Pulë me kos dhe hudhra

Përbërësit:

800 gr mish pule

500 ml ujë

4-5 lugë gjelle miell

4 vezë

1 kg kos

6 thelpinj hudhra

Kripë dhe piper i zi

3 lugë gjelle gjalp

2 lugë gjelle vaj

1 lugë kafe piper i kuq

Përgatitja:

Lajmë mishin e pulës. Me një lugë gjelle vaj ulliri dhe një lugë gjelle gjalp kaurdisim copat e pulës të zverdhen pak. Shtojmë 500 ml ujë të valuar dhe i lëmë të ziejnë për 20 minuta. Më pas largojmë copat e mishit dhe i vendosim në një tepsi.

Në një tenxhere tjetër kaurdisim miellin në yndyrën e mbetur, pa i dhënë ngjyrë shtojmë lëngun e mishit duke e përzierëvazhdimisht derisa të marrë valë.

E largojmë tenxheren dhe shtojmë në të pak nga pak gradualisht kosin duke e përzierë me tel dore.

Grijmë hudhrat shumë imët dhe i shtojmë në kos. Rrahim vezët me pak kripë dhe piper dhe i shtojmë te tasi me kos dhe miell.

Shtojmë kosin mbi thelat e mishit në tepsi. Shkrijmë një lugë gjalp në pak piper të kuq dhe spërkatim sipërfaqen e tavës me gjalpin me piper. Vendosim tavën në furrë, në temperaturë 180 gradë Celsius, për 25 minuta.

Trahana për mëngjes

Përbërësit:

4-5 gota ujë

4-5  lugë trahana

4 feta bukë ose 8 lugë tërshërë

Gjalp ose vaj ulliri

1 lugë kafe piper i kuq

4 feta djathë

Përgatitja:

Fillimisht përsheshim bukën në copa mesatare. Përziejmë trahananë me ujin e ftohtë dhe e vendosim tenxheren në zjarr, në temperaturë mesatare duke e trazuar vazhdimisht që të tretet mirë trahanaja. Shtojmë një lugë kafeje me kripë. E përziejmë derisa të na lidhet dhe të formohet një masë kremoze homogjene. E lëmë të marrë valë për 3-4 minuta dhe e largojmë. E përziejmë trahananë me bukën e përsheshur. E mbulojmë dhe e lëmë bukën të zbutet.

Thërrmojmë djathin.

Vendosim gjalpin të shkrijë ose vajin të ngrohet. Shtojmë pak piper të kuq dhe e largojmë menjëherë.

Ndajmë trahananë në pjata dhe e spërkasim me yndyrë. Shtojmë thërrime djathi dhe e servirim të ngrohtë.