Vetëm në dy vjet janë më shumë se pesëfishuar ankesat e qytetarëve në zyrën e komisionerit për mbrojtjen e të dhënave personale.  

Kjo u konfirmua nga drejtuesi i kësaj zyre Besnik Dervishi  i cili  tha se në 2014 ishin 36 ankesa ndërsa në 2016 ato kanë shkuar në rreth 200 por sipas tij kjo nuk do të thotë se është shtuar numri i shkeljeve por ndërgjegjësimi I qytetarëve ka qenë më i lartë.

''Në vitin 2004 ka pasur 36 ankesa gjithsej, ne kemi arritur në një numër që e ka kaluar 100 ose 150 ankesa. Kjo nuk është se është shtuar numri i shkeljeve të drejtës së mbrojtes të dhënave personale, por është rritur me disa herë ndërgjegjësimi i shtetasve. Për fat të keq mbrojtja e të dhënave personale si një e drejtë kushtetuese, nuk është e njohur si nga qytetarët ashtu edhe nga institucionet'',-u shpreh Dervishi. 

Megjithatë Dervishi thotë se ka ende probleme pasi e drejta mbrojtjes së të dhënave personale nuk është një e drejtë kushtetuese.

Duke iu referuar situatës së ankesave komisionieri për mbrojtjen e të dhënave personale Besnik Dervishi tha se është rritur ndjeshëm edhe numri i masave administrative me gjobë ndaj kontrolluesve publikë e privat. Sipas tij në 2016 janë vënë 97 gjoba ndërsa në 2014 ishin vetëm 19  masa.

''Ne kemi zhvilluar mjaft hetime administrative, sidomos në sektorë mjaft të rëndësishëm, duke filluar me sistemin bankat. Por edhe kemi kontrolluar. Në vitin 2014 kanë qenë gjithsej 19 gjoba, në 2015 kanë qenë 56 sanksione, në vitin 2016 96 sanksione administrative'',-u shpreh Dervishaj.

Këto deklarata komisioneri Dervishi i bëri në ditën  europiane për mbrojtjen e të dhënave personale, ndërsa u zhvillua edhe një konkurs me tre projkete të nxënësve të shkollës ''Harri Fultz''  të cilët prezantuan një aplikacion në të cilin të gjithë të kenë mundësi të konsultohen me zyrën e komisionerit  por edhe të dërgojnë ankesat e tyre në këtë zyrë.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com