Të dielën do të luhet java e pestë e Superligës, me takimin Vllaznia-Kukësi që spikat mbi të tjerat. Shkodranët që udhëheqin kampionatin vijnë pas një barazimi me Teutën, ndërsa Kukësi pas fitores së parë në këtë sezon që rastisi kundër Laçit.
Marko Djarmati, drejtor sportiv i Vllaznisë: “Historinë e Vllaznisë s’mund ta krahasojmë, është e pakrahasueshme. Jemi shumë më shumë lart me statistikat. Tani Kukësi në 10 vitet e fundit është një investim kolosal, por besoj duke parë ndeshjet e Kupës por edhe të kampionatit Vllaznia është pak më para.”
Ndërkohë Partizani i Ilir Dajës që po kalon një moment pozitiv, sidomos pas fitores me Apoloninë do të presë Skënderbeun, që në katër ndeshjet e para ka shfaqur shumë ulje ngritje.
Ilir Daja, trajner i Partizanit: “Mendoj që koeficienti i vështirësi do të jetë prezent nesër sepse Skënderbeu në transfertë ka bërë goxha mirë. Kemi një ndeshje të vështirë, por që kemi entuziazëm brenda dhe besoj se në anën psikologjike jemi pak më mirë se Skënderbeu.”
Sakaq Tirana e Nevil Dedes, trajnerit që ende nuk e ka gjetur fitoren me kampionët e Shqipërisë, do të luajë përballë Kastriotit, një skuadrë që nuk njeh humbje këtë sezon dhe ka marrë dy fitore e dy barazime.
Nevil Dede, trajner i Tiranës: “Ne shkojmë përballë Kastrioti me objektiva të qartë, sepse Tirana me këdo që luan duhet të pretendojë fitimin e ndeshjes. Normal që ka edhe faktorë të tjerë, por nuk du të them fatin sepse fatin e bën njeriu dhe atë që do japësh edhe do marrësh.”
Ardit Toli, futbollist i Tiranës: “Që kur erdhi Dede na kërkoi të kemi besim tek njëri-tjetri. Ke çdo stërvitje na ka dhënë një mentalitet që s’duhet të humbim dhe duhet çdo ndeshje, çdo stërvitje të jemi fitues dhe besoj që avash avash që me ndeshjen me Kastriotin të marrim një fitore.”
Dy ndeshjet e tjera të Superligës te dielën do jenë Bylis-Teuta dhe Laçi-Apolonia.