RASTET
Një nga rastet më flagrante që janë përmendur në raport ka të bëjë me bashkinë e Kukësit. "Drejtori i Përgjithshëm i Financës është me arsimim inxhinier arkitekt" thuhet në raportin e KSHC, për një nga rastet flagrante sesi merren në punë punonjësit e administratës. Raporti vëren se të gjitha institucionet nuk kanë zbatuar procedurën e konkurrimit si mënyrën e vetme të parashikuar nga ligji. Dhe nënpunësit janë marrë jo sipas parimit të baarazisë dhe kriterit të meritokracisë dhe aftësisë për të kryer detyrat, por sepse janë përzgjedhur nga titullarët.
Raporti vlerëson se duke qenë se shefat duhet të marrin në punë njerëzit që duan, kjo ka çuar edhe në dështimin e procedurës së konkurrimit.
"Konkurrimet zhvillohen me 4-5 konkurrentë, duke ulur ndjeshëm cilësinë e kandidatit që do të përzgjidhet, për shkak të listës së shkurtër të kandidatëve pjesmarrës. Besueshmëria ndaj procesit aktual të rekrutimit ka rënë ndjeshëm gjë që pasqyrohet edhe në rastet e dëshimit të këtyre procedurave. Përmendim rastin e Ministrisë së Shëndetësisë, që ka shpallur disa herë konkurrimin për një pozicion pune "Drejtor i Përgjithshëm i planifikimit shëndetësor" dhe nuk ka mundur ta zhvillojë për arsye të mungesës së konkurrentëve" thuhet në raportin që ka mbërritur në Kuvend.
BONUSET
Një tjetër vërejtje veç kontratave provizore janë edhe bonuset që duhet të paguajnë institucionet në bazë të vlerësimeve. Pra punonjësit me statusin e nënpunësit civil nuk janë vlerësuar me bonuse sic përcakton vendimi i qeverisë kur në fakt këtë duhej ta merrnin për shkak të vlerësimit "shumë mirë" në administratë. Ndaj, në të shumtën e rasteve, sikurse thuhet në raport, në mënyrë të dukshme në shkelje të ligjit, shumë prej vlerësimeve janë "shumë mirë" apo "mirë" ndërkohë që nuk duhet të lejohen më shumë se 30 përqind të vlerësimeve "shumë mirë" në administratën e shtetit.
SHPERBLIMI
Raporti në 80 faqet e veta nuk specifikon në asnjë rast sesa është dëmi financiar në buxhetin e shtetit për shkarkimet e padrejta nga puna dhe ato që janë ekzekutuar si dy paga për të njëjtin vend pune. Por specifikon raste kur shumat e marra nga punonjësit kapin edhe gati 30 milionë lekë të vjetra, për një punonjës, ndërkohë që ka qenë më e madhe sesa vetë pozicioni i punës. Në fokusin e komisionit të Komisionit të Shërbimit Civil është vendosur drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ku ata kanë parë edhe rastet më flagrante.
"Ndërkohë, sipas njoftimeve që kemi nga DPT, rezulton se, si pasojë e presionit të ushtruar nga përmbarimi gjyqësor, ka filluar ekzekutimi në disa raste dhe konstatojmë pagesa në përmasa të mëdha si psh, në rastin e ankuesit M.B. është paguar nga institucioni shuma prej 2.709.645 lekë të reja; rasti i ankuesit M.T. është paguar shuma prej 1.173.825 lekë; ankuesit B.S. i është paguar shuma prej 3.510.679 lekë, etj. Pra, në këtë rast institucioni ka lejuar që situata të arrijë deri në limitet e pamundësisë për të ekzekutuar pagesa në vlera kaq të larta" thuhet në raport. "Duke vepruar në këtë mënyrë, ka ardhur si pasojë një dëm efektiv i konsiderueshëm në buxhetin e shtetit, pasi janë paguar njëkohësisht dy persona për një pozicion pune, njëri për shkak të detyrimeve kontraktuale dhe tjetri për shkak të detyrimit për të ekzekutuar vendimin e gjykatës. Të gjitha këto raste KSHC i ka vlerësuar si dëm efektiv financiar në buxhetin e shtetit dhe ka njoftuar, Kontrollin e Lartë të Shtetit", thuhet në raport.
(sg/shqiptarja.com)