Bohçe sfoljat të mbushura me brokoli dhe salçiçe

Përbërësit:

1 petë sfoljat

1 tufë brokoli mesatare

2 salçiçe

1 patate

150 gr rikota

1 të verdhë veze

Kripë dhe piper i zi

Përgatitja:

Pastrojmë brokolin, e presim atë në lule të vogla dhe e vendosim për të zierë në ujë të valuar me  kripë për 5-6 minuta. Po ashtu ziejmë pataten dhe e presim në kubikë të vegjël.

Në një tigan me pak vaj ulliri skuqim salçiçen të prerë në kubikë të vegjël, shtojmë brokolin dhe patatet e grira dhe I gatuajmë së bashku për 2 minuta.

Në një tas përziejmë rikotën pr tu zbutur pak dhe e shtojmë atë në tiganin me perime. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper të zi.

Hapim petën dhe e ndajmë atë në 6 pjesë me brinjë të barabarta. Në cdo katrore petë sfoljatë vendosim në qendër 1 lugë gjelle perime dhe fillojmë të mbledhim qoshet, duke I mbivendosur në qendër.

Lyejmë bohçet me të verdhë veze dhe I vendosim në tepsi në temperaturë 180 gradë Celsius, për 20-25 minuta.

 

 

 

Kadaif me muhalebi

300 gr kadaif

100 gr gjalp

5 lugë gjelle sheqer

1 gotë arra

 

Mbushja

1 litër qumësht

4 lugë gjelle miell

1 filxhan çaji sheqer

3 lugë gjelle niseshte

1 të verdhë veze

200 ml pana ëmbëlsire

1 pako vanilje

Pergatitja:

Fillimisht kadaifin nuk e lëmë në fije të gjata, por e presim imët ose e thërmojmë me duar nëse është I thatë.

Shkrijmë gjalpin në tigan dhe shtojmë në të sheqerin dhe më pas shtojmë pak nga pak kadaifin duke e kaurdisur atë vazhdimisht derisa të arrijmë një ngjyrë të artë të errët. Kur kadaifi të marrë ngjyrë shtojmë arrat e copëtuara dh I përziejmë për 3-4 minuta, largojmë tiganin dhe e lëmë të ftohet kadaifi.

Ndërkohë që ftohet kadaifi, përgatisim mbushjen. Vendosim qumështin në tenxhere për tu ngrohur, ndërkohë që 1 gotë qumësht të ftohtë e lëmë mënjëanë duke holluar në një tas 4 lugë gjelle miell, sheqerin, niseshten, 1 të verdhë veze , I përziejmë mirë me qumështin e ftohtë dhe e shtojmë në tenxhere duke e trazuar vazhdimisht derisa të marrë valë. Largojmë tenxheren, e lëmë derisa të bjerë temperature dhe shtojmë në të kremin pana dhe vaniljen. I përziejmë në rrahësen e vezëve elektrike dhe fillojmë të përgatisim ëmbëlsirën në tavë.

Shtrojmë ½ e kadaifit si bazë në tavë dhe më pas kremin e muhalebisë, e nivelojmë mirë dhe e mbulojmë hollë me kadaif. Vendosim tepsinë në frigorifer për 2-3 orë. Më pas e presim dhe e shërbëjmë. Ju bëftë mirë.