TIRANË- Mjeku i njohur i Spitalit të Traumës, Luan Nikollari është ndarë nga jeta. Lajmin e trishtë e ka bërë me dije familja e tij nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.

“Ju bëjmë me dije se babi jone Luan Nikollari ndërroi jetë. Jemi te “Shtëpia e Pritjes Univers”, te rruga Bardhyl”, thuhet në njoftimin e familjes.

Miq dhe kolegë të tij kanë shkruar disa fjalë të ndjera për mjekun, i cili la gjurmë në mjekësinë shqiptare.

“Lamtumirë mik! E rëndë lamtumira jote! Njeri para së gjithash, mjek i palodhur, drejtues i denjë e i papërlyer, babai më i mirë që familja mund të këtë, i dashuruar pas SUT, i pakursyer për shokët, miqtë e pacientët!  Të qoftë e blertë lendinë Luan Nikollari! Kishe akoma shume për të dhënë por të deshte qielli Kolonel!”, shkruan rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata në mesazhin e tij të ngushëllimit në Facebook.

“Një djalë, baba e koleg i përsosur. Të qoftë i lehtë dheu Dr. Luani!!!”, shprehet mjeku Tritan Kalo.

Nikollari është një emër i njohur i mjekësisë shqiptare pasi në vite të ndryshme ka mbajtur një sërë postesh të rëndësishme, ku mund të rendisim atë si Drejtor i Institutit të Kërkimeve Mjekësore Ushtarake (IKMU) ne Spitalin Ushtarak Qendror Universitar (SUQU)-Tiranë në 2012.

Gjithashtu përgjatë viteve 2000-2006 ai ka qenë Drejtor i Drejtorisë se Shëndetësisë në Ministrinë e Mbrojtjes, por edhe shef i departamentit të Epidemiologjisë në spitalin Ushtarak Qendror Universitar (SUQU), përgjatë viteve 1999-2000.