Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky priti në Kiev të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, në vizitën e tyre të parë në Ukrainë që nga nisja e pushtimit rus në shkallë të plotë në vitin 2022.
Zelensky i priti dy zyrtarët pranë Katedrales së Shën Sofisë në Kiev, jo larg godinës së shërbimeve të sigurisë ukrainase, e cila u godit nga një dron rus të premten. Dy të dërguarit amerikanë mbërritën në kryeqytetin ukrainas me tren, pasi kishin fluturuar fillimisht drejt Polonisë. Sipas Zelenskyt, pavarësisht përgatitjeve, avioni i tyre nuk mundi të ulej në Ukrainë.
Para takimit, presidenti ukrainas deklaroi se vendi i tij është i gatshëm të zhvillojë bisedime që mund ta afrojnë fundin e luftës, por theksoi se çdo marrëveshje duhet të shoqërohet me garanci sigurie dhe me një paqe dinjitoze pas përfundimit të konfliktit.
"Ne jemi të interesuar ta afrojmë fundin e luftës. Paqja është e nevojshme. Garancitë e sigurisë janë të nevojshme. Nevojitet edhe një paqe dinjitoze pas luftës. Propozimet tona janë gati", shkroi Zelensky në rrjetet sociale.
Vizita në Kiev erdhi vetëm një ditë pasi Witkoff dhe Kushner zhvilluan një takim treorësh me presidentin rus Vladimir Putin në rezidencën e tij zyrtare në Moskë. Bisedimet u mbajtën me dyer të mbyllura dhe, sipas Kremlinit, ishin "të sinqerta" dhe "konstruktive".
Këshilltari i Putinit, Yuri Ushakov, tha se diskutimet nuk u kufizuan vetëm te lufta në Ukrainë, por përfshinë edhe çështje ekonomike dhe projekte të mundshme ruso-amerikane me interes të ndërsjellë. Ai shtoi se gjatë bisedimeve u përmendën edhe përparimet e ushtrisë ruse në front, si dhe nevoja që negociatat të adresojnë atë që Moska e quan "shkaqet rrënjësore të konfliktit".
Për të mundësuar zhvillimin e këtyre kontakteve diplomatike, Putin dhe Zelensky ranë dakord të ndalin për tre ditë sulmet ndaj kryeqyteteve të njëri-tjetrit gjatë qëndrimit të delegacionit amerikan.
Megjithatë, luftimet nuk janë ndalur në pjesët e tjera të frontit. Gjatë natës, Rusia dhe Ukraina vijuan sulmet ndaj objektivave ushtarake dhe infrastrukturës.
Ministria ukrainase e Mbrojtjes njoftoi se forcat e saj goditën rafinerinë e naftës në Rjazan, e cila furnizon ushtrinë ruse, një bazë ajrore në Rostov mbi Don, si dhe dy sisteme të mbrojtjes ajrore.
Nga ana tjetër, Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se Rusia sulmoi vendin me 108 dronë me rreze të gjatë veprimi dhe raketa lundruese. Sipas autoriteteve ukrainase, mbrojtja ajrore rrëzoi 82 dronë dhe gjashtë raketa, por 11 zona u goditën, ndërsa në shtatë të tjera ranë mbetje nga mjetet ajrore të shkatërruara.
Sipas BBC-së, pavarësisht shtimit të sulmeve me raketa dhe dronë në muajt e fundit, avancimi i forcave tokësore ruse ka qenë i ngadaltë dhe me humbje të mëdha. Rusia vijon të kontrollojë rreth një të pestën e territorit të Ukrainës, kryesisht zonat që pushtoi në vitin 2022.











Komente
Komento