Lakër në furrë me mish të grirë dhe oriz

Përbërësit:

1 lakër mesatare

500 gr mish i grirë

2 qepë mesatare

3 thelpinj hudhra

1 tufë majdanoz

1 filxhan çaji oriz

1 lugë gjelle salcë domate

1 lugë çaji piper i kuq

1/4 lugë çaji piper pikant

1/2 lugë kafe kumin

Kripë dhe piper i zi

 

Salca:

1 filxhan pure domate

Vaj ulliri

2 lugë gjelle uthull

1 1/2 gotë ujë të ngrohtë

Përgatitja:

Pastrojmë lakrën dhe e vendosim në një tenxhere me ujë të valuar me kripë për të zierë për 5-7 minuta.

E largojmë nga zjarri dhe duke e shpëlarë më ujë të ftohtë, pastrojmë gjethet dhe i lëmë mënjëanë.

Grijmë qepën shumë hollë dhe e kaurdisim atë për 5 minuta.

Vendosim mishin e grirë në një tas ku do të shtojmë qepën e kaurdisur, hudhrën e grirë hollë, majdanozin të grirë hollë, orizin të shpëlarë mirë, një lugë gjelle salcë domate, piperin e kuq, piperin pikant, kumin, kripë, piper i zi.

Të gjithë përbërësit i përziejmë mirë me dorë. Në një tepsi të vogël hedhim pak vaj dhe lyejmë të gjithë sipërfaqen.

Mbulojmë komplet sipërfaqen e tepsisë me gjethe lakre, mundësisht 2 rreshta. Shtojmë në tepsi ¾ e kimës dhe e nivelojmë atë mbi lakrën në të gjithë sipërfaqen.

Përsëri shtojmë një shtresë me gjethe lakre dhe ngjeshim anët e gjetheve të lakrës. Me ndihmën e një luge rregullojmë formën duke vendosur anët e gjetheve në tepsi.

Në një tas vendosim 1 filxhan çaji pure domate, katër lugë gjelle vaj ulliri, 1.5 gotë me ujë, kripë dhe piper, e përziejmë mirë dhe e shtojmë mbi lakër. E vendosim tepsinë në furrë për 30 minuta, në temperaturë 190 gradë Celsius.

Supë me trahana dhe vezë

Përbërësit:

1 domate e madhe

1 litër ujë ose lëng mishi

1 karrotë e vogël

30 gr gjalp

3 1/2 lugë gjelle trahana

1/2 tufë majdanoz

1 vezë për çdo racion

Kripë dhe piper i zi

2 lugë gjelle djathë të thërrmuar ose parmixhan

Përgatitja:

30 minuta më parë vendosim trahananë në ujë të ftohtë.

Vendosim në tenxhere lëng mishi, pule, ose ujë.

Shtojmë në të 1 domate pa lëkurë dhe e lëmë të ziejë për 10 minuta. Largojmë domaten dhe e kthejmë në pure me blender dore ose në grirësen e qepës. E shtojmë përsëri në tenxhere dhe shtojmë gjithashtu 2 lugë gjelle karrota të grira, 1 lugë gjelle gjalp, majdanoz të grirë. sapo të fillojë të ziejë shtojmë trahananë e tretur mirë në ujë të ftohtë më parë dhe e trazojmë vazhdimisht. Kur të fillojë të ziejë shtojmë nga një vezë syze për person dhe mbulojmë supën me kapak që të mbikset veza. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper dhe e servirim të ngrohtë duke thërrmuar pak djathë të bardhë ose parmixhan.