Të harruar! Banorët e Shtyllasit në Fier 15 vite pa ujë, e mbushin 45 km larg!

Mungesa prej 15 vitesh e ujit të pijshëm në Shtyllas të Fierit, jo vetëm u ka vështirësuar jetesën e përditshme të banorëve, por njëherazi u ka rënduar dhe buxhetin familjar, pasi për të pirë, ata mbushin ujë në Poçem, 45 km larg.

Pamjet brenda oborreve të shtëpive, me puse, bidona e kova, apo depozitat mbi taraca, tregojnë qartë se furnizimi me ujë të pijshëm është problem jetik. 

“Edhe pse jemi ankuar shpeshherë për këtë problematikë, zgjidhje nuk kemi gjetur dhe as shpresojmë se në rubinetat e çezmave tona do të ketë ujë ndonjëherë”, thonë ata ndër të tjera për REPORT TV.

“Nuk ka asnjë gram ujë këtu në Shtyllas. E përdorim ujin e pusit që e nxjerrim nga 5 metra thellë. Jemi ankuar mijëra herë, madje edhe në Këshillin e Komunës, por arrijnë deri aty sa na thonë ai fshat ka qenë i internuar dhe do i lëmë të internuar”, thotë një prej banorëve.

Në Shtyllas pjesa më e madhe e banorëve janë të ardhur nga veriu i vendit, por bashkëjetesa me komunitetin vendas ka qenë e përhershme. Ata ankohen se pushteti lokal i ka lënë në mëshirë të fatit, duke sjellë dhe braktisjen e fshatit. 

“Një milionë e ca më vajti pusi që e bëra dhe vetëm për të larë e shpëlarë, se për të pirë e blejmë me lekë. Nuk pihet ai, ku kam unë garanci të pi ujë pusi. Ne na shohin si çeçenë këta. Na thonë do e bëjmë, do e bëjmë dhe asgjë. Kjo është gjendja e fshatit tonë”, shprehet një tjetër.

“E mbushim kush me makinë e kush me motor, se s’kemi pasur asnjëherë ujë. Që kur kam ardhur këtu nuk ka pasur kurrë ujë. Bëjmë puse sa për të larë e shpëlarë, se për të pirë e blejmë”, shprehet një tjetër banore e fshatit.

Dikur Shtyllasi numëronte rreth 3000 banorë, ndërsa sot kanë mbetur rreth 400, kryesisht të moshuar. 

Nga Shoqëria e Ujësjellës-Kanalizimeve Fier mësojmë se gjatë periudhës së transferimit nga ish-komunat te ujësjellësi qendror, ujësjellësi i Levanit ka qenë jashtë funksionit, ndaj nuk është transferuar si aset. 

Parashikohet që brenda 2025-ës, të hartohet një projekt për vendosjen e linjave të reja në gjithë zonat e bardha apo pa mbulim rrjeti ujësjellës në qarkun e Fierit.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 18 Janar, 08:40

    A duhen bërë publik emrat e politikaneve që kanë përdorur Sky Ecc?



×

Lajmi i fundit

Vllaznia 'fundos' Skënderbeun, fitojnë Partizani dhe Dinamo! Tre skuadra kryesojnë renditjen me pikë të barabarta

Vllaznia 'fundos' Skënderbeun, fitojnë Partizani dhe Dinamo! Tre skuadra kryesojnë renditjen me pikë të barabarta