UEFA ka ashpërsuar qëndrimin ndaj FIFA-s, duke kritikuar planet për shitjen e aksioneve te privati të disa prej kompeticioneve më të rëndësishme, përfshirë edhe Kupën e Botës. Në një deklaratë të publikuar të mërkurën, qeveria e futbollit evropian akuzon FIFA-n se po e shfrytëzon futbollin për interesa financiare dhe jo për zhvillimin e sportit.
Sipas UEFA-s, afati i vendosur nga FIFA për federatat anëtare që të mbështesin propozimin, nën kërcënimin e humbjes së një pagese të njëhershme, është një tregues i qartë i mënyrës se si po tentohet të imponohet projekti.
"U njohëm me afatin (19 shtator) që FIFA u ka vendosur federatave për të mbështetur propozimin e saj, ose në të kundërtën të përballen me humbjen e pagesës së njëhershme. Vetë kjo tregon gjithçka që duhet të dini për këtë plan", thuhet në reagimin e UEFA-s.
Konfederata Evropiane thekson se, pas konsultimeve me federata, klube dhe aktorë të tjerë të futbollit, kundërshtimi ndaj kësaj nisme është i madh dhe vazhdon të rritet.
"FIFA nuk mund të vazhdojë ta përdorë sportin tonë për të pasuruar veten dhe miqtë e saj", thekson UEFA.
Në përfundim të deklaratës, UEFA bën thirrje që prioritet t'u jepet interesave të futbollit, duke vendosur në qendër federatat, klubet, ligat, lojtarët dhe tifozët, në vend të përfitimeve financiare.
Lajmi kryesor:
'Privatizimi' i Kupës së Botës, Infantino mbron planin me investitorët: Kjo është një mundësi që vjen vetëm një herë në jetë






