Situata në gjithë akset rrugore të vendit deri në orën 17:30
TIRANË, 2 Janar/ATSH/.- Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor janë duke ndjekur me kujdes të veçantë situatën e akseve rrugore pas rreshjeve të dëborës, që kanë rënë gjatë ditëve të fundit.
Përmes një njoftimi për shtyp, Autoriteti Rrugor Shqiptar kërkon mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve, për të zbatuar rregullat e qarkullimit dhe njofton për gjendjen aktuale të akseve rrugore dhe kalueshmërinë e mjeteve në to.
Sipas këtij njoftimi, në disa zona të vendit vazhdon të ketë vështirësi në qarkullim për shkak të motit të keq dhe temperaturave të ulëta. Bëhet me dije se deri në orën 17:30 situata e kalueshmërisë së akseve rrugore ne Qarqet e vendit paraqitet si më poshtë:
Tiranë
Ne akset Trau Dajt - Qafë Mollë - Bizë, Trau Dajt - Antena, Qafë Priskë - Shëngjergj ka ngrica në rrugë dhe bëhet spërkatja me kripë. Qarkullimi rekomandohet të kryhet me zinxhirë.
Durrës
Nuk ka probleme në akset e këtij qarku. Të bëhet kujdes në qarkullim, pasi ka trafik në akset e këtij qarku.
Elbasan
Aksi Librazhd - Steblevë është i hapur. Aksi Elbasan - Gjinar ka prani ngricash në rrugë. Rekomandohen zinxhirët për shkak të ngricave në aksin Elbasan-Gjinar, dhe të evitohen parakalimet në vendin ku rruga ngushtohet.
Berat
Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve. Të bëhet kujdes për shkak të fluksit të dendur të makinave
Vlorë
Në Qafën e Llogorasë ka 20-30cm borë. Po vazhdon pastrimi i rrugës dhe hedhja e kripës. Qarkullimi duhet të kryhet me zinxhirë.
Gjirokastër
Ngrica vetëm në aksin Erind-Çajup. Ky aks po trajtohet me kripë. Rekomandohet kalimi me zinxhirë.
Korçë
Në aksin Pogradec-Qafë Thanë kalimi bëhet pa zinxhirë. Aksi Qafë Thanë - Lin është i pastruar, në asfalt kalimi bëhet pa zinxhirë. Kalimi është i detyrueshëm me zinxhirë në aksin e Dardhës.
Kukës
Në km 26 deri tek Tunel Thirrë në zonën e Komunës Fan, pjesë e rrugës Rrëshen -Tunel Thirrë ka rënie gurësh nga të dyja anët e rrugës si pasojë e shkrirjes së dëborës. Po bëhet pastrimi i tyre. Drejtuesit e automjeteve duhet të kenë kujdes të lëvizin me shpejtësi të ulët. Kalimi në rrugën e kombit Tuneli- Kalimash-Kukës -Morinë pa zinxhirë.
Qarkullimi rekomandohet të bëhet me zinxhirë në disa segmente 1.Kukës-Krumë 2.Kukës-Draj,Rec. 3.Domaj -Bushtricë 4.Kukës-Qafë Shllakë.5.Kukës -Shishtavec (ura e Zapod) të Tropojës dhe Kukësit, për shkak të temperaturave shumë të ulëta
Dibër
Vazhdon hedhja e kripës, për shkak të temperaturave shumë të ulëta gjatë natës. Qarkullimi rekomandohet të kryhet me zinxhirë në akset Ura e Cerenecit-Steblevë, Qafë Bualli-Krastë, Muhurr-Qafë Draj dhe në segmentin Sllovë-Kalaja e Dodës.
Shkodër
Ka temperatura të ulëta. Në akset e Pukës dhe Malësisë së Madhe ka ngrica që po trajtohen me kripë.
Aksi Qafë Mali-Flet, vazhdon të bllokohet herë pas here si pasojë e erës së fortë që e kthen borën në rrugë. Borëpastruesja dhe fadroma jane të instaluara në vend dhe bëjnë herë pas here hapjen e rrugës. Qarkullimi në akset e Malësisë së Madhe dhe në aksin Qafë Mali Mali-Flet rekomandohet të bëhet me zinxhirë.
Fier
Nuk ka probleme për qarkullimin. Të bëhet kujdes në lëvizje, për shkak të fluksit të madh të makinave në superstradën Fier - Lushnje
Lezhë
Pothuaj gjithë akset qarkullohen pa zinxhirë. Rruga e Kombit është e hapur, Tuneli Kalimash-Kukës - Morinë pa zinxhirë. Rekomandohet kalimi me zinxhirë edhe për akset Rrëshen-Qafë Bene dhe Shpal-Ura e Repsit.
/m.m/










