Të hënën nis diskutimi i pr/buxhetit në Kuvend

/ATSH/- Komisionet e përhershme parlamentare nisin të hënën diskutimet në parim dhe nen për nen të projektbuxhetit të vitit 2016.
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani pas prezantimit të martën në Konferencën e Kryetarëve do të jetë i pranishëm në mbledhjen e së hënës në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë për të prezantuar p/buxhetin si dhe prioritetet e tij.
Në relacionin shoqërues të p/buxhetit bëhet e ditur se Qeveria me projektbuxhetin e vitit 2016, planifikon të zbatojë vitin e tretë të programit qeverisës 2013-2017. "Ajo është e vendosur dhe e angazhuar në vazhdimin dhe thellimin e reformave që synojnë formalizimin e ekonomisë, decentralizimin dhe vendosjen e ekuilibrave të nevojshëm midis pushteteve, rritjen e incentivave për ekonominë, të cilat çojnë në rritje të qëndrueshme ekonomike, rritje të punësimit dhe përmirësim të mirëqënies së qytetareve.
Projektbuxheti i vitit 2016, si pjesë e Programit Buxhetor Afatmesëm 2016-2018, mbështet vijimin dhe konsolidimin e reformave të mëdha të ndërmarra gjatë këtyre dy viteve qeverisjeje, si dhe reformat që do të ndërmerren gjatë vitit 2016", thuhet në relacion.
Sipas relacionit, projektbuxheti 2016, vijon të mbështesë reformat strukturore, me qëllim që modeli i ri qeverisës të japë rezultate në përshpejtimin e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët. Zhvillimi rajonal dhe reforma administrative, energjia, punësimi dhe zhvillimi i aftësive profesionale, bujqësia dhe reforma në sektorin e ujit, inovacioni dhe shërbimet për qytetarët, janë kryefjala e reformave.
Rritja e të ardhurave dhe për pasojë rritja e shpenzimeve në buxhetin e vitit 2016 nuk janë produkt i rritjes së tatimeve dhe taksave për qytetarët, por rezultat i përmirësimit të administrimit fiskal, si dhe fryt i
reformave të ndërmarra gjatë këtyre dy viteve të mazhorancës aktuale. Buxheti i vitit 2016 ka ndjeshëm më shumë investime për dixhitalizimin, rrugë, spitale, shkolla dhe ujësjellësa.
Një risi tejet e rëndësishme, që konsolidon më tej financat publike të vendit tonë, duke dhënë një sinjal të qartë për vullnetin e Qeverisë për të ulur nivelin e borxhit publik, është programimi me balancë primare me sufiçit në nivelin 0.3% të PBB, tregues i cili përgjatë dy dekadave ka rezultuar sistematikisht me deficit në mesatarisht 2% të PBB çdo vit, përjashtuar vitin 2010 ku ka pasur sërish një suficit prej 0.3% të PBB.
Ndërkohë defiçiti i përgjithshëm fiskal i targetuar në buxhetin e vitit 2016 është 2.2%, niveli më i ulët historik përgjatë më shumë se dy dekadave të fundit. Krahasur me vitin 2015, niveli i deficitit i programuar
për vitin 2016 shënon një ulje me mbi 40% kundrejt 2015, i cili programon një deficit buxhetor prej 4.1% të PBB.
Gjithashtu, një tjetër parametër thelbësor i buxhetit, balanca korente, ose i quajtur ndryshe "rregulli i artë" i buxhetit, për vitin 2016 është programuar në suficit prej 2.9 përqind të PBB, sërish ky një nivel nga më të lartët gjatë gjithë dy dekadave të fundit, përjashtuar vitin 2008 ku shënonte rreth 3.1% e PBB. Kjo do të thotë se ndërkohë që buxheti 2016 programon një huamarrje totale neto relativisht minimale prej 2.2% të PBB, në të njëjtën kohë ai programon një nivel relativisht të lartë të investimeve publike totale prej 5.1% të PBB (përfshirë këtu edhe FZHR edhe investimet në sektorin e energjisë të financuara prej buxheti).
Në aspektin e financimit të deficitit buxhetor, ky buxhet programon që mbështetja për financim nga tregu i brendshëm të jetë fare minimale, duke lënë në këtë mënyrë thuajse të gjithë hapësirën për financim të
tregut të brendshëm drejt sektori privat. Huamarrja e brendshme e programuar në këtë buxhet për vitin 2016 është rreth 19 miliardë lekë, por me gjasa të larta pritet që huamarrja e huaj në formën e mbështetjes buxhetore prej institucioneve financiare ndërkombëtare mund të jetë më e lartë se sa 14 miliard që është programuar në këtë buxhet, e rrjedhimisht financimi i deficitit buxhetor nga tregu vendas pritet të jetë edhe më i ulët se sa 19 miliard lekë.
Në kontekstin reformave të ndërmarra gjatë këtyre dy viteve, ky projektbuxhet mundëson arritjen e objektivit për konsolidim fiskal nëpërmjet uljes graduale të borxhit publik nga 72.6% e PBB-së i pritur për
vitin 2015, në 70.9% e PBB-së në vitin 2016.
Në këndvështrimin makroekonomik projektbuxheti 2016 bën të mundur: rritjen reale ekonomike nga rreth 2.7% të PBB-së në vitin 2015 në 3.4% të PBB-së në vitin 2016; mbajtjen e një niveli prej 5.0 përqind të PBB-së investimeve publike, duke u fokusuar në sektorin e ujit të pijshëm dhe atij të ujitjes në bujqësi, energjisë, inovacionit, turizmit dhe infrastrukturës rrugore qendrore e vendore, si dhe vazhdimin e reformave strukturore, thelbësisht të domosdoshme për të ardhmen afatmesme dhe afatgjatë të ekonomisë, në fushat e energjisë, konsolidimit territorial të 61 bashkive, tregut të punës, administratës publike, kundër informalitetit dhe evazionit fiskal, drejtësisë dhe punësimit etj.
Shqyrtimi në parim, në seancë plenare i projektligjit "Për buxhetin e vitit 2016" dhe i projektligjeve financiare do të bëhet në datën 4 dhjetor ndërsa ai nen për nen në datën 17 dhjetor, për ti hapur rrugë më tej dekretimit nga Presidenti i Republikës dhe zbatimit të tij nga data 1 janar 2016

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Refuzoi gjobën, i riu dhunon efektivin e policisë në Ksamil! Shpallet në kërkim, shoqërohet i vëllai