e tij”.

Po të jemi të ndershëm, duke marrë rastin shqiptar: Pse politika nuk ndahet nga historia dhe pse e shfrytëzojnë aq shumë njëra-tjetrën dhe çfarë karakteri ka historia jonë?! Dhe, sërish gjykimi i njerëzve të kthjellët është shqetësues dhe nuk na ndih aspak. Për Norman Davies ishte “e pamundur që një grup historianësh të prodhojnë qoftë edhe një ekspozitë muzeale të së vërtetës. Ata gjithmonë do të mos pajtohen, kështu që ju mund ta merrni këtë si pikënisje. Lërini të mos pajtohen; le të parashtrojnë pikëpamje të ndryshme. Përpjekja për të bërë një grup historianësh të bien dakord është utopike”. Daivis e shpjegoi shumë qetë këtë. Iu kërkua një këshillë për ngritjen e një muzeu për Luftën e Dytë Botërore në Gdansk nga kryeministri i atëhershëm polak Donald Tusk. Ky i fundit me profesion historian mendoi se gjeti levën e Arkimedit me përfshirjen e Daivis, duke ia ngarkuar bërjen e një muzeu të tillë model. Veçse përgjigja e historianit e shtangu: “Unë propozova që të bënin pavijone ku secili nga kombet e Evropës mund të parashtrojë ekspozitat e veta mbi Luftën e Dytë Botërore, përfshirë Rusinë. Vizitori i zakonshëm, i cili është krejtësisht inteligjent, mund ta shohë ndryshimin. Ata do të kuptojnë se ekspozita holandeze është e ndryshme nga ajo ukrainase, sepse përvojat e tyre ishin shumë të ndryshme. Inputi i vetë institucionit duhet të kufizohet në materialin bazë faktik, i cili nuk është në të vërtetë i diskutueshëm. Familja Kaczyński ka keqpërdorur fondet shtetërore për mbështetjen e një linje të caktuar historike partiake”.

Dhe i tillë do të ishte edhe përfytyrimi për Shqipërinë dhe metamorfozën që ka kapur historinë shqiptare për të modifikuar historinë duke e sfumuar luftën por edhe periudha të tëra historike, thjesht për të qenë korrekt politikisht, duke shpërdoruar faktin dhe duke e relativizuar vlerën. Këtë e ndjen kur vjen me radhë PD dhe PS në pushtet, ku historianët përshtaten sipas politikës apo kur kërkojnë identifikime. Dhe sërish provokimi i Daivis: “Nëse Kaczyńskit (vëllezërit polakë-njëri syresh i vdekur, zyrtarët më të lartë të Polonisë) do të bënin një muze për Solidarnost, kjo do të ishte një fatkeqësi totale. Walesa (një nga liderët e saj) ndoshta do të fshihej fare mu si Trocki!” Dhe, pyetja që lind me këtë rast: A ekziston diçka e tillë si objektiviteti në histori dhe cilat quhen vlera? Për Daivid ishte dhe mbetet slogani i famshëm i Manchester Guardian: “Faktet janë të shenjta, interpretimi është falas”. E për fat, ka ende një moskuptim se çfarë ndodhi realisht me L2B në kontinent, që do të thotë se flirti i Shqipërisë me politikën në kurriz të historisë do të vazhdojë përsa vetë historia po jep shpirt jo vetëm tek ne por ngado në Evropë dhe më gjerë. Ku duket se historiani jo thjesht nuk u del hapur qëndrimeve të tij, por në fund heziton të ketë ndershmërinë e të thotë se: “Kjo është dëshmia që ju parashtroj”, cilësonte Daivis duke na dhënë një mundësi reflektimi, që do të thotë dhe në rastin e Shqipërisë se historianët duhet të ndajnë gjykimin, që ua zbeh afërsia me politikën, nga provat para syve ose kinse shmangin me dëshirë vlerat…për ta lënë thjesht në utopi historinë. (Homo Albanicus)

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja